Kryeministri Berisha niset në Bukuresht për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s
Kryeministri Berisha ndodhet sot në Bukuresht për të marrë pjesë në Samitin 3 ditor të NATO-s, në të cilin do të diskutohet për zgjerimin e NATO-s dhe ku Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia pritet të marrin ftesën për anëtarësim.
Në këtë Samit marrin pjesë Kryetarë shtetesh dhe qeverish të 26 vendeve anëtare, ndër të cilët Presidenti i SHBA-ve George W Bush, Presidenti Francez Sarkozi, Kancelaria gjermane Angela Merkel, Kryeministri britanik Gordon Brown, Kryeministri turk Erdogan, Kryeministri Grek Kostas Karamanlis, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve të mëdha ndërkombëtare.
Delegacioni shqiptar përbëhet nga presidenti i Shqipërisë, zoti Bamir Topi, Kryeministri Berisha, Ministri i Jashtëm Basha, Ministri i Mbrojtjes Oketa, Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Znj Leskaj, Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë demokratike, zoti Astrit Patozi, ambasadori shqiptar në NATO zoti Artur Kuko, Koordinatori Kombëtar për Integrimin në NATO zoti Glori Husi, etj
Ditën e enjte, Kryeministri Berisha do të marrë pjesë në Panelin e Organizuar nga Këshilli i Atlantikut Të ShBA-ve për Atlanticistët e Rinj dhe më pas në punimet e Samitit. Ndër të tjera, Kryeministri Berisha dhe Presidenti Topi do të marrin pjesë në punimet e sesionit të organizuar me pjesëmarrjen e Krerëve të Shteteve dhe Përfaqësuesve të Lartë të NATO-s në Sallën e Parlamentit.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha do të jetë pjesëmarrës në disa aktivitete kulturore të organizuara nga Presidenti rumun Traian Basescu dhe Kryeministri rumun Tariceanu.