E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha prezanton kandidatët për deputetë të Sukthit

Qytetare e qytetarë të Sukthit, vëllezër e motra, zonja e zotërinj, përshëndetjet dhe mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush, për mbështetjen e madhe, të jashtëzakonshme, që i keni dhënë dhe i jepni Partisë Demokratike, në përpjekjen e saj për Sukthin e zhvilluar, Durrësin e zhvilluar, Shqipërinë  e zhvilluar dhe europiane.

Kam nder e kënaqësi të paraqes para jush, deputetët e Partisë Demokratike për parlamentin e ardhshëm dhe ju premtoj se katër vitet që vijnë do vazhdojmë me këta deputetë si avokatë të vendosur të interesave të tuaja, të infrastrukturës, shkollave, qendrave shëndetësore, ujësjellësve, kanalizimeve shërbimeve më cilësore. Këto vite është investuar në bashkinë e Sukthit dhe janë ndërtuar dhjetëra e dhjetar kilometra rrugë. Shumica dërrmuese e banorëve të kësaj bashkie marrin ujë 24 orë. Janë ndërtuar e rindërtuar shumica e shkollave. Fermerët e Sukthit kanë modernizuar fermat e tyre.

Vëllezër e motra,   

katër vitet që vijnë ne do t’i japim Sukthit, kësaj bashkie të rëndësishme për zhvillimin e qarkut e të Shqipërisë, infrastrukturën më moderne, do të lidhim me rrugë direkte, brigjet e Sukthit, bregdetin e tij me autostradën kombëtare, do të ndërtojmë rrugën Sukth-Hidrovor, do përfundojmë çdo ujësjellës në çdo fshat të kësaj bashkie, shkolla të reja në të gjitha fshatrat e bashkisë dhe në territorin e saj, rrugët e brendshme do të rindërtohen në standardet më të mira. Në territorin tuaj, kompani të mëdha europiane e botërore parashikojnë ndërtime resortesh të mëdha turistike dhe investime të tjera.

Unë jam sot këtu, për t’u zotuar para fermerëve të Sukthit, për të cilët ne kemi financuar rreth 100 hektarë vreshta, dru frutorë e sera, se do të trefishojmë grantet për ju.

Sukthi do të ketë tregun e vet modern, terrene sportive dhe do të shndërrohet në një nga qendrat urbane më të zhvilluara të këtij rajoni. 

I garantoj fermerët e fshatrave të Sukthit, të gjithë banorët e kësaj bashkie se me vendimet e fundit, të tre muajve më parë, autorizojmë qeverinë vendore të japin të gjitha tapitë për tokat kudo ku ndodhen dhe ne jemi zotuar të sjellim dyert e hipotekës pranë çdo komune e bashkie të vendit. Qeveria do përfundojë hartën dixhitale të tokës, që është një nga hartat më të sakta dhe për çdo shqiptar do të marrin fund andrallat e mbivendosjes, do t’i japim përgjigjen përfundimtare.

Të dashur miq, për të mbështetur punësimin në Sukth e në mbarë Shqipërinë, ne vendosëm në Shqipëri barrën fiskale më të ulët në Europë, vendosëm taksën e sheshtë, e cila është taksa e librave të shenjtë, është taksa më e ndershme, taksa e shekujve dhe mijëvjeçarëve. Të dhjetat është taksa më e ndershme që ka nxjerrë e përdorur ndonjëherë njeriu e njerëzimi.

Shoku i autobusit mavi përpiqet dhe mendon t’ju mashtrojë juve, duke ju thënë se taksa progresive është taksa më e ndershme, se ajo, thotë ai, taton më pak, atë që merr më pak dhe taton më shumë, atë që merr më shumë. Vëllezër, të dhjetat është taksa më e ndershme, sepse ai që merr dhjetë paguan një, ai që merr njëqind paguan dhjetë herë më shumë, pra, paguan dhjetë, ai që merr njëmijë paguan njëqind herë më shumë, pra, paguan njëqind. Kjo është e vërteta e kësaj takse. Ja sepse të parët tanë në të gjitha kohërat kanë përdorur vetëm të dhjetat.

Shoku i autobusit ju thotë fermerëve se ai do të bëjë legalizimin, paçka se në Rrashbull, kur pyeti një banor nga ke ardhur dhe ai iu përgjigj nga Mirëdita, i tha shko në male, se atje e keni vendin. Ai ka marrë përsipër rolin e Nastradinit, në autobusin mavi. Të tjerëve u thotë se edhe Enveri të ngrihet nga varri, ju nuk do të lëvizni, por në Rrashbull u tha toka nuk është e juaja, shkoni nga keni ardhur.

Për të krijuar vende pune, ne vendosëm të heqim TVSH-në e çdo tarifë doganore për çdo mall që bizneset përdorin për rritjen e prodhimit në Shqipëri. Ky ligj ka hyrë në fuqi në 1 maj dhe bizneset e të gjitha llojeve kanë përfituar e përfitojnë çdo ditë dhjetëra e dhjetëra milionë lekë TVSH. Në Delvinë, shoku i autobusit u zotua se do të heqë taksën mbi makineritë. I them, shko tek dogana në Durrës, në Vlorë e mësoje se asnjë biznes nuk paguan asnjë taksë për çdo lloj makinerie që hyn në Shqipëri. Në një vend tjetër u thotë fermerëve se do të heqë TVSH-në. Ne kemi vendosur t’u japim juve paratë në dorë, TVSH-në e të gjitha makinerive, mjeteve, plehrave kimike, farërave dhe çdo gjë tjetër që ju blini për prodhim më fermat tuaja bujqësore, blegtorale, të bletarisë e peshkim e çfarëdo qoftë. Ne kemi vendosur t’ju japin paratë në dorë për akcizën e naftës që ju përdorni për ngrohjen e serave dhe punimin e tokës. Ky është zotimi ynë dhe vendime të miratuara në mënyrë përfundimtare. Ata duan skemën e vjetër, sepse tollonat e naftës i kthyen të gjitha në tollona partie. Ndërsa ne, me këtë skemë do ju japin çdo qindarkë juve, për naftën që shpenzoni.

Qytetare e qytetarë të Sukthit, banorë të respektuar, miq të kësaj bashkie,

këto ditë ka shpallur përsëri, platformën e shkatërrimit të prodhimeve tuaja. Zotëria thotë se do heqim TVSH-në për grurin, miellin, qumështin, mishin, vezët. Çfarë do të thotë kjo për ju? Do të thotë që mishi i Brazilit dhe i Argjentinës të mos ju lërë juve të rrisni asgjë për mish, sepse po hynë pa TVSH, ju nuk keni asnjë leverdi të rrisni lopë e viça për mish. Kjo do të thotë se, në rast se heqim TVSH-në për qumështin, fillojnë kontenierët me qumësht pluhur e jo pluhur, sepse në vendet e Bashkimit Europian, lopën e subvencionojnë 3.5 euro në ditë dhe sigurisht fermerit, me atë subvencion që merr, 3.5 euro në ditë i lejohet ta shesë qumështin edhe 50 përqind më lirë se ju.

Ju mbillni grurë, por ne nuk kemi shumë tokë për hugarë të mëdhenj gruri. Natyrisht, vendet me fusha të pafundme prodhojnë grurë me kosto më të ulët se ne dhe nëse heqim TVSH-në, në Shqipëri kalli gruri nuk mund të mbillet më, sepse do të jetë shumë më i lirë. Përse bëhet kjo politikë? Vetëm e vetëm për të krijuar monopolet socialiste të grurit, miellit, mishit, vezëve e qumështit. Në pamje të parë duket sikur ai qan hallin e çmimeve të qytetarëve, por ju them se në Shqipëri e në botë nuk është ulur kurrë ndonjë çmim pse hiqet TVSH-ja, përkundrazi, ajo ka përfunduar gjithnjë në xhepat e tregtarëve dhe nuk ka përfunduar kurrë si ulje çmimi për konsumatorin.

Ndaj le të vazhdojmë sëbashku, në një përpjekje të madhe për punësim më të madh, për ta shndërruar Sukthin në një qendër të fuqishme të prodhimit industrial, për ta shndërruar atë, në një qendër të fuqishme të turizmit, me brigjet e veta të mrekullueshme, për ta shndërruar Sukthin në një qendër të fuqishme të prodhimit bujqësor, të punësimit të banorëve të Sukthit, të rritjes së rrogave e pensionet, të cilat ne edhe këtë vit do t’i rrisim e do të vazhdojmë t’i rrisim përsa kohë ju do të na votoni.

Më 23 qershor ju ftoj të votoni për veten tuaj, për punësimin e të gjithë qytetarëve të Sukthit, për rritjen  e mirëqenies, për integrimin e Sukthit, Durrësit e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Votoni për zhvillimin, votoni për të ardhmen! Përpara për Partinë Demokratike, votoni 44! Përpara për Partinë Demokratike, votoni 44! Fitore! Fitore! Fitore!


03/06/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›