E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha prezanton kandidatët për deputetë të Cërrikut

Qytetare e qytetarë të Cërrikut, vëllezër e motra, zonja e zotërinj, mirëmbrëma! Përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen time më të thellë ndaj jush, për mbështetjen tuaj të madhe, por edhe për këtë miting madhështor, me të cilin ju hapët sot fushatën elektorale, fushatën e fitores.

Sot jam këtu për t’u zotuar para jush se sëbashku me Artiolën dhe deputetët e qarkut të Elbasanit do të punojmë shumë për punësimin e qytetarëve të Cërrikut dhe qarkut të Elbasanit, do të punojmë shumë për rritjen e rrogave e pensioneve dhe mirëqenies së qytetarëve të Cërrikut dhe Elbasanit, do të punojmë shumë për integrimin e Elbasanit dhe Cërrikut, Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Vëllezër e mora, zonja e zotërinj,

objektivi numër një i të gjitha reformave tona është punësimi i qytetarëve të Cërrikut, qytetarëve shqiptarë. Ne ju ftojmë për një Shqipëri, në të cilën çdo grua e çdo burrë të mund të zbatojë e bëjë realitet projektin dhe idenë e vet, të ndërtojë e zgjerojë biznesin, të ndërtojë e zgjerojë fermën, të ndërtojë e zgjerojë shërbimin dhe të bëjë gjithçka për begatimin e vetes e të familjes së tij. Ne besojmë se liria ekonomike është themeli i çdo përparimi, mirëqenie e  zhvillimi. Ndaj pak vite më parë, ne ulëm taksat, ulëm tatimin mbi fitimin 150 përqind, tatimin mbi të ardhurat personale 130 përqind, përgjysmuam taksën e biznesit të vogël dhe e vendosëm nivelin më të ulët në botë, 1.5 përqind, sigurimet shoqërore i ulëm me 50 përqind.

Këto kohë, ne vendosëm ulje të reja të taksave, por katër vitet që shkuan me këtë politikë Shqipëria mori investime 316 përqind më shumë se katër vitet  tjera, morëm 4.2 miliardë dollarë investime të huaja, garantuam vazhdimin e rritjes ekonomike dhe jo rritjen por uljen e papunësisë. Ne do të krijojmë 250 mijë vende pune, sepse me heqjen e çdo takse mbi makineritë dhe kapitalin për të gjitha llojet e bizneseve, me heqjen e çdo takse mbi çdo makineri dhe inputet për bujqësinë, me heqjen e taksës për hekurin e çimenton për hidrocentralet, me heqjen e tatimit mbi të ardhurat personale për të gjithë punonjësit me pagë nën 30 mijë lekë, me heqjen e çdo detyrimi tatimor për çdo të ri të punësuar për tre vitet e para të punës, me heqjen e çdo taksë për bizneset e emigrantëve, për 3-5 vitet e para, ne besojmë se katër vitet që vijnë, Shqipëria do të marrë jo 4.2, por 6 miliardë dollarë investime të huaja.

Ne besojmë e jeni të sigurt se me përfundimin e autostradës Tiranë-Elbasan, Cërriku shndërrohet pothuaj në një lagje të Tiranës dhe ai do të jetë ngjitur me tregun më të madh të vendit, tregun e kryeqytetit ku ndërtohen një seri parqesh industriale. Por autostrada Tiranë-Elbasan hap perspektivën e madhe të parkut industrial të qytetit të Elbasanit.

Ne do të bëjmë gjithçka për punësimin dhe rritjen e mirëqenies suaj. Jam këtu për t’u zotuar se gjatë katër viteve që vijnë, ne do të trefishojmë grantet për fermerët shqiptarë dhe fjala ime e nderit është se do t’i pesëfishojmë për fermerët e Cërrikut. Zotërinj kandidatë për deputetë, për Cërrikun e qytetarët e tij, një program të veçantë për fermerët, ku ne do të pesëfishojmë grantet për çdo projekt që ata do të paraqesin, për të lulëzuar fermat e tyre, për të punësuar më shumë.

Ne do të realizojmë objektivin tonë, sepse katër vitet që vijnë, në mbarë vendin do të punësohen së paku 30 mijë qytetarë shqiptarë, në ndërtimin e hidrocentraleve dhe gazsjellësit TransAdriatik. Në qarkun e Elbasanit janë firmosur kontrata për t’u ndërtuar mbi 80 hidrocentrale, nga të cilat gjigandi i Devollit që punëson direkt e indirekt rreth 5 mijë punëtorë, inxhinierë e teknikë. Banorët të Cërrikut do jenë ata që do të përfitojnë shumë nga këto vepra.

Vëllezër e motra,

në Cërrik, Elbasan, në Librazhd, Dumre e Peqin kemi ndërtuar qindra e qindra kilometra rrugë, por prapë kemi për të ndërtuar. Jam këtu para jush, për t’u dhënë fjalën se infrastrukturën e lagjes nr.3 do ta ndërtojmë ndër më modernet dhe se për këtë qytet do rindërtojmë pallatin e kulturës, rindërtojmë të gjitha shërbimet, do të bëjmë gjithçka që ju të merrni shërbimet më moderne.

Por, të dashur qytetare e qytetarë të Cërrikut, për ju këtu dhe shqiptarët, perspektiva më e madhe për punësim, për begati dhe për zhvillimin e Shqipërisë është integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Unë ju ftoj juve, ftoj çdo qytetar të këtij qyteti, të Elbasanit e mbarë Shqipërisë, pavarësisht nga bindjet e tij, të ndalet për një moment e të mendojë se me cilën forcë politike, ju keni firmosur Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Europën - me Partinë Demokratike; me cilën forcë politike, ju keni firmosur ftesën për anëtarësim në NATO - me Partinë Demokratike. Me cilën forcë politike, ju keni firmosur anëtarësimin të NATO – me Partinë Demokratike; me cilën forcë politike, ju firmosët lëvizjen e lirë në mbarë Europën – me Partinë Demokratike; me cilën forcë politike, ju firmosët rekomandimin nga Komisioni Europian, për statusin e vendit kandidatit në tetorin e kaluar – me Partinë Demokratike.  

Rruga e integrimit është e sigurt me atë forcë politike që ju qytetarët e thjeshtë të Cërrikut dhe Elbasanit jeni bërë dëshmitarë, jeni bërë firmëtarë të ndryshimeve epokale, historike, të raporteve të Shqipërisë me Europën. Statusi i vendit kandidat dhe integrimit në Bashkimin Europian nuk është luga e artë, por është mundësia më e madhe për punësim, është rruga e sigurt e mirëqenies, begatimit, stabilitetit, shkollimit dhe shërbimeve më të mira shëndetësore. Ndaj ju premtoj se së shpejti, sëbashku do të marrim statusin, do të hapim negociatat dhe me seriozitetin më të madh do të ecim drejt qëllimit tonë final, integrimit tonë të plotë në Bashkimin Europian.

Qytetare e qytetarë të Cërrikut,

nga ky shesh ju bëj thirrje t’i shtroni pyetjen, shokut në autobus: cilit shqiptar i interesonte futja e zileve, trumbetave dhe bilbilave në parlament, kur Europa po na afronte Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, kontratën historike të Shqipërisë me Bashkimin Europian? Asnjë shqiptari, përveç shokut të autobusit për arsye që i di ai. Cilit shqiptar i interesonte protesta jote ditën e nesërme, pas anëtarësimit në NATO dhe deklarata juaj para një jave se NATO është natë, se NATO nuk është bukë, NATO nuk është ujë, njëlloj siç mund të deklarojë i biri i Enver Hoxhës, Ilir Hoxha që është në koalicion me ty. Asnjë shqiptari, përveç atyre që kanë trashëgimi, urrejtjen ndaj NATO-s dhe botës perëndimore. Cilit shqiptar i interesonte përpjekja për të bllokuar vizat me greva, me protesta, me e-mail e letra se do të derdhen 800 mijë shqiptarë mbi ju? Asnjë shqiptari, përveç teje, për qëllime që i ti i di dhe duhet t’ua shpjegosh zgjedhësve shqiptarë. Cilit shqiptar, socialist, demokrat dhe i paparti, i interesonte të mos votosh tre ligjet, të mbash peng statusin e vendit kandidat, të privosh këta qytetarë nga dhjetëra mijëra vende pune, nga qindra milionë euro investime në rrugë, ujësjellës, shkolla, investime në sektorin privat, cilit shqiptar i interesonte ky bllokim? Asnjë shqiptari të asnjë force politike, përveç teje, shoku i autobusit. Cilit qytetar të Cërrikut, Elbasanit, Librazhdit, Pogradecit, Korçës, Kolonjës, Gramshit, Dumresë i interesonte përpjekja e turpshme, e paimagjinueshme, për të bllokuar buxhetin për autostradën Tiranë-Elbasan?

Ndaj ju ftoj juve, vëllezër e motra, pavarësisht nga përkatësia partiake, por në interesin më të mirë të secilit prej jush, të shtroni këto pyetje dhe të merrni vendime, sepse nuk ka votë më të rëndësishme se vota për punësimin, për zhvillimin, për Europën, për integrimin tonë.

Gjatë gjithë këtyre kohëve, shoku i autobusit paraqet para jush një alternativë qesharake, të bazuar në koncepte fallco. Ai sulmon me mashtrim taksën e sheshtë që është taksa e të dhjetave, taksa e librave të shenjtë, taksa më e ndershme. Taksa, me të cilën ai që merr më pak paguan më pak, ai që merr më shumë paguan më shumë. Rama përpiqet t’ju mashtrojë juve, ndërkohë që me këtë taksë, ai që merr 220 mijë paguan 12 mijë, ai që merr 4 mijë paguan 400, ai që merr 40 mijë paguan 4 mijë. Kjo është e vërtetë. Ndërsa ai për taksën e etërve të tij trillon çdo ditë, për të vendosur atë taksë, me të cilën rrënon ekonominë. Rama beson se sot njerëzit e lirë, gratë e burrat e lirë mund të mashtrohen, të indoktrinohen njëlloj si 40 vjet më parë. I ka mbetur ora tek etërit e tij, ndërsa ora jonë e lirisë nuk ndalet kurrë. Ndaj të ecim përpara drejt të ardhmes që meritojmë. Përpara! Votoni 44-n, votoni për punësimin tuaj. Votoni 44-n, votoni për zhvillimin e Cërrikut. Votoni 44-n, për Cërrikun dhe Shqipërinë në Europë. Rrofshi ju! Rroftë Cërriku! Rroftë Shqipëria!


02/06/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›