Kryeministri Berisha prezanton kandidatët për deputetë të Tiranës në tubimin elektoral me banorë të njësisë bashkiake nr.7 në kryeqytet

“Qytetarë dhe qytetare të Tiranës,
Vëllezër e motra, zonja e zotërinj
Përshëndetjet më të përzemërta, urimet më të mira për këtë uragan të fitores së Tiranës, fitores të secilit prej jush, fitores së PD, vepër e juaja.
Mirënjohjen më të madhe për mbështetjen tuaj dhe kënaqësinë time se me kryetarin e bashkisë Lulëzim Basha dhe me deputet tuaj Majlinda Bregu do të bëjmë gjithçka për të shndërruar lagjen tuaj në një nga lagjet më moderne të Tiranës, në një lagje në të cilën të ketë infrastrukturën më moderne , kushtet më të shkëlqyera, për shkollat dhe qendrat social kulturore, të ketë shërbimet më të mira për ju.
Vëllezër dhe motra,
Këto zgjedhje janë të një rëndësie vendimtare për Tiranën dhe Shqipërinë, këto zgjedhje janë përcaktuese, për punësimin e qytetarëve të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë. Me investime të mëdha në lagjen tuaj, me investime të mëdha në mbarë Tiranën, me bulevardin e ri, me investime në sistemimin e lumit të Tiranës krijohen në këtë lagje, krijohen ne kryeqytet dhjetëra mijëra vende pune. Me sistemin e ri fiskal , me heqjen e taksës për çdo makineri, e heqjen e tatimit mbi të ardhurat personale për rrogat nën 30 mijë lekë ne japim një nxitje të madhe biznesit dhe punësimit në lagjen tuaj në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë.
Punësimi dhe zhvillimi janë dy objektivat tona më madhore. Shqipëria e 4 viteve që vijnë, Tirana e 4 viteve që vijnë do të jenë kryeqyteti dhe vendi i projekteve më të mëdha në historinë tonë. Dy parqe të mëdha industriale po ndërtohen në afërsi të lagjes suaj. 30 mijë qytetarë do të punësohen vetëm në këto 2 parqe. Ne do të bëjmë gjithçka që çdo pasuri të Tiranës dhe të vendit ta shndërrojmë në pasuri të mëdha për ju.
Ligji i ri i urbanistikës, plani i rregullimit të territorit të Tiranës, vendosin drejtësinë e munguar të qytetarëve të Tiranës për 11 vite të sundimit të atij që për Tiranën, le ta shpallin thjesht një ëndërr e keqe e të shkuarës. Plani i ri bazohet në zhvillimin e barabartë dhe të ndershëm të pronës çka nënkupton mëkëmbjen nga prona të të gjithë atyre që e posedojnë atë
Qytetarë dhe qytetare të Tiranës,
Shqipëria është në prag të projekteve gjigande. Ka nisur punimet Kaskada e Devollit me 1 miliard dollarë investime Këto ditë nga Kaspiku vijnë lajmet më të mira. Gjithçka po shkon drejt TAP-it, drejt gazsjellësit në të cilin Shqipëria do të jetë një vend shumë i rëndësishëm kalimi dhe furnizimi. Këto projekte nënkuptojnë dhjetëra mijëra vende pune, nënkuptojnë gazifikimin e plotë të Tiranës, gazifikimin e plotë të Shqipërisë, janë kosto më e ulët jetese për çdo familje shqiptare.
Vëllezër e motra,
Po shkojmë drejt 23 qershorit. Njeriu që e nxorët nga dera dhe e përcollët mendon se do na futet nga dritarja. Dhe tani bën rolin e ‘dhelprës dhe rrushtë’. Por, shoku Edi do të mbetesh në autobusin tënd mavi, për të bërë me të gjithë ngjyrat që do portretet e rilindësve të tu të autobusit tënd mavi. Ne kemi në zemër dhe shpirt fitoren, e cila mezi po pret datën 23 qershor për të vërshuar në të katër anët e Shqipërisë. Ndaj edhe thirrja ime për çdo socialist të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë është – bashkohuni me ne në idealet tona, në aspiratën tonë për integrim në Evropë.
Partia Demokratike është ajo që u faktua këto vite si lokomotiva e pandalshme e integrimit. Bashkohuni me ne të marrim gjatë muajve që vijnë statusin e vendit kandidat; bashkohuni me ne dhe gjatë mandatit që vjen të bëjmë çdo reformë për të liberalizuar vizat me vendin e madh të lirisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës; bashkohuni me ne për krijimin masiv të vendeve të punës; bashkohuni me ne për rritjen e mëtejshme të rrogave dhe pensioneve; bashkohuni me ne, socialistë dhe socialiste të Tiranës, për të sjellë Tiranën në çdo banesë, në çdo shtëpi, në çdo lagje, në çdo rrugë, në çdo rrugicë, aty ku jetoni, pa asnjë dallim; bashkohuni me ne në energji të përbashkëta dhe të ecim së bashku drejt zhvillimit të Tiranës, drejt Tiranës së shekullit XXI, drejt Shqipërisë së zhvilluar, Shqipërisë së ëndrrave tona, Shqipërisë më të bukur; bashkohuni me ne për ta bërë Shqipërinë vendin më të vizituar, më të preferuar në rajon dhe me gjerë; bashkohuni me ne për të ndërtuar së bashku shërbimet më të shkëlqyera që ju meritoni.
Le ta lëmë shokun e autobusit në ëndrrat e tij të sëmura. Le ta lëmë piktorin e dështuar në fatin e dështimit të tij.
Socialiste dhe socialistë,
Njeriu që ju udhëhoqi nga disfata në disfatë nuk meriton të ndiqet më. Ejani me ne të ecim drejt fitores, të ecim drejt të ardhmes. Votoni 44-ën, votoni fitoren, votoni integrimin, votoni punësimin, votoni zhvillimin!
Fitore! Fitore! Fitore!
Rroshi ju!
Rroftë Tirana!
Rroftë Shqipëria!”
13/06/2013