E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Edukimi në tërësi dhe edukimit universitar në veçanti, lokomotivë kryesore e të ardhmes së kombit

-          Kryeministri siguroi se reforma e ndërmarrë gjatë këtyre 4 viteve në arsim, përmes të cilës u arrit dyfishimi i buxhetit në arsimin publik, dyfishimi së shpejti i rrogave të arsimtarëve, shtrirja e internetin në të gjitha shkollat e Shqipërisë, do të vazhdojë edhe në 4 vitet që vijnë me vendosmërinë më të madhe.

Kryeministri Berisha mori pjesë sot paradite ne Konferencën e Rrjetit të Universiteteve Shqipfolëse, me temë “Problemet e sotme dhe sfidat e të ardhmes”, organizuar në mjediset e Universitetit U.F.O.

Kjo është konferenca e parë e këtij rrjeti që prezanton kapacitetet, mundësitë dhe problemet që ndesh sot arsimi i lartë shqiptar, në kuadrin e reformimit dhe aplikimit të sistemeve të reja të studimit, me qëllim përmirësimin e vlerave dhe dimensionit publik të arsimit.

Të pranishëm në këtë konferencë ishte Ministri i Arsimit, z. Fatos Beja, Rektori i Universitetit të Tiranës, njëkohësisht kryetar i Rrjetit të Universiteteve Shqipfolëse, prof. Dhori Kule, rektorë e dekanë të universiteteve publike dhe private në vend, përfaqësues të universitetit të Prishtinës, Tetovës, të Universitetit të Europës Juglindore, Kryetari i Akademisë së Shkencave, z. Beqir Gudari, pedagogë, studentë, etj.

Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh se shqiptarët në këto kohëra po përjetojnë dy procese të mëdha; anëtarësimin në NATO dhe integrimin në Bashkimin Europian, si një e ardhme e sigurt e vendit. Por, theksoi Kryeministri, “si një komb që nuk kemi pasur mundësi të ndërtojmë të ardhmen, pasi kemi pasur një histori mbijetese, Shqipëria ka vetëm një alternativë për kapjen e saj; “shndërrimin e edukimit në tërësi dhe edukimit universitar në veçanti në lokomotivë të drejtimit të shqiptarëve drejt të ardhmes”. Të gjitha gjërat e tjera, vijoi Kryeministri, janë dytësore, krahasuar me rëndësinë jetike që ka ky proces.

Më tej, Kryeministri Berisha u ndal në rëndësinë e jashtëzakonshme që ka përfshirja e sektorit privat në arsimin publik. Në këtë kontekst, Kryeministri ftoi Rektorin e Universitetit të Tiranës dhe rektorët e universiteteve të tjera publike të vendit, që të studiojnë të gjitha mundësitë se si në këto universitete mund të jetë aksionerë edhe sektori privat, se si sipërmarrja të bëhet aksionere dhe të japë kontributet e saj.

Gjithashtu, Kryeministri siguroi drejtuesit e universiteteve private, se viti i ardhshëm do të ketë një kuadër të ri lehtësues për këto universitete, në mënyrë që të lehtësohet  veprimtaria e tyre dhe t’i jepet mundësi zgjerimit të pjesëmarrjes së sektorit privat në shkollimin, edukimin dhe arsimimin e të rinjve shqiptarë.

Nga ana tjetër, Kryeministri vuri theksin në nevojën e vazhdimit të projektit për “”thithjen e trurit”, tërheqjes së sa më shumë mendjeve të ndritura shqiptare, studentëve të graduar në universitetet më të mira botërore. “Kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme”, theksoi ai.

Kryeministri siguroi se qeveria do të vazhdojë investimet në arsim dhe reformën e nisur në këtë fushë. “Unë ju siguroj se reforma e ndërmarrë gjatë këtyre katër viteve në arsim, me të cilën ne ia dolëm të dyfishojmë buxhetin në sektorin publik, të dyfishojmë së shpejti rrogat e arsimtarëve, të shtrijmë internetin në të gjitha shkollat e Shqipërisë, proces që përfundon këtë muaj, do të vazhdojë edhe në katër vitet që vijnë me vendosmërinë më të madhe”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

Dëshiroj t’’ju përgëzoj për këtë iniciativë të shkëlqyer, me të cilën ju synoni të rrisni, të bashkërendoni bashkëpunimin e frytshëm midis të gjitha universiteteve të botës shqiptare, universiteteve, ku në tërësi mësojnë studentë shqiptarë. Mendoj se ky bashkëpunim duhet të mbështetet fuqishëm si nga qeveria ime, por ashtu edhe nga kolegët e mi në vende të tjera, me interesin më të mirë të zhvillimit të vendeve tona, pra të zhvillimit të rajonit.

Shqiptarët përjetojnë kohërat më të mira të tyre, në tërë historinë shekullore, përjetojnë kohërat e lirisë, kohërat e vetme që premtojnë të ardhme. Të ardhme mund të ndërtojnë vetëm njerëzit e lirë.

Por krahas kësaj, shqiptarët po përjetojnë dy procese të mëdha të tjera, pa të cilat kombet e vogla kanë qenë viktimat më të para të të gjitha trazirave, përjetojnë anëtarësimin në NATO, përjetojnë integrimin në Bashkimin Europian. NATO është faktuar si mburojë e lirisë së njerëzve të lirë dhe në këtë aspekt, kjo përbën një nga arritjet më madhore në historinë e kombit shqiptar, përbën arritjen më madhore për Shqipërinë, pas shpalljes së pavarësisë. Ky moment është i afërt, ky moment është samiti i prillit.

Por Shqipëria ecën e sigurt edhe në projektin tjetër, atë të integrimit në Bashkimin Europian. Asnjë vend në Europë nuk ka nisur rrugën drejt integrimit në kushtet në të cilat e nisi Shqipëria. Është e një rëndësie kapitale fakti që perspektiva europiane e saj është e garantuar mbi bazën e performancës së saj. Në këtë kontekst, ne së shpejti nisim procesin e aplikimit për të fituar statusin e vendit kandidat. Unë dua t’ju garantoj se kjo qeveri do të bëjë çdo përpjekje që edhe ky vendim për statusin e vendit kandidat, të bazohet mbi meritën, mbi përpjekjen tonë për të realizuar standarde dhe kritere të domosdoshme për një vend kandidat të BE-së. Natyrisht, një vend anëtar i NATO-s e ka shumë më të qartë rrugën e anëtarësimit në BE.

Sapo unë jam kthyer nga Brukseli, ku unë mora mbështetjen e plotë për të dy këto procese.  Por, sa më shpejt të ecim, aq më të mëdha bëhen përgjegjësitë tona, kërkesat ndaj nesh. Ne, si një komb që nuk kemi pasur mundësi të ndërtojmë të ardhmen sepse kemi pasur një histori mbijetese, kemi vetëm një alternativë për kapjen e saj; shndërrimin e edukimit në tërësi dhe edukimit universitar në veçanti në lokomotivë të drejtimit të shqiptarëve drejt të ardhmes. Të gjitha gjërat e tjera janë dytësore, krahasuar me rëndësinë jetike që ka ky proces.

Kështu që, universitetet, arsimi në tërësi, ka një mision të madh, ka një rol të madh pa të cilin kombi do ta ketë shumë të vështirë të kapë kohërat që ka humbur, pa të cilën  kombi do ta ketë shumë të vështirë të ndërtojë të ardhmen që ëndërron dhe meriton.

Sërish trashëgimia në këtë fushë nuk ka qenë e lakmueshme. Jo! Ka qenë dogma me të cilin ka qenë i mbarsur arsimi në Shqipëri, por edhe në universitetet e tjera shqiptare. Pra, arsimi ka qenë i kufizuar dhe nuk u ka ofruar shanse të rinjve dhe të rejave shqiptare. Numri i studentëve për 1 mijë banorë në Shqipëri, tre vjet më parë ishte 12, ndërkohë që në vendet e BE-së mesatarja është 40 studentë. Ndaj, për të shndërruar arsimin, edukimin në tërësi dhe universitetet në veçanti, në forcë kryesore drejtuese drejt të ardhmes, në lokomotivën kryesore të kombit, është e domosdoshme që ne t’i ofrojmë shanset reale çdo të riu që të ndjekë 3 ciklet e shkollave tona.

Sot ne kemi mbi - dyfishuar numrin e studentëve në Shqipëri, kemi arritur në rreth 30 studentë për 1 mijë banorë. Sërish, ne duhet të synojmë që, në dy tre vitet që vijnë, të kapim mesataren e BE-së, 40 studentë për 1 mijë banorë. Por, nëse keni parasysh moshën e re të kombit, ne duhet të kemi një numër mesatar akoma më të lartë. Ky objektiv është i vlefshëm për të gjitha universitetet tuaja, kudo që jeni, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, apo kudo që të ndodheni. Ne nuk duhet të lëmë përpjekje pa bërë, nuk duhet të druhemi nga masivizimi. Ata që i besojnë arsimit, ata që nuk e shohin arsimin si një plaçkë apo pronë individuale, nuk kanë ndrojtje nga masivizimi i  arsimit.

Është  e vërtetë që paralel me arsimin duhet të ecë cilësia e tij, por për këtë nuk ka asnjë pengesë. Kjo arrihet kur bashkërisht ne të kërkojmë resurset, të kërkojmë të gjitha potencialet, t’i mobilizojmë ato. Kjo arrihet duke hapur hapësira gjithnjë e më të mëdha për sektorin privat në arsim, duke ndarë me sektorin privat përgjegjësinë në këtë mision të madh. Arsimi nuk është lëmoshë, ne nuk duhet ta kuptojmë arsimin si asistencë sociale.

Sigurisht që ne duhet t’i krijojmë kushte çdo fëmije dhe çdo të riu dhe duhet ta konceptojmë arsimin si sektori i investimit të parë. Për ta bërë të tillë, qeveria ime ka dyfishuar buxhetin. Kjo nuk mjafton. Unë zotohem këtu se do ta trefishoj buxhetin, sërish kjo nuk mjafton. Rruga më e sigurt është mobilizimi i resurseve pakrahasimisht më të fuqishme të sektorit privat sesa atij publik. Ndaj, zoti Rektor i Universitetit të Tiranës, unë ju ftoj që bashkë me kolegët tuaj të universiteteve publike, të studioni të gjitha mundësitë se si në këto universitete mund të jetë aksionerë edhe sektori privat, se si sipërmarrja të bëhet aksionere dhe të japë kontributet e saj.

Sikundër, dua t’ju garantoj ju, drejtuesve të universiteteve private, se viti i ardhshëm do të ketë një kuadër të ri lehtësues për ju. Pavarësisht kohërave jo shumë të favorshme, sërish në këto kohëra nuk ka gjë më të mirë sesa ne të rrisim investimet në arsim. Ndaj, së bashku me ju, ne do të përcaktojmë një kuadër të ri ligjor, në mënyrë që të lehtësojmë veprimtarinë tuaj dhe t’i japim mundësi zgjerimit të pjesëmarrjes së sektorit privat në shkollimin, edukimin, arsimimin e të rinjve shqiptarë.

Kam një thirrje për ju: të tërheqim sa më shumë mendje të ndritura shqiptare. Kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Mijëra e mijëra shqiptare janë sot në të katër anët e botës, janë graduar, kanë marrë doktorata, janë vendosur në pozicione më të mira. Bëni çdo gjë për t’i inkurajuar ata që të vijnë në universitetet tona, publike apo private. Qeveria është e gatshme të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me ju, qeveria është e gatshme që në të gjitha universitetet publike, ndonëse deri tani ka shtuar rreth 1000 vende pune, të autorizojë marrjen e çdo individi me këto parametra, të ofrojë edhe bonuse të caktuara. Ju jeni mundësia më e madhe punësimit. Administrata është tërheqëse, por edhe nuk është e tillë. Nuk ka dyshim se më tërheqës është universiteti. Një i ri që del nga shkolla, mund të ketë pasionin që të punojë në administratë dhe ne do përpiqemi ta mirëpresim, por në rast se nuk ka pasionin të punojë në administratë, por ruan pasionin për të punuar në universitet, ne duhet të jemi  shumë të kënaqur dhe vlerësues ndaj tij. Ne duhet t’i krijojmë atij çdo mundësi. Unë shoh këtu te ju potencialin më të madh për thithjen e trurit. Ky është një proces i vështirë por proces jetik për ne.  

Duke përfunduar, dua t’ju siguroj se reforma e ndërmarrë gjatë këtyre katër viteve në arsim, me të cilën ne ia dolëm të dyfishojmë buxhetin në sektorin publik, të dyfishojmë së shpejti rrogat e arsimtarëve, të shtrijmë internetin në të gjitha shkollat e Shqipërisë, proces që përfundon këtë muaj, do të vazhdojë dhe në katër vitet që vijnë me vendosmërinë më të madhe. Asgjë  nuk ka më të rëndësishme, më serioze për një komb, për një vend,sesa arsimimi, edukimi. Faleminderit”.                                


21/03/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›