Kryeministri Berisha priti zv/kryetarin e Senatit të Spanjës zotin Isidre Molas i Batllori
- “Shqipëria është sa vend mesdhetar ashtu edhe evropian dhe shqiptarët e meritojnë plotësisht që vendi i tyre të jetë së shpejti vend anëtari BE-së” theksoi gjatë takimit Zv/kryetari i Senatit të Spanjës z. Isidre Molas i Batllori
Kryeministri Berisha priti sot në një takim zv/kryetarin e Senatit të Spanjës zotin Isidre Molas i Batllori. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i shprehu zv/kryeparlamentarit spanjoll z. Isidre Molas i Batllori mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme që Spanja i dha Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare për anëtarësimin e vendit në NATO, në Samitin e prillit 2009-të, në Strasburg-Kehl.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje edhe për mbështetjen e çmuar që Spanja po vazhdon t’i japë Shqipërisë në hapat e mëtejshëm të saj, për integrimin në Bashkimin Evropian, por edhe me ndihma për projekte konkrete në fusha të rëndësishme si në fushën e drejtësisë, në veçanti në reformat e rëndësishme në këtë sektor dhe në reformën elektorale, në bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve, në sektorin e energjetikës, bujqësisë, arsimit, kulturës, etj.
Zv/kryetari i Senatit z. Isidre Molas i Batllori, pasi e falënderoi Kryeministrin për mikpritjen e ngrohtë dhe miqësore, u shpreh se qytetarët spanjollë ndihen krenarë për mbështetjen që po i japin Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë për të ecur përpara në projektin e tyre për integrim në Bashkimin Evropian, të cilin shqiptarët e meritojnë plotësisht. Më tej, Zv/kryetari i Senatit të Spanjës zotin Isidre Molas i Batllori vlerësoi marrëdhëniet politike shume te mira midis dy vendeve, dy parlamenteve, dy qeverive, si dhe falënderoi Kryeministrin Berisha për kontributin e tij në këtë kontekst.
Zv/kryeparlamentari z. Isidre Molas i Batllori u shpreh se Spanja mbështet plotësisht integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Më tej, z. Isidre Molas i Batllori i shprehu Kryeministrit Berisha vendosmërinë dhe gatishmërinë e Spanjës dhe institucioneve të këtij vendi për të thelluar dhe zgjeruar bashkëpunimin me Shqipërinë në të gjitha fushat, si dhe për t’i ofruar Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare mbështetjen dhe çdo ndihmë për të cilën ajo do të kishte nevojë. “Shqipëria është sa vend mesdhetar ashtu edhe evropian dhe shqiptarët e meritojnë plotësisht që vendi i tyre të jetë së shpejti vend anëtari BE-së”. Në këtë kontekst, zv/kryeparlamentari z. Isidre Molas i Batllori shprehu mbështetjen e Spanjës edhe për procesin liberalizimit të vizave, duke e konsideruar ecurinë e Shqipërisë në këtë pikë si shumë të mirë dhe duke shprehur kënaqësinë që kanë mbetur vetëm disa çështje teknike për t’u zgjidhur, në mënyrë që të garantojnë se shqiptarët, ashtu si edhe çdo evropian tjetër, të qarkullojnë lirshëm në hapësirat evropiane.
Në takim u ra dakord për të shfrytëzuar mundësitë e reja për bashkëpunim të ngushtë në të gjitha fushat, në veçanti në fushën ekonomike, nxitjen e investimeve spanjolle, si dhe për të shkëmbyer përvojën që Spanja ka grumbulluar gjatë procesit të integrimit në BE. “Jemi të gatshëm t’ju ofrojmë çdo lloj ndihmë që ju do të keni nevojë”, - theksoi zv/kryeparlamentari z. Isidre Molas i Batllori në fund të bisedës. 20/11/2009