E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha priti Zëvendëskryeministren, njëkohësisht ministre për Tregti dhe Industri të Kosovës, znj. Mimoza Kusari Lila

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Zëvendëskryeministren, njëkohësisht ministre për Tregti dhe Industri të Kosovës, znj. Mimoza Kusari Lila dhe delegacionin që e shoqëronte.

Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha theksoi se çështja për të cilën znj. Kusari Lila ndodhet në Shqipëri është një çështje shumë të rëndësishme që ka të bëjë drejtpërsëdrejti me lirinë e qarkullimi të mallrave, por edhe të qytetarëve të të dy vendeve, të cilën Kryeministri e vlerësoi si rëndësi të dorës së parë për zhvillimin e vrullshëm ekonomik të të dy vendeve, por edhe me rëndësi për bashkëpunimin rajonal.

Zëvendëskryeministrja Kusari – Lila e falënderoi Kryeministri Berisha për pritjen e ngrohtë dhe i përcolli përshëndetjet me të përzemërta të Kryeministrit Thaçi. Ajo e falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen vazhdueshme që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Republikës së Kosovës.

Në takim u vlerësua se hapat e mara në këtë moment nga të dy vendet për krijimin e doganave të përbashkëta dhe heqjen e barrierave burokratike kanë bërë të mundur një rritje të eksporteve nga Shqipëria në Kosovë në masën rreth 50 për qind, por edhe një rritje të ndjeshme të eksporteve të Kosovës drejt Shqipërisë.

Në këtë kontekst u ra dakord për eliminimin sa më parë të të gjithë barrierave doganore e burokratike midis dy vendeve për të bërë të mundur liberalizimin e plotë të tregtisë e shkëmbimeve ekonomike, çka do të sjellë intensifikimin e këtyre shkëmbimeve, rritjen e volumit të tregtisë, zhvillimin e mëtejshëm të ekonomive të të dy vendeve dhe me një impakt të drejtpërdrejtë në interesin më të mirë ekonomik të qytetarëve të të gjithë vendeve të rajonit.

Për këtë qëllim do të adoptohen modelet më të mira të realizuara në mënyrë të suksesshme nga vende të Bashkimit Europian për krijimin e një hapësire të qarkullimit të lirë mallrave e qytetarëve. “Qeveria shqiptare është tërësisht e vendosur që këtë hapësirë të lirisë së qarkullimit të mallrave e qytetareve ta zgjeroje me të gjithë vendet fqinje e mike të rajonit, çka do të sjellë një epokë të re në bashkëpunimin ekonomik e të gjithanshëm të këtyre vendeve, si dhe do të forcojë miqësinë midis popujve të tyre”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Pas suksesit të rrugës së Kombit, në takim u diskutua edhe nevojë që Shqipëria e Kosova të ndërtojnë infrastruktura të rëndësishme si linja hekurudhore apo edhe të tjera, të cilat do të risin edhe më tej nivelin e shkëmbimeve edhe eficencën, si dhe do të sjellin një gjykim të ri në zhvillimin e rajonit.

Gjithashtu, u ra dakord që të dy vendet të gjejnë rrugët më të mira të bashkëpunimit në sektorin diplomatik, në veçanti duke ndarë kostot e misioneve diplomatike të të dy vendeve të akredituara në vende të ndryshme.


22/06/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›