Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Qendrës së Mbyllur të Emigrantëve të Parregullt
- Kryeministri Berisha: Qeveria e ka mbështetur fuqimisht dhe do ta mbështesë policinë në përmbushjen e të gjithë misionit dhe detyrave të saj. Janë oficerët e policisë dhe drejtuesit e saj, të cilët në një kohë relativisht të shkurtër, me ndihmën edhe të miqve si qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të Komisionit Evropian, kanë bërë që kufijtë e Shqipërisë të pajisen me sistemet më moderne dixhitale të kontrollit të tyre. Ata kanë bërë që Shqipëria të përcjellë mesazhet e përgjegjësisë së lartë dhe të sigurisë së lartë tek të gjithë partnerët tanë, vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
- Në përgjigje të interesit të medias, Kryeministri Berisha u shpreh: Rruga e Shqipërisë për në Evropë është absolutisht e pandalshme. Betejat me mullinjtë e erës janë beteja që shqiptarët i lexojnë dhe do t’i lexojnë tek “Don Kishoti” i Servantesit. Asgjë nuk mund të pengojë ecjen drejt atij objektivi madhor që kanë shqiptarët: integrimi në Bashkimin Evropian.
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të Qendrës së Mbyllur të Emigrantëve të Parregullt, në fshatin Kareç, në Maminas. Vlera e ndërtimit të saj arrin në rreth 1.4 milionë euro, me financues kryesor Bashkimin Evropian dhe qeverinë Shqiptare.
Gjatë ceremonisë, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje për Bashkimin Evropian, si financuesi kryesor i kësaj qendre. Gjithashtu, Kryeministri përgëzoi Policinë e Shtetit, e cila me përgjegjësitë dhe me përmbushjen e detyrimeve të saj ka qëndruar në krye të përpjekjeve për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave të Udhërrëfyesit për vizat. “Janë oficerët e policisë dhe drejtuesit e saj, të cilët në një kohë relativisht të shkurtër, me ndihmën edhe të miqve si qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të Komisionit Evropian, kanë bërë që kufijtë e Shqipërisë të pajisen me sistemet më moderne dixhitale të kontrollit të tyre. Ata kanë bërë që Shqipëria të përcjellë mesazhet e përgjegjësisë së lartë dhe të sigurisë së lartë tek të gjithë partnerët tanë, vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Dua të theksoj se ka qenë një faktor ndër më përcaktuesit të vlerësimeve pozitive në Raportin që Komisioni Evropian ka shpërndarë për vendet anëtare”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Më tej, Kryeministri Berisha garantoi të gjithë efektivët e policisë dhe drejtuesit e saj se qeveria shqiptare është e vendosur tu japë mbështetjen maksimale, në mënyrë që ata me profesionalizëm të lartë të përmbushin detyrimet e tyre ligjore, të rrisin gjithnjë e më shumë shkallën e sigurisë në këtë vend, si dhe t’i mbështesë në bashkëpunimin e tyre të shkëlqyer me policitë e vendeve mike dhe partnere për një luftë më efikase kundër krimit e trafiqeve të të gjitha llojeve dhe për kontrollin e kufijve.
Në këtë ceremoni Kryeministri Berisha shoqërohej nga ministri i Brendshëm z. Lulzim Basha, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit z. Hysni Burgaj, etj.
Më poshtë vijon i plotë prononcimi i Kryeministrit Berisha:
“Ne inauguruam sot Qendrën e Mbyllur të Pranimit të Emigrantëve të Parregullt që qëndrojnë në Republikën e Shqipërisë. Kjo qendër përbën një nga nyejt jashtëzakonisht të rëndësishme në të gjitha hallkat e trajtimit të problematikës së sigurisë së kufijve dhe të kontrollit të tyre.
Unë shfrytëzoj rastin të shpreh mirënjohje për Bashkimin Evropian që është financues kryesor i kësaj qendre, së bashku me qeverinë shqiptare. Qendra, sikurse e patë, ka të gjitha mjediset për pritjen dhe trajtimin njerëzor e të sigurt të qytetarëve nga vende të ndryshme që gjenden pa leje dhe pa motiv qëndrimi në Republikën e Shqipërisë. Kjo përbën edhe një nga kërkesat më kryesore të Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Qendra është mbështetur fuqimisht nga institucionet ndërkombëtare. Në këtë qendër janë të punësuar 126 punonjës, që nga inspektorë dhe drejtues policie e deri tek psikologë dhe punonjës të tjerë civilë, të cilët kanë pasur një trajnim të veçantë.
Unë shfrytëzoj rastin të përgëzoj Policinë e Shtetit, e cila, duhet të theksoj, ka qëndruar në krye të përpjekjeve me përgjegjësitë e veta dhe me përmbushjen e detyrimeve të veta për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave të Udhërrëfyesit për vizat. Qeveria e ka mbështetur fuqimisht dhe do ta mbështesë policinë në përmbushjen e të gjithë misionit dhe detyrave të saj. Janë oficerët e policisë dhe drejtuesit e saj, të cilët në një kohë relativisht të shkurtër, me ndihmën edhe të miqve si qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të Komisionit Evropian, kanë bërë që kufijtë e Shqipërisë të pajisen me sistemet më moderne dixhitale të kontrollit të tyre. Ata kanë bërë që Shqipëria të përcjellë mesazhet e përgjegjësisë së lartë dhe të sigurisë së lartë tek të gjithë partnerët tanë, vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Dua të theksoj se ka qenë një faktor ndër më përcaktuesit të vlerësimeve pozitive në Raportin që Komisioni Evropian ka shpërndarë për vendet anëtare.
Duke përgëzuar policinë, efektivët e saj, efektivin e kësaj qendre, policinë e kufirit, por edhe të gjithë efektivët e policisë dhe drejtuesit e saj, shfrytëzoj rastin t’i garantoj se qeveria shqiptare është e vendosur tu japë atyre mbështetjen maksimale, në mënyrë që ata me profesionalizëm të lartë të përmbushin detyrimet e tyre ligjore dhe të rrisin gjithnjë e më shumë shkallën e sigurisë në këtë vend. Qeveria shqiptare është e vendosur tu japë atyre mbështetjen maksimale në bashkëpunimin e tyre të shkëlqyer me policitë e vendeve mike dhe partnere për një luftë më efikase kundër krimit e trafiqeve të të gjitha llojeve dhe për kontrollin e kufijve.
Edhe një herë ju përgëzoj ju zoti ministër i Brendshëm, përgëzoj drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe të gjithë efektivat e policisë për arritjet e theksuara që kanë dhe kanë pasur.
Më pas, Kryeministri Berisha iu përgjigj interesit të medias lidhur me zhvillimet në vend:
Pyetje: Zoti Berisha, pak ditë më parë z. Lohan bëri një deklaratë ku tha se Shqipëria është larg liberalizimit të vizave. A keni ju koment për këtë?
Kryeministri Berisha: Unë, siç e dini, në traditën time nuk komentoj as deklarata të stisura dhe as deklarata reale të askujt. Mua do të më kërkoni të komentoj deklaratat e mia dhe t’jua zbërthej. Nuk kam dëgjuar një deklaratë të tillë, asnjëherë, nga asnjë personalitet i Bashkimit Evropian, i Komisionit Evropian dhe i vendeve anëtare.
Pyetje: Zoti Berisha, protestues të opozitës kanë bllokuar sot autostradën Tiranë – Durrës, si dhe autostrada të tjera në mbarë vendin ...
Kryeministri Berisha: Rruga e Shqipërisë për në Evropë është absolutisht e pandalshme. Betejat me mullinjtë e erës janë beteja që shqiptarët i lexojnë dhe do t’i lexojnë tek “Don Kishoti” i Servantesit. Asgjë nuk mund të pengojë ecjen drejt atij objektivi madhor që kanë shqiptarët: integrimi në Bashkimin Evropian.
11/05/2010