Kryeministri Berisha shtron një drekë për drejtuesit e bashkësive fetare, me rastin e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri
Kryeministri Berisha shtroi sot një drekë, në rezidencën qeveritare Vila 31, për drejtuesit e bashkësive fetare, me rastin e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri. Në të ishin të pranishëm Imzot Rrok Mirdita, President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Dode Gjergji, Ipeshkv i Republikës së Kosovës, Imzot Zef Gashi, Ipeshkv i Tivarit, Haxhi Selim Muça, Kryetar i Komunitetit Mysliman, Baba Edmond Brahimaj, Kryetar i Kryegjyshatës Botërorë të Bektashinjve.
Morën pjesë gjithashtu, Nunci Apostolik i Selisë së Shenjtë, Imzot Ramiro Moliner Ingles, Ambasadori i Komisionit Evropian, zoti Ettore Sequi dhe Ambasadori i Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, zoti Eugen Wollfarth.
Gjatë drekës, nga pjesëmarrësit u dhanë mesazhe të bashkëjetesës e të harmonisë fetare.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin për kontributin e rolin e tyre frymëzues, në konsolidimin e infrastrukturës shpirtërore të kombit shqiptar dhe kultivimit të mesazhit të çmuar të mirëkuptimit e harmonisë.
“Në 100 vjet, - tha Kryeministri - udhëheqësit shpirtërorë të shqiptarëve kanë pasur nga Lidhja e Prizrenit deri në ditën e sotme, një rol themelor në zhvillimet pozitive të këtij kombi, kanë gjetur në të gjitha rastet mirëkuptimin e përbashkët, për të çuar përpara një çështje të drejtë, lirisë kombëtare.”
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, unë dëshiroj t’ju falënderoj me shumë përzemërsi që jeni sot këtu, në këtë drekë, në të cilën unë dua të shpreh nderimin tim më të thellë për ju dhe punën e madhe dhe me përkushtim të veçantë që ju bëni në ndërtimin dhe konsolidimin e infrastrukturës shpirtërore të kombit shqiptar. Roli dhe kontributi juaj është themelor dhe është frymëzues. 20 vjet më parë, për rrethana të caktuara, Shqipëria ishte vendi i lindjes apo më e drejtë është të themi rilindjeve, rilindjes së besimeve, rilindjes së pluralizmit politik, atij pronësor etj., por ajo rilindje që ka ecur e është zhvilluar në mënyrën më njerëzore e të civilizuar jeni ju, besimet fetare, të cilat jeni bërë një shembull frymëzues për shoqërinë shqiptare, por dua të theksoj se jo vetëm për shoqërinë shqiptare. Në rast se ka një mesazh të madh, të çmuar, që ne mund ta përcillnim në rajon, Europë e në botë është mesazhi që ju e rikultivuat - pasi ka ekzistuar - me kaq njerëzit, kaq përkushtim e dashuri për njerëzit e vendin, me kaq besim tek Zoti.
Ne sot jemi mbledhur këtu, në prag të dy festave të mëdha e të bukura. Për njeriun nuk ka festë më të madhe, sesa ajo e lindjes dhe ne nderojmë lindjen e Krishtit, i cili është hy i besimit të krishterë, por është edhe profeti që kontribuoi për të gjithë, në normat morale të njerëzimit. Sa herë që të lexohet predikimi i Malit, me dhjetëra e qindra herë, aty sheh bazat e moralit të qytetërimit të sotëm, për njerëzit e të gjitha besimeve. Ndaj nuk është e rastit që Jezusi është Profet në të gjithë librat e shenjtë, është Isa në Kuran dhe në betejën përfundimtare fiton mbi djallin, pra, është shpëtimi.
Kjo është një ditë, në të cilën ne nderojmë me respektin më të madh njëri-tjetrin, nderojmë besimin e njëri-tjetrit, nderojmë traditën tonë të shkëlqyer, nderojmë Krishtlindjen, si ditën e madhe të shpresës, të besimit e të së ardhmes. Nderojmë gjithashtu Vitin e Ri, duke u lutur së bashku që Krishtlindjet që vijnë dhe Viti i Ri tjetër, në kuadrin e 100 vjetorit të themelimit të pavarësisë së Shqipërisë, t’i bëjmë edhe më mirë, edhe më të mëkëmbur, edhe më të lirë, edhe më të fortë në besimet tona. Në 100 vjet, udhëheqësit shpirtërorë të shqiptarëve kanë pasur nga Lidhja e Prizrenit deri në ditën e sotme, një rol themelor në zhvillimet pozitive të këtij kombi, kanë gjetur në të gjitha rastet mirëkuptimin e përbashkët, për të çuar përpara një çështje të drejtë, lirisë kombëtare. Ndaj edhe unë, duke ju falenderuar edhe një herë, dëshiroj ta ngre këtë dolli për shëndetin tuaj, për të gjithë besimtarët e krishterë në Shqipëri, në prag të kësaj feste të madhe, por edhe për të gjithë besimtarët e Zotit në Shqipëri e kudo ku janë. Gëzuar!”
22/12/2011