E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Ministrave miraton projektligjin lidhur me financimin e bypass-ve të rrugës së Fierit dhe të Vlorës

Kryeministri veçoi në rendin  e ditës së mbledhjes së sotme të qeverisë, vendimin për “Ratifikimin e marrëveshjes së huasë mes Republikës se Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për financimin e by pass-ve te rrugës se Fierit dhe të Vlorës”. Duke  e vlerësuar këtë, si një zhvillim  madhor, kryeministri i cilësoi bypass-et shumë të rëndësishme për këto dy qytete dhe zonat përreth.

Duke u ndalur gjerësisht në bypass-in e Vlorës, Kryeministri u shpreh se ai është një premtim i kësaj qeverie dhe po shkon drejt konkretizimit të tij. “I hartuar nga studiot më të mira, me garantimin e tij, infrastruktura rrugore e bregdetit jonian bëhet më e përshtatshme.” tha kryeministri.

Duke folur me gjerësisht për këtë vendim, kryeministri u shpreh:

"Sot kemi disa çështje te rëndësishme ne rendin  e ditës, ndër të cilat është vendimi për “Ratifikimin e marrëveshjes së huasë mes Republikës se Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për financimin e by pass-ve te rrugës se Fierit dhe të Vlorës” dhe ky është një zhvillim madhor.

Është e njohur historia e by-pass të Fierit, një investim prej rreth 50 milion euro,  i cili për shkak se trajektorja e tij e parë, kalonte afër Apolonisë dhe u konstatua në studime zanore se aty kishte rrënoja arkeologjike dhe qyteti nga kodra ishte i shtrirë dhe drejt fushës, atëherë ne u detyruam ta bllokojmë projektin, të bëjmë projekt të dytë për të, i cili mori kohën e tij jo të paket. Pasi u bë projekti iu paraqit kreditorëve, të cilët  e miratuan me dashamirësi dhe unë u jam shumë mirënjohës dhe pranuan ta shqyrtojnë  dhe njëherë projektin, çka nuk është shumë e zakonshme ne praktikat e tyre dhe ta financojnë dhe ky ishte një veprim shume i rëndësishëm  për ne. Me këtë vendim ne ratifikojmë marrëveshjen dhe e çojmë në Parlament, hapet drita jeshile më pas për tenderimin e fillimit të këtij by pass-i.

Por i një rëndësie shumë të madhe gjykoj se është dhe by pass i Vlorës, i cili është një premtim i kësaj qeverie dhe po shkon drejt konkretizimit të tij.

Edhe ky është një by pass jo pak i kushtueshëm, i cili shkon rreth 40 milion euro sepse e anashkalon tërësisht Vlorën, Rradhimën dhe zonën e urbanizuar të bregdetit të saj për tu bashkuar me rrugën e Llogorasë, jashtë zonave të banuara, pra mbi Dukat.

Këtë bypass e kemi integruar dhe në fonde të tjera kështu që financimi për bypass-in e Vlorës është siguruar 100 %. Me garantimin e këtij bypass-i infrastruktura rrugore e bregdetit Jonian bëhet më e përshtatshme, ndaj dhe do të kalojë në Parlament. Projekti për këtë bypass është gati dhe është bërë nga studio shumë të mira dhe del edhe një rrugë tjetër, e cila shpëton ngushticën e madhe që krijohet në zonën Vlorë –Rradhimë, ngushtice  e cila pa këtë bypass do të bëhej shumë problematike, sepse e vërteta është që turizmi në Vlorë po shkon drejt Rradhimës, Orikumit, Karaburunit dhe mund të them se ajo zonë, përtej Ujit të Ftohtë e deri në Orikum është e ndërtuar më mirë në rrafshin  e kondicioneve urbanistike dhe me përjashtim të ndonjë defekti, në tërësi meritojnë lavdërime. Natyrisht bypass-i nuk zgjidh përfundimisht trafikun në bashkinë e Vlorës, sepse bashkia është fuqizuar dhe dy projektet i ka shumë të domosdoshme. Vlora, ka projektin e shëtitores dhe projektin e Unazës. Vlora  e ka jetike Unazën. Ndërtuam rrugën Trans-Ballkanike, rrugë e përmasave, më të gjera në vend dhe që ka zgjidhur shumë punë për sa i përket trafikut, por nga ana tjetër përtej Guz Baba-së me sa di unë ka një projekt dhe duhet të ulemi me bashkinë  e Vlorës që ta shqyrtojmë se çfarë duhet të bëjmë. Qyteteve duhet tu ndërtojmë unazat. Për sa i përket tunelit ishte shumë  e domosdoshme, pavarësisht se ka dhe një rrugë tjetër, por ajo rrugë, e cila kalon sipër është një rrugë problematike dhe bëmë shumë mirë me tunelin, por tani duhet të shqyrtojmë Unazën, e cila në krahun tjetër çliron në mënyrë përfundimtare trafikun e atij qyteti, i cili gjatë verës ka rritje  të fluksit turistik nga mbarë bota.


21/12/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›