Ministri Pollo: “Për pak ditë do të çelet gara për licencën e tretë 3G”
Organizohet tryeza e dytë e rrumbullakët me temë: “Inovacioni përmes TIK - një mundësi për rritje të biznesit”
Në kuadër të forumit Qeveri-Biznes-Universitete, u mbajt sot në hotel Tirana, tryeza e dytë me temë: “Inovacioni përmes TIK, një mundësi për rritje të biznesit”, organizuar nga Global Opportunities Albania, Fondacioni Hans Seidel, me mbështetjen e ministrisë për Inovacionin dhe TIK (eventi i parë u mbajt në 8 qershor 2011).
Gjatë fjalës së hapjes, Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit Z. Genc Pollo tha: “Në përputhje me atmosferën festive, veçanërisht në Tiranë, japim lajmin e mirë se së shpejti ne do të fillojmë procesin për licencën e tretë për 3G, për operatorët mobilë, çka do të rrisë më shumë përdorimin me cilësi të internetit të shpejtë, duke ulur më tej çmimet në tregun përkatës dhe duke bërë që interneti të jetë i mundshëm, jo vetëm në çdo skaj të Shqipërisë, por të jetë i përballueshëm për çdo përdorues, pra: internet të mirë dhe me çmim të lirë. Besoj se licenca e tretë, që do të jepet në muajt janar ose shkurt, pas procesit të tenderimit që fillon këto ditë, do të kontribuojë më shumë në këtë drejtim.”
Fillimi i procedurës për dhënien e licencës së tretë të 3G-së vjen pas dhënies së licencës se parë 3G në dhjetor 2010 operatorit celular Vodafone, kundrejt çmimit 31,4 milionë Euro dhe licencës së dytë 3G në tetor 2011 operatorit celular AMC kundrejt çmimit 15,1 milionë Euro.
Sa i përket mbledhjes së sotme ministri tha: “Forumi i sotëm, i shërben thellimit të bashkëpunimit midis të gjithë aktorëve të fushës së teknologjisë së informacionit. Prioriteti që Qeveria i ka vendosur vetes për Shqipërinë Digjitale, është i qartë, dhe masat që ka ndërmarrë nga ana rregullatore dhe administrative, mbështetur në financime, nuk kanë qenë të pakta. Në këtë kuadër, ajo që do të plotësonte kornizën, është bashkëpunimi i mirë me komunitetin e biznesit. Ndërsa krahu tjetër i trekëndëshit do të ishte arsimi i lartë, fakuletet e informatikës, të inxhinierisë elektronike, të cilët kanë një dimension shumë të rëndësishëm dhe pa të cilët sektori i teknologjisë së informacionit, për vetë natyrën që ka, nuk do të mund të zhvillohej në nivelin e duhur.”
Tryeza “Inovacioni përmes TIK, një mundësi për rritje të biznesit” pati një pjesëmarrje të gjerë të grupeve të interesit me përfaqësues nga administrata shtetërore, përfaqësues të biznesit, si dhe përfaqësues akademikë dhe universiteteve nga kjo fushë.
Temat e diskutuara gjatë tryezës ishin ndër të tjera : Qendra e trajnimeve PROTIK; Rritja e investimeve dhe eksporti ne TIK; Rendesia e bashkepunimit te biznesit me arsimin; Aspekte te bashkepunimit universitet - kompani per kerkimin shkencor; Sherbimet per SME-te shqiptare dhe fondi i inovacionit, etj.
Qëllimi i këtij takimi është vendosja përballë njëri-tjetrit i të gjithë aktorëve të sektorit të TIK si, akademia, biznesi, si dhe mbështetja që ofron shteti në këtë rast, në një sektor që rezulton të jetë me një potencial të madh zhvillimi. Duke promovuar këtë lloj diskutimi, pritshmëritë janë të larta për një bashkëpunim më të frytshëm midis nevojave të biznesit, përgatitjes që ofron akademia dhe mbështetjes të këtyre iniciativave nga shteti, duke dhënë një shembull të mirë bashkëpunimi të sektorit publik dhe atij privat.
21/12/2011