Kryeministri Berisha shtron një drekë për nder të Zv/Presidentit të KE-së, zotit Franko Fratini
Kryeministri Berisha në përfundim të takimit zyrtar me Zv/Presidentin e Këshillit të Evropës z. Franko Fratini, e priti atë në një drekë në vilën qeveritare nr.30.
Gjatë drekës, e cila u zhvillua në një atmosferë mjaft të ngrohtë dhe miqësore, Kryeministri Berisha dhe Zv/Presidenti Fratini diskutuan gjerësisht mbi hapjen e dialogut për liberalizimin e vizave ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian dhe mbi standardet, për plotësimin e të cilave qeveria shqiptare po punon me vendosmëri të plotë.
Kryeministri Berisha i rikonfirmoi zotit Fratini se qeveria shqiptare do të ndërmarrë çdo hap, do të zhvillojë çdo proces dhe do të ndërmarrë çdo nismë për të përmbushur kriteret e duhura dhe njëkohësisht për të realizuar në një afat sa më të shkurtër ëndrrën e shqiptarëve për të lëvizur të lirë brenda hapësirës së madhe të Bashkimit Evropian.
Dy personalitetet diskutuan gjerësisht dhe mbi ecurinë e reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare në fushën ekonomike dhe atë politike. Gjithashtu u diskutua për nismën mjaft të lavdërueshme të qeverisë për pasaportat biometrike, regjistrin elektronik, në kërkesat e sigurisë së lartë për lartat e identitetit, luftën kundër krimit të organizuar, kontrollin e kufijve si dhe luftën kundër emigracionit ilegal.
Zv/Presidenti Fratini i rishprehu Kryeministrit Berisha se Shqipëria ka pasur suksese të dukshme në disa prej këtyre fushave dhe se ishin pikërisht këto suksese që bënë që menjëherë pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Lehtësimin e vizave të kalohet në hapin e dytë, atë të liberalizimit të vizave.
Kryeministri Berisha e falënderoi Zv/Presidenti Fratini për mbështetjen që Bashkimi Europian, vendet e BE-së, si dhe Sllovenia si Presidente e radhës së BE-së kanë dhënë në përparimin e reformave, forcimin e institucioneve dhe në konsolidimin e shtetit ligjor shqiptar.
Kryeministri shprehu dhe mirënjohjen e popullit shqiptar për mesazhin e besimit që Zv/Presidenti Fratini solli sot duke hapur sëbashku me Tiranën zyrtare dialogun për liberalizimin e vizave të Shqipërisë dhe BE-së.