E Diel, 1 Nëntor 2026

Zëvendëspresidenti i BE-së: Përparimi juaj me reformat ka sjellë hapjen e dialogut për liberalizimin e vizave

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me Zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, njëkohësisht edhe Komisioner i ngarkuar me Lirinë Sigurinë dhe Drejtësinë nga Bashkimi Evropian, zotin Franco Frattini, në kuadër të hapjes së Dialogut për Liberalizimin e Vizave.

Në këtë takim, i cili pasonte takimin kokë më kokë mes tyre, merrte pjesë edhe Ministri i Brendshëm i Sllovenisë, vendi që ka Presidencën e BE-së, zoti Dragutin Mate, Ambasadori I BE-se në Shqipëri, zoti Helmuth Lohan, Ministra të Kabinetit qeveritar, si dhe Ambasadorë të vendeve të BE-së në Shqipëri.

Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Frattini për ndihmën dhe mbështetjen e çmuar të BE-së dhe të vendeve të Bashkimit Evropian, për ndërmarrjen e këtij hapi historik për Shqipërinë dhe shqiptarët, hap i cili plotëson një nga liritë më themelore dhe të rëndësishme për njerëzit siç është lëvizja e lirë e shtetasve.

Hapja e këtij dialogu merr një rëndësi edhe më të madhe për shqiptarët, u shpreh Kryeministri Berisha, duke qenë se ata vijnë nga një izolim nga më të hekurtit në botë, si dhe për faktin tjetër se janë një popull me emigracion të madh në numër dhe pas këtij procesi do të mund të lidhen me më shumë dinjitet me njerëzit e tyre të dashur.

Kryeministri Berisha falënderoi gjithashtu përzemërsisht edhe Slloveninë që ka Presidencën e radhës së BE-së, për mbështetjen e këtij procesi, si dhe vlerësoi përkrahjen dhe vizionin që Sllovenia ka për zhvillimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, zoti Frattini u shpreh se ai vinte në Tiranë për t’i dhënë personalisht një mesazh të fortë politik pozitiv besimi Shqipërisë dhe shqiptarëve nga BE-ja, të cilët janë në rrugë të drejtë në zbatimin e reformave ekonomike e sociale dhe në përmbushjen e standardeve të kërkuara nga BE, për liberalizimin e vizave me BE-në.

Hapja e dialogut për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian, theksoi zoti Frattini, vendos kushtet dhe standardet kryesore që duhet të plotësohen nga vendet e Ballkanit Perëndimor për liberalizimin e vizave.

Këto elementë bazë, u ndal më tej zoti Frattini, janë siguria e dokumentacionit, lufta kundër emigracionit ilegal, lufta kundër krimit të organizuar si dhe kriteret në lidhje me marrëdhëniet me jashtë.

Më tej, zoti Frattini u shpreh se BE i vlerëson nismat e qeverisë shqiptare  për pasaportat biometrike dhe futjen e tyre në dokumentet e udhëtimit në një të ardhme të afërt, si dhe vlerësoi pozitivisht rëndësinë që kjo qeveri po tregon për standardet e sigurisë së kartave të identitetit dhe regjistrin elektronik të shtetasve.

Zoti Frattini theksoi se sa më shpejt të zbatohen reformat e të përparojë progresi, aq më shpejt do të shkohet drejt liberalizimit të vizave. Ky vlerësim i reformave, u shpreh ai, do të jetë një vlerësim vend për vend, pra jo rajonal.

Lidhur me këtë, zoti Frattini shtoi se Shqipërisë nuk do t’i mungojë mbështetja e BE-së dhe ndihma financiare për të realizuar me sukses këtë proces jetik, jo më shumë për Brukselin se sa për popullin shqiptar, i cili do të ndihet më i sigurt dhe më i lirë të lëvizë në një hapësirë kaq të gjerë.  “Kur ka një vullnet të fortë politik mes palëve, çdo rezultat mund të arrihet në një kohë të shkurtër”, përfundoi zoti Frattini.

Kryeministri Berisha i siguroi të pranishmit për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të luftuar krimin e organizuar, për të pasur politika të fqinjësisë së mirë, për të luftuar me forcë emigracionin ilegal si dhe për të forcuar rolin e shtetit dhe të ligjit në vend.

Gjatë takimit, përshëndeti edhe Ministri i Brendshëm i Sllovenisë, Zoti Mate i cili shprehu vlerësimet e tij më pozitive për arritjet e qeverisë shqiptare në implementimin e reformave, gjë që solli dhe hapjen e dialogut, si dhe u shpreh se ky dialog është i një rëndësie të madhe jo vetëm për politikën por mbi të gjitha për popullin shqiptar, i cili do të realizoje ëndrrën tij për të lëvizur lirisht.

Zoti Mate siguroi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e Sllovenisë në procesin e realizimit të këtij projekti si dhe u shpreh me optimizëm për përfundimin e tij në një kohë të shkurtër.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›