E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takim me Drejtoreshen e Zyres se KFW dhe ambasadoren gjermane

Bashkëpunimi i qeverisë shqiptare me Bankën Gjermane për Zhvillim, KFW, pritet të orientohet drejt financimit të sektorit privat në fushën e energjisë, të bujqësisë, duke prezantuar skema të reja mikrokredie e mënyra të tjera financimi. Një fakt i tillë u evidentua gjatë takimit që zhvilloi kryeministri Berisha me Drejtoreshën e Zyrës së KFW në Shqipëri, zonjën Ute Rodrian, me rastin e mbarimit të mandatit të saj në krye të kësaj Zyre. Zonja Rodrian shoqërohej nga një delegacion i përfaqësuesve të lartë të KFW, ku ishte i pranishëm edhe Drejtori i ri i Zyrës, si dhe ambasadorja gjermane në Shqipëri Carola Müller-Holtkemper.
Kryeministri Berisha falenderoi zonjën Rodrian për punën e shkëlqyer në krye Zyrës së KFW në Shqipëri, për realizimin e një sërë projektesh shumë të rëndësishme për vendin. Ju largoheni, - u shpreh Kryeministri - duke lënë mbrapa një vend shumë mik dhe shumë suksese.
Gjithashtu, shefi i qeverisë falenderoi ambasadoren Holtkemper dhe Drejtoreshën e KFW Rodrian për ndihmën e paçmuar që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë në sektorë të rëndësishëm si ai i energjisë dhe ujit. Kryeministri tha se projektet e realizuara me sukses janë fryt i një pune të përbashkët të KFW me strukturat shqiptare dhe shprehje e një partneriteti të shkëlqyer midis dy vendeve. Në këtë takim, kreu i ekzekutivit i uroi pasardhësit të zonjës Rodrian të njëjtin sukses në detyrën që po merr dhe i garantoi bashkëpunimin dhe mbështetjen e pakufi të qeverisë shqiptare për projektet në Shqipëri dhe ato rajonalë.
Nga ana e saj, ambasadorja Holtkemper falenderoi kryeministrin Berisha për gatishmërinë dhe bashkëpunimin e frytshëm të qeverisë së tij me atë të qeverisë gjermane dhe strukturat e KFW. Ajo i shprehu gatishmërinë e qeverisë gjermane për të thelluar më tej bashkëpunimin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›