Kryeministri Berisha takim me banoret e Ures Vajgurore
Problematikat e banorëve të Urës Vajgurore ishin në qendër të një bashkëbisedimi që Kryeministri Berisha zhvilloi me to pasditen e sotme.
Pas programit kombëtar të rrugëve radha do të jetë për një program për ujitjen, tha Kryeministri Sali Berisha ndaj ftoi ata të votojnë Partinë Demokratike për të mundësuar realizimin e projekteve të nisura.
Qeveria është e vendosur të çojë deri në fund programin e ndërtimit të rrugëve, pasi ndërtimi i tyre është themeli i mirëqenies për te gjithë.
Qytetarët i shprehën kreu të qeverisë shqetësimin për ujin i pijshëm dhe legalizimin e 14 shtëpive në këtë zonë.
“Duhen disa veprime burokratike se trualli është në pronësinë e Ministrisë së Mbrojtjes, do transferohet nga njëra Ministri në tjetrën, kam ngarkuar një këshilltar timin për ta ndjekur. Kjo çështje do ndiqet dhe do zgjidhet, ku ka pasur raste analoge i kemi zgjedhur. Në çdo rast që është e mundur ne do veprojmë. Problemi me ujin është një çështje shumë e rëndësishme. Do ta shqyrtojmë menjëherë. Unë do të çoj specialistët ta zgjidhin, ju do merrni ujë të pastër” deklaroi ai.
Por dhe ndotja e ambientit i shqetëson banorët dhe për këtë Kryeministri garantoi ndryshimin e situatës.
“Beratit dhe kësaj zone i takoi të përballojë kërkesë shumë të madhe, të Fierit dhe Lushnjës në gurë, sepse gurë të disa zonave të tjera nuk dolën të përshtatshëm për rrugët. Por kjo nuk do të thotë se këtu duhet të ndotet mjedisi, ndaj do të ketë trajtim të veçantë duke imponuar dhe zbatuar një politikë rehabilitimi të zonave të shkëmbëzuara nga marrja e gurëve. Sa i përket furrave të gëlqeres, Drejtoria e Mjedisit duhet të diktojë me urgjencë rregulla më të rrepta të funksionimit të tyre. Të njëjtën gjë bëmë dhe në Fushë Krujë. Gëlqerja duhet, por duhet të piqet mbi bazën e rregullave të duhura”, vlerësoi Berisha, gjatë fjalës së tij.
Kryeministri ka shfrytëzuar rastin edhe për të folur për origjinën e kundërshtarit të tij politik.