E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me banorë të Delvinës

Kryeministri Berisha zhvilloi të shtunën pasdite një takim me banorët e Delvinës, në kinoteatrin e qytetit, me tematikë “Shqipëria në NATO”. Në fillim të takimit, për publikun u shfaq një dokumentar me  momentet më të rëndësishme historike , nëpër të cilat ka kaluar vendi, nga viti 90, deri në ditën e marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO. Së bashku me Kryeministrin merrnin pjesë në takim ministra të kabinetit qeveritar, autoritete  të pushtetit vendor të zonës, si dhe drejtues lokal të Partisë Demokratike.

Në fjalën e tij, drejtuar banorëve, kryeministri u shpreh:

“Vëllezër dhe motra!

Nis sot këtu, në Delvinë, një seri të gjatë takimesh, në të cilën kam ndërmend si Kryeministër i vendit tu raportoj qytetarëve të Delvinës dhe mbarë Shqipërisë mbi të gjitha përpjekjet dhe projektet e qeverisë shqiptare, të bisedoj me ta, për të gjitha problemet që ata i shqetësojnë. Së bashku, të hartojmë projekte e reja të një Shqipërie që ecën e sigurtë në procesin e integrimit, në procesin e prosperitetit në konsolidimin e lirive të qytetarëve të saj.

Besoj se jemi dakord së bashku se ky vit për shqiptarët, në Delvinë dhe kudo që ndodhen ka qenë viti i mbarësive më të mëdha në historinë tonë kombëtare, që nga pavarësia. Ka qenë vit i zhvillimit më të rëndësishëm në historinë e lirisë sonë, ndofta që nga kohërat e Skënderbeut, deri më sot. Shqiptarët janë në këtë pranverë, më të lirë se kurrë, në të tëra kohërat. Të lirë në Shqipëri, të lirë në Kosovë dhe kjo përbën një arritje historike të jashtëzakonshme. Një komb, është një, ka një shpirt, ka një kulturë, ka një identitet. Kurrë një pjesë e tij, nuk mund të jetë e lirë në rast se pjesa tjetër është e pushtuar, kurrë një pjesë e tij nuk mund të ketë dinjitetin që i takon në rast se pjesa tjetër është e shtypur, siç kemi qenë ne. Ne pra, vijmë në këtë pranverë, si një komb i lirë, një komb me kokën lart, një komb me besim të madh në të ardhmen tonë. Por ne vijmë gjithashtu, në këtë pranverë, pasi kemi marrë ftesën, për anëtarësim në NATO, ngjarja më madhore në historinë e lirisë dhe sigurisë së shqiptarëve. NATO-ja është aleanca më e madhe e lirisë që koha ka njohur në historinë e njerëzimit. Por NATO-ja për kombe si i yni, që vuajti më shumë se tërë të tjerët, paudhësitë e historisë, trysnitë e saj, pasiguritë e saj, është pa asnjë mëdyshje, parajsa e sigurisë së vërtetë të shqiptarëve.

Ne vijmë në këtë pranverë si një komb që më së shumti ia doli të mbijetojë dhe kjo është një meritë e jashtëzakonshme e jona. Ju sot shihni vende të tjera pakrahasimisht më të zhvilluara se ne, dhe për këtë ka një dhe vetëm një arsye madhore, ato kombe kanë qenë pakrahasimisht më të lirë se ne. Sot, ne jemi të lirë dhe liria jonë ka garancitë më të mëdha se kurrë ndonjëherë. Do të mbeten përjetësisht në mendjen time fjalët e Presidentit të SHBA-ve, Xhorxh W Bush në sheshin Shën Mark të Zagrebit. Duke iu drejtuar shqiptarëve dhe kroatëve ai u shpreh se  thotë se tani e tutje kushdo që mendon të kërcënojë liritë tuaja do të përballet me SHBA-të dhe aleatët e Atlantikut të Veriut. Por NATO-ja është organizata e kombeve të lira, e njerëzve të lirë, është garancia më e madhe, e vlerave të demokracisë , e vlerave të lirisë, ndaj dhe ky flamur sot, qëndron më lart se kurrë në historinë qindra e qindra vjeçare.

Natyrshëm lind pyetja se si u bë e mundur e gjithë kjo. Si ne ia dolëm të marrim ftesën për anëtarësim në NATO, si ne ia dolëm, që nga një vend, i cili dy vite më parë, realisht çdo ditë, çdo javë, çdo muaj dëgjonim vetëm kritika e qortime ndaj nesh dhe po këta përfaqësues të vendeve të mëdha, sot shprehen se Shqipëria në progresin e saj është shembull frymëzimi për vendet e rajonit, po këta shtete mbështeten fuqimisht ftesën për anëtarësimin  NATO të Shqipërisë. Arsyet janë të qarta. Nuk mund të ecte drejt NATO-s Shqipëria e dominuar nga bandat e krimit. Nuk mund të shkonte drejt NATO-s, Shqipëria  të cilën në veriun e Tiranës e qeveriste Nehat Kulla, Në Myzeqe e qeverisë Aldo Bare, në Durrës e qeveriste Lul Berisha dhe banda të tjera, me rradhë. Të tjetër kishin të drejtë kur drejt nesh lëshonin qortime dhe kritike. Ndaj dhe qeveria ime për të bërë realitet ëndrrën tuaj, ëndrrën e shqiptareve, për ta bërë vendin serioz dhe të besueshëm, për ti thëne botës dhe të tjerëve se ne jemi një shoqëri me një kod moral shumë të qartë, se nuk jemi as shoqëri bandash dhe as banditësh, se nuk është ai morali, e kundërta është e vërtetë, që ne kemi virtyte të arrira, por krimi është një fatkeqësi e përkohshme të cilin do të vendosim me shpejtësi përpara ligjit. Dhe do ta vendosim me zero tolerancë.

Ju jeni dëshmitarë se ku janë sot banditët dhe bosët e tyre, mbi 900 prej tyre janë përballur me drejtësinë, mbi 200 prej tyre janë ekstraduar nga vendet e Evropës, mbi 206 organizata kriminale u shkatërruan. Shqipëria është sot vendi me indekset e kriminalitetit ndër më të ultat në Evropë. Shqiptarët nuk janë një shoqëri që pajtohet me krimin e organizuar. Kam lexuar këto ditë, bnjë libër, ku na përshkruanin sic ishim, në atë kohë, por një gjë theksonte se gruaja shqiptare , si asnjëra prej shoqeve të tjera të rajonit apo kontinentit , ecën e sigurtë dhe e patrazuar në rrugët e fshatrave dhe vendbanimeve të saj.

Ne jemi një popull që e duam rregullin dhe rendin dhe i dhamë përgjigjen më të merituar krimit. Dua tu them këtu se në udhëtimet e mija në fillim, më shtronin pyetjen është e rikthyeshme apo e parikthyeshme kjo goditje që po i bënim krimit. Unë i garantoja bashkëbiseduesit e mi se kjo goditje është e parikthyeshme. Krimi në Shqipëri nuk ka të ardhme dhe kjo mori për mirë në të gjithë botën. Ne ishim një vend me korrupsion të shndërruar në sistem, ku paratë e taksapaguesve përfundonin në miliardat e kontove të të korruptuarve, ku ministrat ndërtonin monopolet e tyre. Kam qenë edhe njëherë në këtë sallë në takimin me fermerët e Vurgut. Atëherë më thanë se po u kalbej misri, pasi se u futën OMGJ-të dhe se ndiheshin të falimentuar. I takova përsëri sivjet dhe më thanë se ishin mirë, se kishin shpëtuar nga falimentimi, pasi ministrat nuk kanë më monopole.

Është e vërtetë se ka ende korrupsion edhe sot. Unë nuk ngurroj tua them, duke e parë të vërtetën në sy. Por është shumë e vërtetë se nuk ka më ministra me monopole Sërish ka korrupsion, por mund tu them me bindje, se administrata që drejton ky kryeministër, duke filluar nga zyra e tij, deri tek zyra më  fundit, ka shpenzime administrative, në një vit, 110 milion euro më pak. Sepse ne kemi vendosur kritere që të mos lejojmë që paratë tuaja të përdoren për qëllime personale apo private, për ahengje të pamotivuara. Sot sërish ka faqezinj që kërkojnë dhe marrin ryshfetin, por dua tu them një gjë. Kur u bëra kryeministër merrja me dhjetëra letra, ku sipërmarrës të ndryshëm më ankoheshin se njerëz të caktuar,  drejtorë apo pronarë entesh të kontratueshëm, nuk u jepnin dokumentet, sepse ua jepnin atyre që donin ata. Dhe ne vendosëm gjithçka në internet, ti tërheqë cilido, pa pagesë. Ai që dëshiron të marrë pjesë në garë dhe ai që nuk dëshiron të marrë pjesë në garë. Procesi i prokurimit po shkon tashmë drejt elektronizimit të plotë. Ju besoj se jeni dakord me mua se çmimet janë rritur shumë . Nafta është dyfishuar, materialet e tjera po kështu, por çmimi i përgjithshëm i prokurimeve në Shqipëri ka rënë në 20 %. Këto janë reformat. Ne ndërmorën një luftë të madhe kundër kontrabandës, kundër informalitetit, kundër evazionit. Që të gjitha këto e kanë bazën në korrupsion. Nuk ka asgjë të padukshme në biznese, nuk ka asgjë të padukshme në kalimin e kufirit, por të gjitha i bën të padukshme korrupsioni.

Sot, të dashur  qytetarë të Delvinës ne mbledhim 1.2 miliardë dollarë më shumë nga të ardhurat, tatimet dhe kjo, duke ulur taksat më shumë se çdo vend tjetër në Evropë. Këto para vijnë duke luftuar  kontrabandën, korrupsionin, informalitetin, evazionin.

Unë sot dhe dje kam qenë në Sarandë. Vetëm në qytetin e Sarandës dhe në Delvinë janë në punim e sipër dhe të kontraktuara 150 km rrugë kombëtare. Unë ju siguroj se brenda vjeshtës do të presim së bashku shiritin e segmentit tjetër nga Delvina në drejtim të Kardhiqit.  Ju siguroj se po bëhet projekti i rikonstruksionit të plotë të rrugës Delvinë-Qaf Muzinë. Ju siguroj se po përfundon projekti i rrugës së Finiqit. Se do të rikonstruktojmë dhe do të hapim shkollat bujqësore. Vetëm këtë vit ne kemi investuar në rrugët e Shqipërisë, 89 miliard lekë, 1.1 miliard dollarë. Këto para ne i nxorëm duke luftuar informalitetin , korrupsionin , kontrabandën , informalitetin. Unë ndalem tu them këtu, se nuk duhet kurrë që gjepurat tu pengojmë ju, nuk duhet që askush të errësojë pamjen tonë dhe të na zhysë në pesimizëm. Unë ju jap fjalën e nderit se këto që ne arritëm me luftën kundër korrupsionit janë vetëm fillimet e mëdha, të një Shqipërie tërësisht transparente, të  një Shqipërie jashtë çdo lloj korrupsioni, të një Shqipëri tërësisht të bazuar në ligj. Efekti i saj është trefishimi i besimit monetar të botës ndaj nesh. Në se përpara lejohej vetëm 180 milion dollarë, tani ne na janë lejuar 700 milion dollarë, sepse e kanë parë dhe e kanë faktuar që i përdorim këto para në interesin tuaj.

Ne gjetëm në vitin 2005 një korrupsion të papërmbajtur. NATO-ja ishte shumë larg nesh. Me luftën që i bëmë korrupsionit, ne ia dolëm të vendosim ato standarde të cilat na bënë të besueshëm para të tjerëve. Reformat tona rezonuan. Ne kemi ndërmarrë një reformë të thellë ekonomike dhe më lejoni tu informoj se vetëm gjatë këtij viti firmosëm kontrata për HEC-e që kapin vlerën mbi 2 miliard euro. Fakti që po investohen miliarda euro në këtë vend është se të tjerët e shohin Shqipërinë si një vend që do të zhvillohet me shpejtësi. Kjo është vetëm përsa i përket HEC-ve, po një interes po kaq i madh është për të gjitha aspektet e tjera.

Ne ndoqëm një politike të jashtme rajonale paqeje dhe sigurie. Pavarësia e Kosovës është një nga aktet politike më madhore të Evropës. Ju jeni dëshmitarë se ne kurrë ndonjëherë nuk u lëkundëm në mbështetjen e saj , por ia dolëm të bashkërendojmë çdo akt dhe çdo përpjekje me kancelaritë më të fuqishme të botës, me presidentin e SHBA-ve, me qeverinë franceze, me qeverinë gjermane, me qeverinë britanike  dhe kjo u realizua.

Qytetarë dhe qytetare të Delvinës,

Ne kemi ndërmarrë reforma të jashtëzakonshme në ekonomi. Unë sapo jam kthyer nga Estonia dhe atje konstatova dy gjera jashtëzakonisht mbresëlënëse.  Së pari, klima e biznesit. Kishin krijuar një klimë nga më të favorshme në botë për zhvillimin e biznesit. Unë diskutova për këtë, me homologun tim, dhe ju garantoj ju, se Shqipëria ka ndërmarrë masa të shkëlqyera në këtë drejtim. Do të jetë shumë e shpejtë dita kur Shqipëria, si është ngjitur në çatinë e botës për lirinë fiskale, do të  ngjitet në çatinë e botës për klimën e favorshme të biznesit.

Ne jemi marrë dhe do të merremi më shumë me shoqërinë e informacionit. Kemi vendosur internetin në çdo shkollë, pavarësisht  se çfarë mund të mendojë dikush.  Nuk ka mjet më të mrekullueshëm për të ndryshuar për mirë jetën e atij që ka dhe atij që s’ka, të atij të ka shkollë dhe atij që ka pak shkollë, të atij që po ndjek studimet dhe atij që është në pension.

Ndaj, jam kthyer më i vendosur se kurrë të vazhdojmë reformën në këtë drejtim. Ishin reformat dhe serioziteti i reformave ato që bënë të mundur nënshkrimin e Marrëveshjes së Asocimit-Stabilizimit ndërmjet Bashkimit Evropian me Shqipërisë, e cila po ratifikohet nga të gjitha vendet me radhë. Ishin reformat dhe suksesi i tyre që bënë të mundur vizitën e Presidentit amerikan Xhorxh Ë Bush në Shqipëri. Ishin reformat dhe suksesi i tyre, ato që bënë që ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, vetëm tre ditë para se të merrnim ftesën për anëtarësim në NATO, të shpallnin Shqipërinë si një vend frymëzues për vendet e tjera të rajonit.

Ishin reformat dhe lufta kundër korrupsionit, ajo që bëri të mundur që vetëm në zonën Sarandë dhe Delvinë të ndërtohen dhe prokurohen rreth 150 kilometra rrugë, pa përmendur këtu qindra e qindra kilometra të tjerë nga Kukësi në Korçë, Nga Korça në Vlorë e kudo.

Ne do t’ia ndërrojmë faqen Shqipërisë. Ne ia kemi ndërruar imazhin asaj, e kemi bërë një vend të besueshëm dhe të respektuar. Ne bëmë që flamuri ynë të valëvitet së shpejti krahas flamujve të vendeve të lira dhe të fuqishme të botës.

Ne do të ndryshojmë rrënjësisht infrastrukturën në Shqipërisë dhe do të bëjmë që shqiptarët të ecin në rrugë të mira, në rrugë standardeve evropiane.Kur erdhëm në pushtet, dy vite më parë, nuk kishte asnjë impiant të përpunimit të ujërave të zeza në Shqipëri, dhe ndoshta ishim nga të paktat vende të botës në këtë gjendje. Sot, ne po ndërtojmë dhe do të ndërtojmë me dhjetëra impiante, me qëllim që ujerat në Shqipëri të jenë më të kristaltat dhe më të pastrat.

Dy vite më parë, mësuesit ishin në krizë të thellë. Në dy vitet e fundit ne i rritëm atyre rrogat me rreth 50 përqind. I garantoj mësuesit se do të mbajmë plotësisht premtimin për dyfishimin e pagave të tyre, sepse atyre ne u besojmë edukimin e fëmijëve tanë.

Dy vite më parë shpallëm se do të çojmë internetin në çdo shkollë, disa më ironizuan, por në fund të këtij viti, të gjitha shkollat do të bëhen me kabinet informatike dhe interneti.

Në Elbasan u deklarova qytetarëve se do të vendosim pensionin 100 dollarë në qytet dhe sot në qytet marrin dhe mbi 100 dollarë. Por, ka vende që janë më të zhvilluara sesa Shqipëria dhe që kanë pensione nën 100 dollarë.

Ne përpiqemi, dhe do të përpiqemi më shumë, të qetësojmë dhimbjet dhe të lehtësojmë vuajtjen.

Ka një rritje çmimesh por duhet të keni besim të plotë se do të kompensojmë qindarkë më qindarkë. Unë mbetem njeri i fjalës së dhënë dhe kam porositur të llogarisin të gjithë rritjen në ushqime dhe e gjitha do të kompensohet. Por ne nuk mund të ngrihemi kundër tendencave të tregut, sepse ato vetëm sa dëmtojnë në pamje të parë një grup të shoqërisë, por dëmtojnë deri në palcë rreth 40-50 përqind të shoqërisë shqiptare që është e vendosur në fshat. Ndaj dhe ne do të do të bëjmë kompensimin.

Ne ju premtuam se do të liberalizojmë universitetet. Të gjithë ndjehemi të lehtësuar sepse sot kemi më shumë se 100 mijë studentë nga 52 mijë që kishin tre vjet më parë. Ju garantoj se do të shkojnë deri në 140 mijë. Shqipëria në shkollë është investimi më i madh. Unë e kuptoj që sot në jemi të detyruar të bëjmë çdo gjë për të ndryshuar rrugët tona sepse pengojnë zhvillimin, por ju garantoj se investimi më i madh është investimi në dijë dhe arsim.

Ju ftoj që të vazhdojmë bisedën sëbashku sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund ti japim përgjigje më të mira dhe më të merituara problemeve tona që nuk janë të pakta.

Shpesh mund të më keni dëgjuar të them Shqipëria e një mije e një halleve dhe Shqipëria është e tillë. Shqipëria është vend me trashëgimitë më pozitivet, por me  trashëgimi nga më të tmerrshmet, që shkon shekuj mbrapa si infrastrukturë dhe zhvillim.

Hidhini një sy maleve të mrekullueshme shqiptare, nga mali i Çajupit deri në alpe dhe nuk sheh kurrë asnjë kompleks turistik në to. Ato bukuri përrallore natyrore janë bukuri të kohës së ndaluar, por ne do ta bëjmë kohën dhe për to.

Ne që po fillojmë bregun do të zhvillojmë të gjitha pasuritë e këtij vendi. Jam i sigurt se do të shkëputemi me shpejtësi nga situata në të cilën ndodhemi sot, dhe do të vendosin Shqipërinë përkrah vendeve më të zhvilluara të Ballkanit dhe të Evropës.

Ju faleminderit!"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›