Kryeministri Berisha takohet në Sarandë me kryetarë të bashkive të vendit
Kryeministri Berisha zhvilloi sot, në Sarandë, një takim me kryetarë të Bashkive të vendit. Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:
“Ne mblidhemi sot, në Sarandë, në një festë të vërtetë, për të çelur sezonin turistik. Saranda ka shënuar një kthesë shumë të madhe, sikurse dhe mbarë Shqipëria. Turizmi është një nga sektorët që është rritur dhe zhvilluar më shumë gjatë këtyre viteve. Ky vit do të shënojë kulmin dhe do të dyfishojë numrin e turistëve në krahasim me vitin 2005. Këto janë rezultate, para së gjithash, të një ndryshimi të qartë e të thellë të imazhit të Shqipërisë në Europë dhe në botë. Shqipëria sot është një vend i besueshëm dhe i vlerësueshëm, është vite drite larg asaj që përshkruajnë mediat shqiptare. Tani unë sapo pata një vizitë në Crociera-n që viziton gjirin e Sarandës dhe kapiteni i saj më tha se këtë vit prurjet në Crociera-n do të jenë 300 për qind më shumë se vitin e kaluar. Ai shihte në këtë rritje interesin gjithnjë e më të madh të turistëve. Unë shpresoj, por jam edhe i bindur se do t’i përgjigjemi kësaj, pasi asgjë nuk ka të krahasuar me potencialin turistik të vendit. Gjatë këtyre ditëve duhet të bëhet koordinimi i të gjitha planeve të shtrirjes në një të zonës, nga Saranda në Delvinë e Gjirokastër, mundësisht deri në Tepelenë, pasi edhe ky qytet ka shumë gjëra për të treguar, ka kalanë e saj të mrekullueshme. Unë vetë konstatova se ka interes që turi të shtrihet edhe më tej dhe të ketë një kompleks të madh turistik për të huajt.
Të nderuar drejtues vendorë,
qeveria është angazhuar në investime të paprecedent si në ngritjen e infrastrukturës rrugore dhe në atë jo rrugore dhe këtë e ka bërë nga domosdoshmëria absolute, pasi infrastruktura ka qenë pengesë serioze për zhvillimin e vendit. Dje vizitova Konispolin dhe pashë një peizazh nga më të mahnitshmit. Një peizazh të tillë, kurrë nuk e kam parë më parë. Por aty shkohej nëpër një rrugë që prej më se 1 mijë vjetësh ka qenë rrugë qerreje, ndërsa tani është vetëm gjysmë metri më e gjerë për kalimin e makinave. Gjatë vizitës në breg më thanë se rikonstruksioni që po i bëhet rrugës, prej 90 vjetësh është investimi më i madh që është bërë ndonjëherë. Pra, ne kemi një trashëgimi të pafavorshme që duhet ta kapërcejmë shumë shpejt me rindërtimin e infrastrukturës. Vetëm këtë vit ne po investojmë rreth 1.1 miliard dollarë vetëm në infrastrukturën rrugore.
Por dua t’ju siguroj se qeveria nuk do ta lë pas dore qeverisjen vendore. Ne kemi dyfishuar dhe do të trefishojmë grantin për qeverisjen vendore dhe do të vazhdojmë me shpejtësi procesin e decentralizimit. Bindja ime më e thellë është se nuk ka zhvillim të qëndrueshëm pa konsolidimin e qeverisjes vendore. Ne do ta ringremë infrastrukturën si një kusht fizik për zhvillim, por ka edhe resurse të tjera të qeverisjes vendore dhe kalimi tek ajo e të gjitha funksioneve zhvillimore është kusht sinekuanon për zhvillimin e vendit. Ky vit është shumë i rëndësishëm për investimet. Por pas këtij viti, fondet gjithnjë e më shumë do të spostohen drejt qeverisjes vendore. Brenda 3 apo 4 viteve, Shqipëria do të ketë një rrjet rrugor tërësisht tjetër. Por dua t’ju siguroj se në mënyrë progresive dhe të vendosur ne do të thellojmë çdo ditë e më shumë decentralizimin. Ne po i dorëzojmë prona, pyje e kullota bashkive dhe komunave dy herë më shumë se ç’janë dorëzuar në 8 vjet dhe do të kompletojmë çdo zonë. Ne po kompletojmë ujësjellësit dhe ju jemi shumë mirënjohës për seriozitetin me të cilin ju i keni marrë, sepse është e turpshme që qeveria qendrore të mbajë në administrim ujësjellësit. Ndërkohë që marksisti Josif Bros Tito ia kishte dhënë bashkive e komunave 40 vjet më parë, këtu i mbante qeveria qendrore. Ju do të keni përgjegjësinë për ujësjellësit dhe ne do t’ju ndihmojmë. Ne jua dhamë ato për miradministrim dhe pronësi, por absolutisht do t’ju ndihmojmë me fonde, mjete e të gjitha mënyrat për suksesin tuaj. Po kështu do të veprojmë edhe me pyjet e kullotat.
Ne kemi bërë një takim shumë të çmuar me shoqatën e kryetarëve të bashkive më të mëdha të vendit lidhur me decentralizimin fiskal. Për këtë është ngritur një grup i përbashkët pune. Vendimi më i favorshëm për vendin është që një seri taksash të tjera t’ua dorëzojmë qeverive vendore, sesa të përcaktojmë një përqindje nga taksat kombëtare. Kur kryetari i bashkisë së Tiranës kërkoi përqindje në tatim fitimin për qeverisjen vendore, ministri i Financave argumentoi se ajo që i jepet si grant pushtetit vendor është sa dyfishi i përqindjes së tatim fitimit. Me decentralizimin e disa taksave, pushteti qendror të mbajë jo më shumë se 4-5 taksa dhe pjesa tjetër t’i kalojë pushtetit vendor, ndërkohë që ndonjë taksë duhet të hiqet fare, ne forcojmë disiplinën fiskale në nivel bashkish e komunash. Bashkitë e komunat e vendit duhet të jenë bashkëaksionerë në buxhetin e shtetit dhe të tillë janë, por duhet të jenë të tillë edhe në ndarjen e tij.
Unë kam gjithashtu edhe disa çështje të tjera për të diskutuar me ju. Ne jemi në një periudhë reformash të paprecedent që nga vitet ’92 e deri më sot. Këto reforma janë të një rëndësie të jashtëzakonshme dhe historike për vendin. Ne vendosëm të bëjmë zgjedhje të ndershme. Ne kishim një ligj që dënonte zgjedhësit dhe na kishte bërë gazin e dheut. Nuk ishte në interesin tim personal apo të kryetarit të Partisë Socialiste, por ishte interesi jetik i çdo qytetari shqiptar që, në mekanizmin më të lirë të tij dhe të shoqërisë, të ndjehet qytetar europian e jo t’i trafikohet vota herë këtej e herë andej. Kjo u vendos dhe nuk ka njeri të faktojë që kjo reformë ishte më e favorshme për PD-në apo PS-së, por gjithashtu nuk ka njeri që të mohojë se kjo ishte gjëja më e rëndësishme për të gjithë shqiptarët. Në gjithë këto vite, ju jeni dëshmitarë që asnjë vend tjetër nuk është përfolur për zgjedhjet sa ne. Vërtet ne nuk kemi pasur traditë zgjedhore, por sistemi që vendosëm erdhi si rezultat i një pjekurie e maturie të madhe.
Po kështu ndërmorëm hapa të tjerë për KQZ-në, që ishte shndërruar në një pasqyrë që në mënyrë të përsëritur jepte vendime të padrejta. Më pas, kur t’i besojmë më shumë Ministrisë së Brendshme mund t’ia kalojmë asaj.
Ne hoqëm shpatën e Demokleut që qëndronte mbi qafën e shqiptarëve dhe që e fuste vendin në elektroshok zgjedhor, në rast të mos zgjedhjes së presidentit në parlament me 3/5.
Ne, gjithashtu, vendosëm mandat për Prokurorin e Përgjithshëm, sikurse edhe në 3/4 e vendeve të botës, ku Prokurori i Përgjithshëm ka mandat.
Ne vendosëm moralin e qytetarëve në themel të Kushtetutës. Nuk mund të dalë kryetari i qeverisë nga një parti e vogël. Ky është turp për vendin. Nëse kryetari i qeverisë duhej të dilte një nga një parti e vogël, atëherë duhej që zgjedhësit ta votonin atë për kryetar qeverie dhe nenet ekzistuese i lejonin këto kombinacione. Por partia kryesore është parti kryesore. Sido që ajo të qeverisë, populli ia ka dhënë asaj mandatin dhe nëse popullit i del gabim, herën e dytë ai e ndëshkon atë. Tani ne e bëmë Kushtetutën shumë qytetare dhe europiane. Përfaqësuesit e partive të vogla e kishin shkruar në atë mënyrë duke i parë përfaqësuesit e tyre kryeministra, por, absolutisht, kjo nuk ndodh në asnjë vend të Europës dhe në asnjë vend të qytetëruar.
Tashmë kemi etapa të reja të reformës, atë të pushtetit vendor. Kjo reformë është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe bëhet pas një reformë që u bë në vitin 1992, kohë kur unë kam qenë president. Imagjinoni se në ç’kushte kemi qenë ne, për të bërë një reformë territoriale. Megjithatë në atë kohë ajo pati një rëndësi shumë të madhe, sepse vendosi zgjedhjen direkt të kryetarit të bashkisë dhe të komunës. Më pas, shumë komuna u shkrinë. Nuk mund të mbahet një komunë falimentuar. Dje në Konispol më kërkuan zyrë policie dhe kanë të drejtë, sepse janë 40 kilometra larg Sarandës dhe do ta kenë atë si dhe zyra të tjera shërbimi për qytetarët. Por sot ka zona që më parë kanë pasur 10 mijë banorë, tashmë nuk kanë as edhe 1 mijë banorë, apo atje ku kanë qenë 1500 banorë, tani janë 150. Ndaj ju ftoj ju dhe shpresoj që edhe opozita, e cila është e vetëdijshme për këtë fakt, të punojmë për një tjetër projekt që t’i japë vendit ndarjen më të mirë administrative, që përputhet me të gjitha ndryshimet e mëdha demografike që kanë ndodhur gjatë këtyre 17 viteve.
Unë kam gjithashtu edhe dy kërkesa të tjera ndaj jush. Do të ishte në interesin më të madh të vendit të rishqyrtoni administratën tuaj. Asgjë nuk e dëmton më shumë administratën sesa punonjësit që nuk kanë punë dhe luajnë me letra, sikundër nuk ka drejtues më të papërqendruar, sesa ai që nuk motivon punonjësit e tij. Administrata jonë qendrore është më vogla në Europë dhe kemi bërë shumë mirë. Ndaj ju ftoj që, në përputhje me të gjitha detyrat tuaja, të mos mbani gjera të tepërta. Ju kërkoni me të drejtë rritje pagash dhe unë ju mbështes, por mund t’ju them se në administratën qendrore, me gjithë rritjet e jashtëzakonshme të pagave që kemi bërë – kemi rritur me 50 për qind pagat në arsim, kemi rritur pagat në shëndetësi, në tërësi i kemi rritur pagat 47 për qind - sërish fondi i pagave është 20 për qind e qeverisë. Prandaj shikojeni me kujdes fondin e pagave, është më mirë që të synojmë rritje pagash. Unë kam kërkuar dhe do të amendohet vendimi që i jep qeverisë vendore privilegjet për rekrutimin e të larguarve jashtë vendit, me tituj e grada master dhe doktoraturë, por edhe të graduarve brenda vendit. Pra, po heqim çdo dallim ndërmjet pushtetit vendor dhe pushtetit qendror. Ju duhet të rekrutoni njerëz të zotë dhe kjo është shumë e domosdoshme.
Së fundi, ju kujtoj se një ligj është leva e arkimedit për buxhetet tuaja, sikundër për buxhetin qendror, ligji për partneritetin publik privat. Ju lutem studiojeni këtë ligj. Secili prej jush është autoritet kontraktues në bazë të këtij ligji me të njëjtat atribute si çdo ministri. Shpresoj që brenda këtij viti të mbyllim të paktën 2 miliard euro për ndërtimin e hidrocentraleve, pa asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit, është në negociim e po shkon drejt fundit kontrata për kaskadën e Devollit, fillon me konsulencë ndërkombëtare për të gjithë kaskadën e Vjosës, për kaskadën e alpeve. Ne po ndërtojmë rrugë, ka disa kërkesa për portet e vendit dhe të gjitha do t’i japim me koncesion. Imagjinoni kur do të ndërtoheshin, nëse do t’i ndërtonim hidrocentralet me buxhetin tonë. E njëjta gjë vlen edhe për ju. Prandaj lexojeni ligjin, ndërtoni banesa e tregje mbi atë bazë dhe do të shihni përfitimin. Shfrytëzojeni se ky është një ligj i mrekullueshëm dhe në këtë mënyrë ju keni mundësi të dyfishoni dhe trefishoni buxhetin tuaj. Mos reshtni pa kërkuar mundësi për të shfrytëzuar këtë ligj. Ne miratuam ligjin për kredimarrjen, por ligji më i rëndësishëm për ne e për ju është ai për partneritetin publik privat. Unë e kuptoj që ndonjë prej jush mund të thotë se nuk e ka pronën, por ju garantoj se qeveria do t’ju ndihmojë deri në fund për pronën dhe për çdo gjë tjetër. Është e rëndësishme që të keni ekspertët ligjorë dhe të ndërmerrni nisma. Unë ju siguroj se jam mjaft i ndjeshëm ndaj problematikës tuaj.
Të dashur kryetarë,
kam edhe një kërkesë ndaj jush. Ju kërkoj të zbatoni prokurimin elektronik dhe kjo të jetë një përparësi absolute e juaja. Nëse nuk keni mundësi të zbatoni një tender elektronik, atëherë do të thotë se keni mbetur në epokën e gurit. Kjo është mënyra më transparente dhe moderne. Në rast se nuk do të aplikohet prokurimi elektronik, ju e detyroni qeverinë të bllokojë çdo prokurim që nuk është elektronik. Prandaj duhet të bëni të gjitha përpjekjet për ta futur këtë procedurë në praktikat tuaja.”