Kryeministri Berisha takohet me Presidentin e Francës, Nikola Sarkozy
Kryeministri Berisha pati sot një takim me Presidentin e Francës Nikola Sarkozy, në Pallatin Presidencial Elysee, në kuadër të takimit të liderëve të partive të Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar (IDU), që po zhvillon punimet në Paris, nga datat 25-26 qershor.
Të dy personalitetet shprehën kënaqësinë për këtë takim. Kryeministri Berisha i shprehu Presidentit francez falënderimet për organizimin dhe mikpritjen në takimin e liderëve të partive që aderojnë në Bashkimin Demokrat Ndërkombëtar (IDU). Gjithashtu, Kryeministri i shprehu Presidentit Sarkozy mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen që Franca dhe populli francez i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit.