E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në takimin e liderëve të partive të IDU-së

Kryeministri Berisha mori pjesë sot, në Paris, në takimin e liderëve të partive të Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar (IDU), i cili po zhvillon punimet në datat 25-26 qershor. Në seancën e sotme, anëtarët e IDU-së votuan me unanimitet të plotë për pranimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota në këtë Union. 

Kryeministri Berisha në fjalën e tij falënderoi anëtarët e IDU-së për besimin e dhënë dhe i siguroi ata për angazhimin e plotë të Partisë Demokratike në veprimtaritë dhe objektivat e këtij bashkimi.  Pas fjalës së zotit Berisha, Kryetari i IDU-së, ish Kryeministri i Australisë, zoti John Howard, e përgëzoi Kryeministrin për fjalimin frymëzues të tij dhe shprehu kënaqësinë për anëtarësimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, si anëtare më të drejta të plota në IDU, duke e vlerësuar këtë një hap të madh në forcimin e bashkëpunimit reciprok.

Kryeministri Berisha shoqërohej në këtë ceremoni nga Kryetarja e Parlamentit, njëkohësisht nënkryetare e Partisë Demokratike, zonja Jozefina Topalli, si dhe nga zëdhënësi i PD-së Gerti Bogdani.

Gjatë pjesëmarrjes në takimin e liderëve të partive të Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar (IDU), Kryeministri Berisha zhvilloi takime me zotin Pier Ferdinando Casini, kryetar i CDI-së  (Centrist Democrat International) dhe ish Kryetar i Parlamentit italian, me zotin Antonio Lopez, Sekretar i Përgjithshëm i Partive Popullore Europiane (EPP), etj.

Takimin e liderëve të partive të Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar (IDU zhvillohet një herë në tre vjet dhe në të marrin pjesë kryetarë dhe përfaqësues të partive demokratike, demokristiane dhe të qendrës së djathtë nga 60 vende të botës. Këtë vit takimi takimi ka në fokus tematikën “Axhenda e Qendrës se Djathtë në shekullin e 21”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›