Kryeministri Berisha takohet me anëtarët e Presidencës së Bosnje - Hercegovinës

-Anëtarët e Presidencës së Bosnje - Hercegovinës shfaqën interes dhe shprehën mbështetjen e tyre për projektin e gazsjellësit trans Adriatik (TAP)
-Kryeministri Berisha u shpreh se shumë shpejt Shqipëria do të hapë ambasadën e saj në Bosnje - Hercegovinë
Në vazhdim të vizitës së tij në Sarajevë, Kryeministri Berisha u takua me Anëtarët e Presidencës së Bosnje - Hercegovinës, Kryetarin e radhës së Presidencës z. Nebojša Radmanovic, si dhe dy anëtarët e tjerë Haris Silajdžic dhe Željko Komšic.
Kryeministri Berisha i falënderoi anëtarët e Presidencës së Bosnje - Hercegovinës për mikpritjen, ndërsa theksoi se në këto 3- vitet e fundit, marrëdhëniet politike ndërmjet dy vendeve kanë qenë më të mirat në këto 14 vitet e fundit. “Në tre vitet e fundit marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve kanë qenë të shkëlqyera. Brenda një kohe të shkurtër ne kemi pasur vizita të niveleve të larta në Shqipëri, vizita të cilat janë shumë të rëndësishme sepse inkurajojnë njerëzit që të punojnë drejt një bashkëpunimi më të madh”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Duke iu referuar nënshkrimit të Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë, të nënshkruar sot ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe Bosnje – Hercegovinës, Kryeministri Berisha u shpreh se nënshkrimi i kësaj marrëveshje do të mundësojë lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave, ndërmjet dy vendeve.
Kryeministri Berisha njohu përfaqësuesit e Presidencës së Bosnje - Hercegovinës me potencialet e jashtëzakonshme që mbart Shqipëria për investitorët e huaj. “Shqipëria është një vend i vogël, por që ka potencial jashtëzakonshëm për investimet e huaja. Shqipëria ka rreth 400 kilometra vijë bregdetare, rreth 95 % e së cilës është e paprekur, dhe investitorët e Bosnje- Hercegovinës janë të mirëpritur të investojnë. Shqipëria është e pasur me burime ujore, do të ndërtohen 400 HEC-e të dimensioneve të ndryshme dhe investitorët e Bosnje- Hercegovinës janë më se të mirëpritur të investojnë në prodhimin e energjisë hidrike”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se një tjetër projekt me interes të veçantë është projekti për gazsjellësin trans Adriatik (TAP). Kryeministri Berisha u shpreh se është në interes të vendeve tona dhe të rajonit të bashkëpunohet për këtë projekt. Edhe përfaqësuesit e Presidencës trepalëshe të Bosnje - Hercegovinës shfaqën interes dhe shprehën mbështetjen e tyre për projektin e këtij gazsjellësi.
Gjatë takimit, Kryeministri Berisha u shpreh se së shpejti Shqipëria do të paraqesë aplikimin statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, por integrimi në Bashkimi Evropian është një proces që do të vazhdojë.
Duke u ndalur integrim e afërt të Shqipërisë në NATO, Kryeministri Berisha u shpreh se “Karta Adriatik 3, është një mekanizëm shumë i rëndësishme për të përmirësuar mbështetjen e vendeve anëtare të NATO-s ndaj aplikantit, për të përmirësuar bashkëpunimin dhe për të pasur një vlerësim më të mirë të ecurisë së një vendi drejt integrimit”.
Nga ana e tyre, anëtarët e Presidencës së Bosnje - Hercegovinës, e falënderuan Kryeministrin Berisha për vizitën dhe theksuan se kjo vizitë është tjetër një tregues i vazhdimësisë së marrëdhënieve të shkëlqyera politike ndërmjet dy vendeve dhe se do të jetë një hap përpara në nxitjen e bashkëpunimit të mëtejshëm në fushën ekonomike. Sipas tyre, vizita e Kryeministrit dhe marrëveshjet që u nënshkruan do të ndihmojnë shumë në marrëdhëniet ndërmjet popujve, lëvizjen e lirë të tyre, si dhe në intensifikimin e për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike, kulturore, arsimore,etj.
Anëtarët e Presidencës së Bosnje – Hercegovinës, u shprehën se dy vendet kanë një të ardhme të përbashkët, në NATO dhe Bashkimin Evropian. Duke i’u referuar anëtarësimit të Shqipërisë në NATO në muajin prill, ata e përgëzuan Kryeministrin Berisha për anëtarësimin, si dhe u shprehën se “Shqipëria është një hap më para se ne dhe ne e shohim si një shembull për integrimin”.
Në vijim të takimit, anëtarët e Presidencës së Bosnje – Hercegovinës, u shprehën se dy vendet mund të punojnë së bashku për integrimin në NATO dhe Bashkimin Evropian, pasi Evropa nuk mund të jetë e plotë pa integrimin e Ballkanit dhe Evropës Juglindore.
Kryeministri Berisha i njohu anëtarët e Presidencës së Bosnje – Hercegovinës, se shumë shpejtë Shqipëria do të hapë ambasadën e saj në Sarajevë. Anëtarët e Presidencës së Bosnje – Hercegovinës e falënderuan Kryeministrin Berisha për këtë vendim, ndërsa u shprehën se dhe ata kanë si qëllim hapjen e një ambasade në Tiranë dhe do ta bëjnë këtë sa më shpejtë të jetë e mundur.
24/03/2009