Kryeministri Berisha: Komuniteti shqiptar në Bosnje-Hercegovinë, faktor i fuqishëm miqësie dhe bashkëpunimi mes dy popujve

- Kryetari i Shoqatës së shqiptarëve të Bosnje –Hercegovines, z. Muharrem Zenullahu, e falënderoi Kryeministrin Berisha për kontributin e madh që ka dhënë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Gjatë vizitës së tij në Sarajevë, Kryeministri i Shqipërisë, z. Sali Berisha, pati një takim shumë të ngrohtë e miqësor me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Bosnje -Hercegovinë.
Gjatë këtij takimi, Kryetari i Shoqatës së shqiptarëve të Bosnje -Hercegovines “Bajram Curri”, z. Muharrem Zenullahu, e falënderoi Kryeministrin Berisha për kontributin e madh që ka dhënë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai i dhuroi një pikturë të një porte, e cila simbolizon bashkëpunimin e ngushtë dhe miqësor që kanë pasur shqiptarët dhe boshnjakët gjatë gjithë historisë.
Kryeministri Berisha, pasi i falënderoi miqtë për mikpritjen, i njohu me takimet që pati me Kryeministrin e Bosnje-Hercegovinës dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të këtij vendi.
Duke u ndalur në vëmendjen e qeverisë ndaj komunitetit shqiptar në këtë vend, Kryeministri u shpreh se Shqipëria do të hapë së shpejti një ambasadë në Sarajevë dhe qeveria shqiptare do të bëjë çdo gjë për t’ju mbështetur dhe për të ruajtur identitetin tuaj kombëtar. “Ju jeni faktor i fuqishëm miqësie dhe bashkëpunimi midis popujve tanë. Shumë prej jush janë biznesmenë dhe ata janë shumë të mirëpritur të investojnë dhe të zhvillojnë biznes në Shqipëri, por edhe të sjellin familjet dhe miqtë e tyre në Shqipëri për turizëm”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha u shpreh i sigurt se këto shkëmbime do të forcojnë marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve. “Sot jetojmë në një kohë krize shumë të rëndë ekonomike dhe financiare botërore. Shqipëria dhe Bosnja janë nga vendet më pak të prekura nga kjo krizë, sepse ekonomitë e vendeve tona janë zhvilluar në baza shumë solide. Bankat tona janë të shëndosha dhe prandaj ne nuk jemi në krize”, tha Kryeministri Berisha. Në këtë drejtim, Kryeministri vuri në dukje se ekonomia shqiptare, në sajë të reformave që ka ndërmarrë qeveria, ka arritur të thithë shumë investime të huaja, Shqipëria ka nivelin më të ulët të taksave në Europë, ndërkohë që qeveria ka krijuar një klimë shumë të përshtatshme për investimet në vend.
Më tej, Kryeministri nënvizoi se në një hark kohor prej dy javësh, Shqipëria do të hyjë si anëtare me të drejta të plota në NATO dhe ky akt, pas pavarësisë, është akti me madhor në historinë e vendit. Kombi shqiptar ka vuajtur nga mungesa e lirisë gjatë historisë, ndaj dhe anëtarësimi në NATO është një akt madhor për të gjithë shqiptarët, theksoi Kryeministri Berisha.
24/03/2009