E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria nënshkruan me Bosnje –Hercegovinën marrëveshjen për heqjen e vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve

Kryeministri Berisha, i cili po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Bosnje – Hercegovinë, u prit në një takim të veçantë nga Kryeministri Nikola Špiriæ.
Gjatë këtij takimi u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore mes dy vendeve, në të gjitha fushat.

Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Špiriæ, shprehën vullnetin e përbashkët për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, në të gjitha fushat. “Në dy - tre vitet e fundit marrëdhëniet politike mes dy vendeve janë intensifikuar më shumë se kurrë, çka tregon vullnetin e fortë të qeverive dhe institucioneve tona për bashkëpunim, si dhe ndjenjat miqësore që kanë popujt tanë”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Kryeministri Berisha dhe homologu i tij z. Nikola Špiriæ diskutuan dhe për inkurajimin e biznesit boshnjak që të investojë në Shqipëri. “Shqipëria është një vend i vogël, por që ka potencial jashtëzakonshëm për investimet e huaja. Ajo ka rreth 400 kilometra vije detare, rreth 95 % e së cilës është e paprekur dhe investitorët e Bosnje- Hercegovinës janë të mirëpritur. Shqipëria është e pasur me ujëra, do të ndërtohen 400 HEC-e të dimensioneve të ndryshme dhe investitorët e Bosnje- Hercegovinës janë më se të mirëpritur të investojnë në prodhimin e energjisë hidrike. Gjithashtu, mund të bashkëpunojmë për gazsjellës dhe Shqipëria ka depozita shumë të mëdha gazi, të cilat mund të mjaftojnë për gjithë rajonin”, u shpreh Kryeministri.

Referuar marrëveshjes së nënshkruar sot për Lëvizjen e Lirë të qytetarëve ndërmjet dy vendeve, Kryeministri Berisha ftoi qytetarët e Bosnje- Hercegovinës të vizitojnë Shqipërinë këtë verë.
Duke folur për proceset integruese, Kryeministri Berisha u shpreh se “të dyja vendet janë në procesin e integrimit. Në prill, Shqipëria do të bëhet anëtare e NATO-s. Ne mbështesim plotësisht integrimin e Bosnje- Hercegovinës në NATO”.

Nga ana e tij, Kryeministri Nikola Špiriæ e përgëzoi Kryeministrin Berisha për anëtarësimin, së afërmi, të Shqipërisë në NATO. Duke i’u referuar marrëveshjeve të nënshkruara sot ndërmjet dy vendeve, Kryeministri Špiriæ  theksoi se “marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, në shumë fusha, janë shumë të mira, por mund të forcohen edhe në disa fusha të tjera si turizëm, ekonomi, kulturë, arsim, etj.”

Kryeministri Nikola Špiriæ  vlerësoi se ndërmjet Shqipërisë dhe Bosnje – Hercegovinës ekzistojnë marrëdhënie shumë të mira tregtare, por  të dy vendet do të bëjnë përpjekje më të mëdha, në mënyrë që kompanitë e Bosnje- Hercegovinës dhe Shqipërisë të kenë lehtësira për të vepruar ndërmjet dy vendeve.
 “Kemi rënë dakord se do të bëjmë marrëveshje të tjera si, në luftën kundër kriminalitetit, trafikut të drogës dhe terrorizmit, të cilat do të kontribuojnë në rritjen e stabilitetit. Marrëveshja për Ripranimin, që nënshkruam sot, është një marrëveshje shumë e rëndësishme. Heqja e vizave ndërmjet dy vendeve tona do të jetë shumë e dobishme për të rritur marrëdhëniet në fushën e turizmit dhe shkëmbimeve tregtare midis vendeve. Patëm rastin të informoheshim për ecurinë politike dhe ekonomike, si dhe për reformat që ka janë bërë në Shqipëri. Ne do të forcojmë edhe më tej bashkëpunimin rajonal, për të treguar se jemi gati të luajmë një rol stabilizues në rajon”, u shpreh Kryeministri Nikola Špiriæ .

Dy kryeministrat nënshkruan gjithashtu dhe katër marrëveshje shumë të rëndësishme, të cilat, sipas Kryeministrit Berisha janë shumë të rëndësishme për të lehtësuar pasojat e krizës ekonomike botërore.

Pas takimit midis dy vendeve, u nënshkruan 4 marrëveshje dypalëshe:

-Marrëveshja për kooperimin e policisë e nënshkruar nga Ministri i Sigurisë së Brendshme z. Tarik Sadovic dhe ambasadori i Shqipërisë në Bosnje – Hercegovinë, Pëllumb Qazimi.

- Marrëveshja “Për Ripranimin e personave”, e nënshkruar nga Tarik Sadovic dhe z. Ferit Hoxha, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

- Marrëveshja për Lëvizjen e Lirë të Qytetarëve, e nënshkruar nga znj. Ana Trishic Babic, Ministrja e Jashtme e Bosnje – Hercegovinës dhe z. Ferit Hoxha, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

- Marrëveshja për doganat, e nënshkruar nga z.Mladen Zirovic, Minister për Tregtinë e Jashtme të e Bosnje – Hercegovinës dhe z.Florion Mima, zëvendësministër i  Financave të Shqipërisë.


24/03/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›