E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklarata e Kryeministrit Berisha me rastin e Ditës Botërore të Ujit

Në emër të Qeverisë dhe të Këshillit Kombëtar të Ujit, njoh deklaratën e Kombeve të Bashkuara për festën e përvitshme të Ditës Botërore të Ujit, dhe me lejoni te theksoj se Shqipëria mbështet tërësisht objektivat e Kombeve të Bashkuara për këtë sektor të rëndësishëm, si dhe objektivin e saj të përgjithshëm “Ujë për të Gjithë”.

Në vitin 1992, Kombet e Bashkuara, në frymën globale për të theksuar rolin që luan uji në ekzistencën e përditshme, deklaruan se çdo vit, data 22 mars do të njihet dhe festohet në mbarë botën si Dita Botërore e Ujit. Prandaj është e rëndësishme që në këtë dite, të theksojmë se Kombet e Bashkuara e kanë deklaruar vitin 2009 si Vitin Ndërkombëtar te Ujërave Ndërkufitar. Kjo iniciative na kujton se privilegji që gëzojmë sot për burime të mjaftueshme ujore në Shqipëri duhet të balancohet me përgjegjësinë dhe nevojat e fqinjëve tanë. 

Shqipëria është një nder shembujt e 263 baseneve ujore ndërkufitare në të gjithë botën. që ndan ujëra me shtetet fqinje si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Greqia. Kur bëjmë fjalë për ujërat ndërkufitare, arsyet pse duhet të shqyrtojmë menaxhimin e integruar te burimeve ujore janë:

Niveli i rritjes se kërkesës për nxjerrje te ujit nga mjedisi natyral është më i madh se niveli i rritjes së popullsive në vendet tona. Progresi rrit ndjeshëm ndikimet negative mbi mjedisin ujor. Shtimi i sasisë së ujit të ndotur favorizon skarcitetin për burime ujore të pastra. Rritja e konkurrencës krijon potenciale konfliktesh rajonale mbi burimet e kufizuara për ujë të freskët.

Për herë të parë, në fillim të 2008-ës, Shqipëria punoi seriozisht dhe me vetëdije drejt menaxhimit të integruar të burimeve ujore. Kjo ndërmarrje pati në fokus disa iniciativa ligjore, të cilat përfshijnë:

·         Rishikimi i Ligjit shqiptar për Burimet Ujore në kuadrin e menaxhimit të integruar të burimeve dhe baseneve ujore siç përshkruhen në Direktivën Kuadër Evropiane të Ujit, e cila është e detyrueshme për të gjitha vendet anëtare të BE;

·         Përmirësime të spikatura të strategjive bazë si ajo e Mjedisit, Furnizimit me Ujë dhe Kanalizimeve dhe e Energjisë;

·         Hartimi i ligjit për përdorimin e energjive te rinovueshme në Shqipëri, i cili është gati për t’u miratuar nga Parlamenti shqiptar; dhe

·         Miratimi nga Këshilli Kombëtar i Ujit i tarifave të strukturuara që lidhen me shfrytëzimin e burimeve ujore pasi të gjithë përdoruesit e ujit duhet të paguajnë për këtë pasuri të përbashkët të të gjithë qytetarëve shqiptarëve.

Këto iniciativa ligjore janë pasuar nga iniciativa specifike, të cilat përfshijnë:

Angazhimin e Shqipërisë në një program shkencor me Francën, Spanjën dhe Portugalinë për të përgatitur një udhëzim për administratoret e Autoriteteve të Baseneve Ujor për të gjitha vendet e Mesdheut; Përgatitja e një propozimi zyrtar drejtuar Këshillit te Bashkëpunimit Rajonal - për të krijuar në Shqipëri një qendër për ujin dhe energjinë me qellim qe kjo qendër ti shërbejë të gjitha vendeve te Ballkanit Perëndimor.

Në fushën e menaxhimit të burimeve ujore dhe të monitorimit, Qeveria ka ndërmarrë iniciativat e mëposhtme:

·         Ka përditësuar regjistrin e burimeve ujore dhe të përdoruesve të ujit;

·         Ka filluar procesin për krijimin e një sistemi monitorimi për Matin, Erzenin dhe disa basene të tjera kryesore të vendit:

·         Aktualisht, jemi duke finalizuar vlerësimin për ujë në zonat turistike nga Gjiri i Lalzit deri në Karpë, dhe në zonat bregdetare të jugut të Shqipërisë duke konsideruar jo vetëm vlerësimin e burimeve ekzistuese por edhe perspektivën pra nevojat për të shtuar kapacitete ujore deri në vitin 2036;

·         Këshilli Kombëtar i Ujit së shpejti do të finalizojë iniciativën për të formalizuar te gjitha burimet ujore të destinuara për pirje;

·         Deri më sot janë shqyrtuar 160 propozime të biznesit për ndërtimin e hidrocentraleve me madhësi te vogël, të mesme dhe të mëdha, që padyshim do të shërbejnë për rritjen e prodhimit të energjisë në të gjithë Shqipërinë.

·         Nga një impiant për trajtimin e ujit të ndotur të vënë në punë në 2005, në ndërtimin e 14 impianteve që do të sigurojnë ujë të trajtuar përpara shkarkimit të tyre në detet apo lumenjtë tanë.

Dhe padyshim të gjitha këto veprime na sjellin të sigurt tek tema e ditës, ujërat ndërkufitar. Në këtë aspekt, Qeveria ka ndërmarrë veprimet dhe iniciativat e mëposhtme:

·         Është krijuar “Komiteti Qeveritar për Ujërat ndërkufitar” me vendet fqinje të Greqisë, Maqedonisë, Kosovës dhe Malit të Zi.

·         Janë ndërmarrë iniciativa për projekteve që kanë dëshmuar një bashkëpunim të shkëlqyer me vendet fqinje si ai për zgjerimin e programit të Basenit të Drinit, filluar në vitin 2008 si dhe disa projekte madhore për mbrojtjen mjedisore të Liqenit të Prespës, Ohrit dhe Shkodrës.

Nga pikëpamja rajonale ne jemi të ndërgjegjshëm se përdorimi kryesor i ujit në Ballkanin Perëndimor është bujqësia, furnizimi me ujë dhe kanalizimet, minierat dhe industria, mjedisi, peshkimi, turizmi, energjia dhe transporti. Për të mënjanuar praktika të varfra menaxhimi, mungesën e rregullave, mungesën e motivimit si rezultat i politikave aktuale të ndryshme.  Ne vendet e Ballkanit Perëndimor, duhet të përcaktojmë një filozofi të ndërsjellë për të zbatuar menaxhimin e integruar të burimeve ujore. Kjo do t’i kërkojë padyshim politikbërësve dhe vendimmarrësve që t’i shohin më gjerë të gjithë veprimtaritë qe do të ndërmerren me këtë aspekt, pasi praktika na ka mësuar se në sektorin e ujit veprimet nuk ndodhin në mënyrë të pavarur.

Ndërsa përqafojmë këtë filozofi të ndërsjellë, ne na duhet të reformojmë ligjet aktuale dhe institucionet që aplikojnë politika të reja si dhe ligjet bazë të menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve ujore. Qeveritë në të gjithë Ballkanin Perëndimor duhet të ripërcaktojnë rolet e tyre në një pozicion që është më shumë pozicion ndihmës e rregullator sesa thjesht ndjekës te zbatimit të projekteve. Ne duhet të krijojmë një njësi gjeografike logjike për realizimin praktik te përdorimit te integruar të burimeve ujore për të promovuar menaxhimin e baseneve ose të nën baseneve lumore. Së fundi, rregullimet institucionale rajonale janë të nevojshme në formë konstitucionale, duke përfaqësuar të gjithë sektorët e shoqërisë që do të angazhohen në vendimmarrje, ndërsa Qeveritë Qendrore do të bashkërendojnë përdorimin e burimeve ujore në shërbim të gjithë sektorëve që përdorin ujin. Në të ardhmen besoj se axhenda e bashkëpunimit rajonal duhet të na çojë në kontribute konkrete e të mëdha për këto çështje si:

Cilët janë sektorët kryesorë qe shfrytëzojnë më shumë burime ujore për të pestë vendet e Ballkanit Perëndimor? Cilat janë ndërveprimet ndërmjet këtyre sektorëve? Cilat do të ishin përfitimet e secilit sektor, nëse uji do të përdorej në mënyrë të integruar duke filluar me furnizimin me ujë dhe trajtimin e ujit të ndotur, bujqësisë, energjisë dhe mjedisit? Çfarë reformash institucionale apo ligjore do të nevojiten në secilin nga shtetet e Ballkanit Perëndimor për të zbatuar menaxhimin e integruar të burimeve ujore?

Në përfundim të kësaj fjale në Ditën Botërore të Ujit, do të doja të përfitoja nga rasti për të përgëzuar dhe për të vënë në pah punën e shumë profesionistëve dhe profesionisteve të cilët punojnë pa u lodhur në institucionet tona të ujit për të na furnizuar çdo ditë me këtë burim të çmuar si ne ashtu dhe brezat e ardhshëm të vendit tonë. E kështu, duke menduar rajonin dhe duke vepruar lokalisht ne të gjithë besojmë se ujërat e pastër çojnë në fqinjësi të mirë.  Le të ngremë sot një gotë me ujë e të urojmë së bashku:

“Gëzuar Ditën e Ujit”!


24/03/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›