E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervistë e Presidentit Topi dhënë për gazetën kroate “Jutarnji List”.

21 mars 2009

Pyetje (gazetari Drago Hedll): Shqipëria dhe Kroacia muajin e ardhshëm do të hyjnë në NATO. Sa është e rëndësishme kjo ngjarje për Ballkanin?

Presidenti Topi: Hyrja e Shqipërisë së bashku me Kroacinë në NATO ka rëndësi të jashtëzakonshme për vendin tim. Ky është një sendërtim i dëshirës së popullit shqiptar për integrim në familjen euroatlantike. Shqipëria nuk është më e izoluar. Me hyrjen në NATO ne bëhemi vend i sigurtë dhe pjesë e një rajoni të sigurtë në të cilin bëjmë pjesë. Kjo siguri do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, sigurinë shoqërore dhe stabilitetin e institucioneve.

Pyetje: Ishit 28 vjeç kur vdiq Enver Hoxha. A besonit asokohe se gjatë jetës tuaj Shqipëria do të bëhej anëtare e NATO-s dhe se do të jetonit në kapitalizëm?

Presidenti Topi: Gjithçka që ngjiste gjatë kohës kur ishte gjallë Enver Hoxha është ngulitur thellë në kujtesën time. Shqiptarët ishin të dënuar me vuajtje kolektive. Disa u ballafaquan në mënyrë direkte me këto vuajtje, të tjerë i përjetuan idirekt. Jetonim në një shoqëri plotësisht të kontrolluar në të cilën nuk kishte liri të shprehjes, liri të lëvizjes si dhe asnjë lloj lirie ekonomike. Kjo kohë e Hoxhës shkaktoi shumë varfëri. Sot popullsia e Shqipërisë, relativisht e re, jeton e punon në kapitalizëm. Ajo pjesë e njerëzve që ende janë nostalgjikë për kohën e Enver Hoxhës nuk ka më asnjë ndikim.

Pyetje: Kur do ta paraqesë Shqipëria kërkesën për kandidaturë në BE?

Presidenti Topi: Mendoj se kërkesa jonë për anëtarsim të plotë do të bëhet në një të ardhme të afërt.

Pyetje: Në Shqipëri, në fund të muajit qershor, do të mbahen zgjedhjet parlamentare. A do të jenë të ndershme, duke marrë parasysh vërejtjet se zgjidhjet e mëparshme nuk kanë qenë krejtësisht të ndershme?

Presidenti Topi: Nëse zgjedhjet e qershorit do të jenë të lira, korrekte dhe të ndershme, ato do të jenë vendimtare për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Zgjedhjet e mëparshme në Shqipëri nuk mund të përshkruhen si të ndershme. Kësaj here parlamenti shqiptar ka miratuar në kohën e duhur një ligj zgjedhor, gjë e cila do të thotë se ekziston konsensus që zgjedhjet do të jenë korrekte.

Pyetje: Ju nuk keni firmosur ligjin kontravers mbi lustracionin, por edhe nuk e keni kundërshtuar?

Presidenti Topi: Ligji është shkruar që para dhjetë vitesh. Edhe atobotë isha i përfshirë në politikë dhe një nga mbështetësit më zjarrtë të hapjes së dosjeve. Mendoja edhe asokohe edhe tani po kështu mendoj, se njerëzit që duan të bëjnë karrierë politike duhet të jenë të pastër. Lustracioni ka qenë temë e një disktuimi të gjërë në shoqërinë shqiptare. Më në fund ligji u votua në parlament nga shumica në qeveri. Mund të firmosja, ta kundërshtoja ose të heshtja. Kjo e fundit nënkupton se ligji hyn në fuqi me automatizëm. Përherë kam qenë mbështetës i hapjes së dosjeve. Por, ka patur shumë çështje mbi kushtetutshmërinë e këtij ligji. Për shkak të këtyre qëndrimeve kundërshtuese vendosa heshtjen. Partitë e opozitës dhe disa organizata kanë kërkuar mendimin e Gjykatës kushtetuese, e kjo e fundit i është drejtuar Komisonit të Venecias (Komisioni Europian për demokraci nëpërmjet së drejtës) për këshillim. Në fund Gjykata kushtetuese mori vendimin për ngrirjen e zbatimit të këtij ligji derisa të arrijë sugjeirmi nga Venecia.

Pyetje: Sipas organizatave që matin korrupsionin Shqipëria qëndron ende lart. A mendoni se do ta fitoni luftën kundër korrupsionit?

Presidenti Topi: Është bërë një përparim i madh në luftën kundër korrupsioniot në Shqipëri. Por ky përbindësh ende ekziston. Njerëzit që ndeshen me korrupsionin më shkruajnë letra, por informacionet mbi të i marr edhe nëpërmjet kanaleve zyrtare. Korrupsioni është si puna e virusit që mbërthen tërë organizmin. Ka hyrë në institucionet publike dhe ato të drejtësisë. Korrupsioni është zgjeruar edhe në sektorin privat. Në luftën kundër korrupsionit na duhet të gjejmë metoda institucionale, por edhe të fitojmë mbështetjen e gjërë publike.

Pyetje: Kroacia këtë vit do të heqë vizat për qytetarët e Shqipërisë. A do të ketë pastaj marrëdhënie më të mira ekonomike mes dy vendeve?

Presidenti Topi: Jam takuar me Presidentin Mesiç, me Kryeministrin Sanader dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të vendit tuaj. Marrëdhëniet politike mes nesh janë më të mirat në histori, gjë e cila do të thotë se duhet të fillojnë të zhvillohen edhe ato ekonomike. Kemi projekte të përbashkëta dhe të tilla do të ketë akoma më shumë kur të bëhemi antarë të së njejtës familje, NATO-s dhe Bashkimit Europian.

Pyetje: Në takimin e fundit të kryeministrave Sanader e Berisha në Zagreb, u fol për mundësinë që Shqipëria dhe Kroacia të ndërtojnë bashkërisht një central bërthamor.

Presidenti Topi: Çështja e energjisë është një temë shumë e nxehtë. Me rastin e vizitës së fundit të Presidentit francez Sarkozi në Itali është biseduar për ndërtimin e centraleve bërthamore. Sot ende nuk jam në gjendje të them se nëse Shqipëria do të ndërtojë ndonjë central bërthamor me këtë apo me atë shtet, por këtë do ta bisedojmë në mënyrë që të rritim me kujdes burimet tona energjetike. Tani për tani Shqipëria më së shumti varet nga hidropotencialet, por po këmbëngulim të rritim edhe burimet nga termocentralet. Po, në të ardhmen planifikojmë të ndërtojmë central bërthamor, por për këtë akoma nuk kemi vendime konkrete.

Pyetje: Para pak kohësh keni vizituar Kosovën. Si do ta përshkruanit raportin tuaj ndaj këtij shteti duke patur parasysh faktin shumë të ndjeshëm se edhe atje jetojnë shqiptarë etnikë?

Presidenti Topi: Ka kaluar një vit qëkur Kosova u bë e pavarur. Udhëheqja kosovare po e drejton vendin e saj me sukses, në kuadrin e vendosur nga bashkësia ndërkombëtare. Ajo që theksohet gjithandej është se Kosova po ndërton një shoqëri multietnike. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka ftuar Presidentin serb Boris Tadiç që të vizitojë Prishtinën. Mendoj se tani është koha e duhur që të çlirohemi nga ngarkesa e së kaluarës, skenarë që kanë prodhuar vuajtje në mbarë Ballkanin. Kjo është koha për bashkëpunim politik dhe ekonomik të të gjithë vendeve të Ballkanit.

Pyetje: Vendimi shqiptar që të lëshojë një port shqiptar për nevojat e Kosovës si dhe ndërtimi i autostradës që do të lidhë të dy shtetet ka shkaktuar spekullime se po punohet në njëfarë mënyre për përgatitjen e një bashkimi të mundshëm të të dy vendeve. Çfarë keni për të thënë për këtë?

Presidenti Topi: Do t’ju përgjigjem në mënyrë direkte. Kur gjatë verës së kaluar Presidenti maqedon Crvenkovski vizitoi Shqipërinë, shprehu dëshirën që ti mundësojmë Maqedonisë hyrjen në portin tonë në Durrës. Përgjigja jonë ishte se Porti i Durrësit është i hapur më përputhje me politikën tonë për lëvizjen e lirë të mallrave dhe të njerëzve. Në këtë kuptim po ndërtojmë edhe autostradën Durrës-Kukës-Prishtinë, në mënyrë që të mundësojmë lidhje jo vetëm me Kosovën, por me tërë rajonin, me qëllim që të gjithë ta kenë më të lehtë daljen në detin Adriatik. Lëshimi i porteve tona dhe i kapaciteteve të tyre kontribuon në zhvillimin e mbarë rajonit. Dhe kur vjen në pyetje Kosova, ajo do të ketë përfitmim nga kjo, por nga ana tjetër do të ketë përfitim edhe Shqipëria. Kjo, megjithatë nuk ka asnjë lidhje me spekullimet për ndonjë bashkim.

Pyetje: A i kanë cënuar qëndrimi juaj për Kosovën dhe marrëdhëniet tuaja me këtë shtet, marrëdhëniet tuaja me Serbinë?

Presidenti Topi: Për këtë nuk bëhet fjalë. Kur më pyetën për Shqipërinë e madhe, mbi atë nëse duan që Shqipëria dhe Kosova të bashkohen, unë u thashë shumë haptazi, se Shqipëria e Kosova së bashku me vendet e tjera të rajonit do të bashkohen, por në Bruksel, qendra administrative e Europës së Bashkuar dhe seli e NATO-s. Atëbotë madje edhe ata më ambiciozët do të pushojnë në mënyrë përfundimtare nga ideja e të kthyerit prapa.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›