Kryeministri Berisha takohet me delegacionin amerikan të kryesuar nga Ambasadorja e SHBA në NATO, Victoria Nuland
Kryeministri Berisha priti sot në një takim delegacionin amerikan të kryesuar nga Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO, Victoria Nuland. Në këtë delegacion merrnin pjesë edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, John L. Withers II, përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë, të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe përfaqësues të Pentagonit.
Kryeministri falënderoi qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidentin Bush për përkrahjen dhe mbështetjen që po i japin Shqipërisë për anëtarësimin në NATO.
Gjithashtu, Kryeministri ripërsëriti vlerësimin se vizita e Presidentit Bush në Shqipëri ishte historike.
Në fjalën e tij Kryeministri e cilësoi integrimin e Shqipërisë si prioritetin kryesor të qeverisë shqiptare.
Gjatë takimit Kryeministri Berisha bëri një përmbledhje të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, si dhe rezultateve të arritura në fusha të tilla si lufta kundër krimit, korrupsionit dhe trafiqeve të paligjshme, si dhe në kontrollin e kufijve e luftën kundër krimit ekonomik.
Shqipëria, vijoi më tej Kryeministri ka bërë hapa të mëdha përpara në të gjitha drejtimet dhe ka arritje serioze në këto fusha, duke veçuar luftën kundër krimit dhe korrupsionit, siç dëshmojnë statistikat zyrtare të vendeve fqinje. Kryeministri theksoi se indeksi i krimit në Shqipëri është në nivele të ulëta, të njëjta me atë në vendet anëtare të NATO-s dhe se vendi është më i sigurt se kurrë më parë.
Më tej, Kryeministri bëri një përmbledhje të reformave të ndërmarra në fushën e zhvillimit ekonomik, lehtësimin e procedurave dhe barrës fiskale burokratike për biznesin, uljen e taksave duke kthyer Shqipërinë në vendin me barrën fiskale më të ulët në Europë.
Kryeministri e vuri theksin në reformat e ndërmarra për thithjen e investimeve të huaja, rritjen e turizmit, aplikimin e taksës elektronike, prokurorimeve publike elektronike, ombudsman-it të prokurimeve publike si dhe reformat në sektorin e arsimit.
Gjithashtu Kryeministri u ndal në reformat e suksesshme në fushën e Mbrojtjes, duke shprehur vendosmërinë e qeverisë për të shndërruar në vitin 2010, Forcat e Armatosura shqiptare në një ushtri tërësisht profesioniste, të aftë për t`u shpalosur përkrah ushtrive të NATO-s në misionet paqeruajtëse në botë. Kryeministri theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë dhe i vendeve të A3 në NATO do ta bënte më të sigurt krahun Juglindor të Aleancës. Në këtë kontekst, Kryeministri nënvizoi se populli shqiptar ndan të njëjtat vlera me vendet anëtare të NATO-s, ndërsa vlerësoi se kombi shqiptar është i mirënjohur për tolerancën etnike dhe fetare.
Në takim u diskutua zhvillimi i Shqipërisë dhe ecuria e reformave, si dhe lufta kundër krimit, korrupsionit dhe trafiqeve ilegale. Zonja Nuland shprehu mirënjohje për kontributin e Shqipërisë në luftën kundër terrorit dhe falënderoi për pritjen e ngrohtë qe iu bë Presidentit Bush. Gjithashtu, në takim u diskutuan edhe çështjet rajonale dhe aspiratat e vendeve të Kartës së Adriatikut për anëtarësim në NATO."