Kryeministri Berisha njihet me projektin e një grupi biznesmenësh dhe ambjetalistësh vlonjatë për Parkun Industrial në Vlorë
Kryeministri Berisha priti në zyrën e tij një grup biznesmenësh dhe ambietalistësh nga Vlora, të cilët, në emër të Konsorciumit për Parkun Industrial në Vlorë, paraqitën projektin e tyre për këtë zhvillim.
Ata falënderuan Kryeministrin për iniciativën e qeverisë për shndërrimin e Parkut energjetik të Vlorës në zonë industriale të saj. Kjo i dha shkas zhvillimit prej tyre të këtij projekti të paraqitur. Ky projekt konsiston në zhvillimin e sipërfaqes në fjalë në një zonë zhvillimi, Park Industrial, që do t’i përkasë komunitetit lokal dhe do të zhvillohet prej tij. Kjo zonë industriale do të bashkojë frymën sipërmarrëse të biznesit privat me dëshirën e qytetarëve të Vlorës për të pasur një ambient natyror sa më miqësor. Kjo zonë industriale do të ketë në bazë të saj punësimin e sa më shumë qytetarëve vlonjate nga bizneset vendase dhe të huaja, përqasjen vetëm të bizneseve miqësor me mjedisin, promovimin e teknologjive të reja dhe sigurimin e energjisë me burime alternative. Ky Park Industrial do të jetë një tjetër shembull i zbatimit të iniciativës së qeverisë “Shqipëria një euro”.
Kryeministri Berisha, pasi përshëndeti këtë iniciativë interesante të biznesit dhe ambientalistëve vlonjate, i siguroi ata se qeveria do të mbështesë dhe nxisë zhvillimin dhe zbatimin e këtij projekti në mënyrë sa më të favorshme për të gjithë komunitetin e Vlorës. Ai premtoi mbështetje për zhvillimin e infrastrukturës së këtij parku, si dhe përshpejtim dhe asistencë për të gjitha procedurat e domosdoshme. Ai tha gjithashtu se qeveria do ta mbështesë me përparësi këtë projekt propozim të parë që aq më tepër promovohet dhe zhvillohet në zonën e Vlorës nga vet qytetarë vlonjate.
Kryeministri nxiti iniciatorët e Konsorciumit që të fillojnë menjëherë procedurat për zbatimin e projektit, duke premtuar përshtatjen e ligjeve dhe rregulloreve aty ku të jetë e nevojshme. Gjithashtu, Kryeministri premtoi trajtim me avantazh të problemeve që do të lindin gjatë zbatimit të projektit. Për këtë qëllim, vijoi Kryeministri, qeveria ka parashikuar edhe fond në buxhetin e shtetit.
Gjithashtu, Kryeministri i siguroi ata se, për të lehtësuar dhe mbështetur punën e këtij projekti të madh, qeveria do t’i ndihmojë ata dhe me konsulencë të huaj. Ai u sugjeroi bashkëpunim të ngushtë edhe me pushtetin vendor dhe gjithë grupet e interesit dhe strukturat mbështetëse.