E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha njihet me një projekt që synon prodhimin e energjisë bërthamore në Shqipëri

Kryeministri Berisha ka pritur sot në zyrën e tij përfaqësues të Westinghouse dhe Camozzi Holding spa.

Pasi i kanë raportuar për ecurinë e investimit të tyre në ngritjen e një fabrike për prodhimin e pjesëve të këmbimit për indrustrinë bërthamore në Durrës, përfaqësuesit e Camossi Holdin sps i kanë prezantuar kryeministrit Berisha interesin e kompanisë së tyre dhe Westinghouse (një kompani e mirënjohur kjo në Amerikë për prodhimin e reaktorëve bërthamorë) për të prodhuar edhe në Shqipëri energji bërthamore. Kryeministri Berisha pasi ka prezantuar situatën energjetike në Shqipëri, me programin dhe reformat që ka ndërmarrë qeveria në këtë drejtim, u ka bërë me dije përfaqësuesve të këtyre dy kompanive se qeveria që ai drejton është e hapur për futjen e energjisë bërthamore në Shqipëri. Pasi të vlerësohet dhe të studiohet në mënyrë të gjithanshme problemi, në kuadrin e përfshirjes së të gjitha alternativave për të siguruar energjinë elektrike në vend, do të konsiderohet edhe ndërtimi i një centrali bërthamor në Shqipëri.

Në këtë kuadër, ka theksuar më tej Kryeministri, qeveria do të përgatisë ligjin atomik sipas standardeve ndërkombëtare, do të ngrejë strukturat e kërkuara dhe procedurat e duhura. Për këtë qëllim, qeveria do të konsultohet dhe bashkëpunojë ngushtë me agjencinë bërthamore të Vjenës.

Më tej, Kryeministri u ka bërë me dije përfaqësuesve se Shqipëria do të vazhdojë të nënshkruajë të gjitha traktatet dhe konventat ekzistuese të pa nënshkruara akoma; se Shqipëria do të krijojë të gjitha instancat rregullatore sipas standardeve të komisionit të energjisë atomike të sigurisë nukleare, të sistemit të kontollit dhe inspektoriateve të sigurisë. Bashkëpunimi i qeverisë, ka vijuar më tej Kryeministri, me instancat përkatëse të Bashkimit Evropian do të jetë i pandarë. Qeverisa shqiptare e konsideron energjinë bërthamore si pjesë të diversifikimit të burimeve energjetike të saj. Ajo synon që në të ardhmen ta kthejë Shqipërinë në një qendër prodhuese dhe eksportuese të energjisë në rajon.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›