E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me diasporën shqiptare në Hungari: Jeni ambasadorë të shkëlqyer në marrëdhëniet mes dy vendeve

Në vijim të vizitës së tij në Budapest, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me përfaqësues  të  diasporës në Hungari dhe miq të Shqipërisë atje, në një aktivitet të organizuar në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë.

Kryeministri Berisha vlerësoi në fjalën e tij se shqiptarët që jetojnë në Hungari, por edhe miqtë hungarezë të Shqipërisë janë ambasadorë të shkëlqyer në marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Këto marrëdhënie janë cilësore dhe shkojnë në shekuj, marrëdhënie përpjekjesh të përbashkëta për liri e dinjitet, në të cilat ka momente jashtëzakonisht të rëndësishme për historinë e Shqipërisë.

Këto 20 vite, theksoi Kryeministri, të dy vendet kanë pasur marrëdhënie të shkëlqyera dhe kanë shkëmbyer vizita të ndërsjellta të niveleve më të larta. Duke iu referuar takimeve të tij të rëndësishme në këtë vizitë, Kryeministri tha se me të gjithë personalitetet u ra dakord se është e nevojshme të bëhet shumë më tepër në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve.

Kryeministri u shpreh se Shqipëria është një vend i vogël, me në klimë gjithnjë e më të mirë për biznesin, por është edhe një vend me potenciale shumë të mëdha në shumë fusha. “Unë ju garantoj se nuk ka asnjë vend tjetër që ka ndryshuar dhe ndryshon më me shpejtësi se Shqipëria. Ndaj unë do të vlerësoja shumë që ju të inkurajonit miqtë tuaj, por dhe ju vet, të vini e të investoni në Shqipëri, ku ndër të tjera, do të gjeni një faktor shumë ndihmues e vlerësues; miqësinë tradicionale midis shqiptarëve dhe hungarezëve”, nënvizoi Kryeministri.

Në këtë takim, Ambasadorja e Shqipërisë në Hungari, znj. Mira Hoxha, prezantoi  edhe Konsullin e Nderit të Shqipërisë për zonën e Pecs-it, zotin Avni Hafuzi. Kryeministri shprehu besimin se, me kontributin e tij, z. Hafuzi do të japë ndihmë të çmuar në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri u shpreh:

 “Të dashur miq hungarezë dhe shqiptarë,

Është një kënaqësi e veçantë për mua t’ju falënderoj përzemërsisht që jeni sot këtu, por edhe të shpreh besimin tim se ju të gjithë jeni ambasadorë të shkëlqyer në marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Marrëdhëniet midis dy kombeve dhe vendeve tona janë marrëdhënie të cilat shkojnë në shekuj, marrëdhënie cilësore, lufte të përbashkët për liri e dinjitet. Por janë edhe marrëdhënie në të cilat ka momente jashtëzakonisht të rëndësishme në historinë e Shqipërisë.

Ne sapo inauguruam një ekspozitë për 90 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona. Ne shqiptarët, këtë vit festojmë 100 vjetorin e pavarësisë. Këto kanë qenë 100 vite me vështirësi shumë të mëdha, kemi përjetuar shumë vështirësi sa nuk mund të përjetojë asnjë komb tjetër edhe për 500 vite. Por sot jemi një komb i lirë. Në këtë 100 vjetor ne nderojmë, në mënyrë të veçantë, etërit e pavarësisë sonë, Ismail Qemalin e të tjerë. Por gjithashtu rikujtojmë gjithnjë me nderimin më të madh këtë qytet dhe këtë vend, në të cilin 100 vjet më parë, para se të vinte në Shqipëri, Ismail Qemali u prit nga Sekretari i Shtetit Konti Hadik dhe ministri i Jashtëm i asokohe i Perandorisë austro- hungareze. Në atë kohë, kur në të gjitha variantet e Fuqive të Mëdha të asaj periudhe, shqiptarët duhet të shuheshin si nocion politik në Evropë, Konti Hadik dhe ministri i jashtëm inkurajuan, këshilluan Ismail Qemalin dhe ndihmuan atë që të niset për në Shqipëri dhe për të shpallur pavarësinë. Realisht, përveç Austro-Hungarisë, në atë periudhë nuk di ndonjë shtet tjetër që donte pavarësinë e Shqipërisë. Historia provoi se në vitet që erdhën më pas, në vitet 13 -15 dhe 20, u bënë të gjitha projektet për copëtimin e të gjitha trojeve shqiptare. Por këto projekte nuk u realizuan dot tërësisht, sepse në nëntor të vitit 1912, vetëm pak kohë pas takimit me Kontin Hadik dhe ministrin e Jashtëm, Ismail Qemali shpalli pavarësinë në Vlorë.

Si margaritar në kurorën dhe trashëgiminë e marrëdhënieve tona, padyshim që qëndron Mbretëresha Geraldinë. Kjo bijë fisnike e kombit hungarez jetoi vetëm një vit në Shqipëri dhe, si shumica apo të gjitha Familjet Mbretërore të asaj kohe, u detyrua të largohej nga vendi, pas pushtimit nazifashist të vendit. Mbretëresha Geraldinë ishte pa mëdyshje Mbretëresha më e bukur ndër të gjitha mbretëreshat e tjera të Kontinentit. Por legjenda e saj e vërtetë ishte dashuria për shqiptarët dhe Shqipërinë që ajo e ruajti deri në orën e fundit të jetës së saj.

Pas luftës, ne përjetuam diktaturat komuniste. Kombi hungarez u bë një komb frymëzim për kombet e tjera, me revolucionin e vitit 56. Mënyra se si ju realizuat daljen nga diktatura, ishte një nga momentet më frymëzuese për të gjitha kombet e tjera.

Këto 20 vite kemi pasur marrëdhënie dhe kemi shkëmbyer vizita të ndërsjellta të niveleve më të larta. Në të gjitha takimet e mia të sotme, me Kryeministrin Orban, me të cilin kam pasur një takim të shkëlqyer, me Kryetarin e Parlamentit, me Ministrin e Jashtëm, kemi rënë dakord se është e nevojshme të bëjmë shumë më tepër, në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve. Hungaria është një vend i zhvilluar, një fqinj i Austrisë. Austria është investitori i tretë më i madh në Shqipëri. Nuk di asnjë arsye se përse Austria të mos jetë një nga investitorët kryesor në Shqipëri. Shqipëria është një vend i vogël, me në klimë gjithnjë e më të mirë për biznesin, por është edhe një vend me potenciale shumë të mëdha në disa fusha, në fushën e energjisë ujore, ku ajo është një lloj Norvegjie në Ballkan. Ujërat e saj, të mbledhura së bashku, bëjnë pothuajse Danubin. Por, nëse rrjedhën e qetë të Danubit e dëmtojnë digat, lumenjtë tanë mund të shfrytëzohen në mënyrë të shkëlqyer me sisteme tunelesh dhe të tjera, duke respektuar mjedisin dhe duke dhënë një sasi të konsiderueshme energjie, veçanërisht në pikun.  Cilido që fluturon mbi Shqipëri dhe ndalon në aeroportin e Rinasit, në minutat e fundit të fluturimit të tij, ka një shanc unik, të shohë nga ajri një “Zvicër” me male të mbuluara me borë pa fund, por edhe me det, një nga brigjet më të bukura. Natyrisht, Shqipëria sot nuk është Zvicër, është larg saj dhe kërkohen investime dhe punë e madhe për transformimet e aj, por unë ju garantoj se nuk ka asnjë vend tjetër që ka ndryshuar dhe ndryshon më me shpejtësi se Shqipëria. Ndaj unë do të vlerësoja shumë që ju të inkurajonit miqtë tuaj, por dhe ju vet, të vini e të investoni në Shqipëri, ku ndër të tjera, do të gjeni një faktor shumë ndihmues e vlerësues; miqësinë tradicionale midis shqiptarëve dhe hungarezëve. Unë gjej rastin të falënderoj shumë përzemërsisht mikun tim Kontin  Bachanek, që në ditët e para ndihmoi revolucionin në Shqipëri. Ai ka vizituar disa herë Shqipërinë dhe është një Ambasador i shkëlqyer i Shqipërisë në vendin tuaj. Por kemi edhe shumë miq të tjerë nga ky vend. Ndaj unë do ta mbyll këtë fjalë, duke shpresuar se do t’ju takoj në Tiranë. Faleminderit”.


20/03/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›