E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha zhvillon një takim me Kryetarin e Bashkisë së Budapestit z. Istvan Tarlosh

Gjatë vizitës së tij në Hungari, kryeministri Berisha u prit në një takim edhe nga Kryetari  i Bashkisë së Budapestit  zoti Istvan  Tarlosh.  Duke i uruar përzemërsisht mirëseardhjen, Kryetari i  Bashkisë Tarlosh, u shpreh se ndihej shumë i lumtur që mirëpret në Budapest kryeministrin Berisha, një mik të shquar të këtij vendi. 

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha e falënderoi  z. Tarlosh për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i shprehu atij kënaqësinë e veçantë që vizitonte Budapestin, qytet ku njëqind vjet më parë  Ismail  Qemali dhe patriotë të tjerë, zhvilluan një takim jashtëzakonisht të rëndësishëm për pavarësinë e shtetit shqiptar, me kontin Hadik dhe Ministrin e Jashtëm të austro-hungarisë Kontin Bertochd, pavarësi e cila u shpall në një kohë shumë të shkurtër pas këtij takimi.

Gjithashtu në takim u rikonfirmuan marrëdhëniet tradicionale miqësore midis të dy popujve dhe vullneti për ti zgjeruar e thelluar  ato në të ardhmen.

Më tej, Kryetari i Bashkisë së Budapestit,  z. Tarlosh e informoi kryeministrin Berisha për bashkëpunimin e vendosur tashme me Bashkinë e Tiranës dhe kryebashkiakun  Basha dhe se pret me kënaqësi të vijë për vizitë në Tiranë për të evidentuar fushat për thellimin e këtij bashkëpunimi, i cili ka filluar me sukses në fushën e kulturës me dy ngjarje të rëndësishme, vendosjen e statujës së Skënderbeut  së shpejti në një sheh të rëndësishëm në Budapest, por edhe me emërtimin e një rruge të Tiranës "Janos Hunyad",  në kujtim të heroit të njohur të kombit hungarez,  i cili luftoi në të njëjtën periudhe historike me Skënderbeun për liri dhe ruajtjen  e vlerave të përbashkëta të qytetërimit Europian.

Në takim u rikonfirmua vullneti që ky fillim i suksesshëm të zgjerohet duke përfshirë bashkëpunimin ekonomik, shkëmbim përvojash dhe nxitjen e investitorëve të rëndësishëm hungarez, për të investuar në qytetin e Tiranës dhe në mbarë Shqipërinë.

Të dy bashkëbiseduesit  vlerësuan bashkëpunimin dhe mbështetjen  e ndërsjellë e të dy kombeve gjatë periudhave të ndryshme historike.  Duke u ndalur në figurën e mbretëreshës Geraldinë, të cilën Kryeministri Berisha, e cilësoi si margaritarë në kurorën e marrëdhënieve të shkëlqyera midis të dy vendeve,  Kryeministri  theksoi se ajo është Mbretëresha e parë e shqiptarëve në kohët moderne.

"Mbretëresha Geraldinë  përbën një trashëgimi të madhe midis të dy kombeve dhe vendeve  tona. Ajo, jetoi vetëm një vit në Shqipëri.  Ajo ishte mbretëresha më e bukur e kontinentit, por legjenda e saj ishte dashuria e saj për vendin dhe kombin tim", theksoi kryeministri Berisha.

Për nder të Kryeministrit Berisha dhe delegacionit që e shoqëronte Kryetari i Bashkisë së Budapestit shtroi një drekë, e cila kaloi në një atmosferë të ngrohtë e miqësore


20/03/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›