Kryeministri Berisha viziton Muzeun e Terrorit, në Hungari
Kryeministri Berisha vizitoi sot, Muzeun e Terrorit, i cili i dedikohet krimeve dhe torturave të regjimit fashist dhe atij komunist në Hungari.
Ky muze, i vendosur në ish-ndërtesën e policisë sekrete komuniste hungareze, u hap 10 vjet më parë dhe është i pari muze i këtij lloji i hapur në vendet ish-komuniste, duke shërbyer si model për vendet e tjera. Pjesën më të madhe të pavioneve e zinin viktimat dhe persekucioni i periudhës së terrorit shtetëror komunist. Pavarësisht rezistencës nga përfaqësues të majtë të spektrit politik, hapja e këtij muzeu ka shënuar interes të jashtëzakonshëm duke regjistruar mbi 4 milion vizitorë.
Në takimin me drejtues të Muzeut, si dhe me Kryetarin e Bashkisë, Kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e paçmuar që muze të tillë kanë për historinë dhe kujtesën e një kombi. Ai u shpreh se ato i shërbejnë edukimit të brezave të rinj, në mënyrë që krime dhe tragjedi të tilla që zhveshën njeriun nga dinjiteti njerëzor dhe të drejtat themelore, të mos përsëriten kurrë më.
Kryeministri nënvizoi nevojën e ngritjes së një muzeu të tillë dhe në Shqipëri, ku brezat të kenë mundësi të shohin mizoritë e diktaturës komuniste, përfshirë vuajtjet e shkaktuara nga politika hiperkolektiviste e atij regjimi mizor.
Drejtues të muzeut shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar dhe ndihmuar në këtë drejtim.
20/03/2012