E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi pret Ambasadoren e re të Republikës së Çekisë, Bronislava Tomashova

20 mars 2012

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot paradite edhe Ambasadoren e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplote të Republikës së Çekisë, Bronislava Tomashova, e cila paraqiti Letrat-Kredenciale.

Presidenti Topi, pasi i uroi mirëseardhjen në vendit tonë, e siguroi Ambasadoren çeke për mbështetjen e tij institucionale gjatë misionit të saj në përfaqësimin diplomatik të një vendi mik, duke vënë në dukje marrëdhëniet shumë të mira tradicionale dypalëshe, nivelin e lartë të dialogut politik si dhe duke theksuar nevojën për rritjen e zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes Shqipërisë dhe Çekisë.

Gjatë takimit u shpreh interesi dhe vlerësimi reciprok për thellimin e marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve jo vetëm në fushën politike, por edhe në atë ekonomike duke i kushtuar një vëmendje të veçantë fushës energjitike, turizmit, zhvillimit të infrastrukturës, arsimit, etj.

Ambasadorja e re çeke, zonja Bronislava Tomashova, pasi e falenderoi Kryetarin e Shtetit shqiptar për mikpritjen, shprehu mbështetjen e Republikës së Çekisë për realizimin e aspiratës integruese evropiane të Shqipërisë si dhe e siguroi Presidentin Topi se zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve do të jetë objektivi kryesor i mandatit të saj diplomatik.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›