Vizita e Zëvendëskryeministrit, z. Gazmend Oketa në SHBA

Në datat 26-29 nëntor, Zëvendëskryeministri, z. Gazmend Oketa zhvilloi një vizitë në Washington DC SHBA. I ftuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në SHBA, Zëvendëskryeministri mori pjesë në festimin e festës sonë kombëtare. Në një atmosferë festive, me pjesëmarrës të shumtë nga diaspora dhe trupi diplomatik në Washington, Zëvendëskryeministri mbajti fjalën, në të cilën duke evokuar përpjekjet shqiptare për liri e pavarësi, theksoi prioritetet e integrimit euro-atlantik dhe zhvillimin e mëtejshëm të reformave.
Gjithashtu, zoti Oketa u ndal në çështjen e Kosovës. Duke theksuar dimensionin kombëtar të kësaj çështjeje, ai theksoi rëndësinë e pavarësisë së Kosovës, për stabilitetin në rajon. Ai ftoi klasën politike kosovare të tregojë maturitet dhe të bashkërendojë veprimet me SHBA për zgjidhjen përfundimtare të statusit. Ai riktheu në kujtesë ndihmën që Presidenti Wilson i dha kombit shqiptar, si dhe mesazhin e Presidentit Bush gjatë vizitës së tij në Tiranë.
Në kuadrin e kësaj vizite, Zëvendëskryeministri zhvilloi një sërë takimesh të tjera, ku veçohet takimi me Zëvendëssekretarin e Mbrojtjes, zotin Gordon England.
Zëvendëskryeministri e informoi z. England për reformat e ndërmarra, duke theksuar së marrja e ftesës për anëtarësim në NATO është një prioritet dhe qeveria shqiptare po ndërmerr të gjitha hapat e nevojshëm për përmbushjen e reformave, duke e konsideruar anëtarësimin si vlerësim që duhet merituar dhe jo si dhuratë. Zëvendëskryeministri informoi gjithashtu bashkëbiseduesin për zgjedhjen e Prokurores së Përgjithshme, e cila u zgjodh edhe me vota nga opozita, si një kandidaturë e mirëpritur për karrierën dhe profesionalizmin e saj.
Z. England, i informuar për punën që po bën qeveria shqiptare për anëtarësimin në NATO, çmoi prezencën e trupave shqiptare në Afganistan dhe Irak dhe theksoi se qeveria shqiptare duhet të jetë krenare për misionin e tyre.
Zëvendëskryeministri gjithashtu zhvilloi një takim me Zëvendës Asistentin kryesor të Sekretares së Shtetit, zotin Kurt Volker, përfaqësues të NDI dhe MCC