Kryeministri Berisha takohet me një grup investitorësh italianë, të kryesuar nga senatori Karlo Bernini
Kryeministri Berisha priti sot në një takim një grup investitorësh italianë përfaqësues të Shoqërisë italiane të kompanive të ndërtimit të rrugëve, të kryesuar nga senatori Karlo Bernini. Investitorët italianë paraqitën projektet e tyre për financimin e autostradës Tiranë-Elbasan, si dhe interesin e tyre për akse të tjera rrugore si atë Thumanë-Rrogozhinë, rrugën e Arbrit apo Aksin e Jugut. Gjithashtu, Zoti Bernini i paraqiti kryeministrit Berisha interesin e kompanive italiane për të financuar dhe menaxhuar shërbimet spitalore.
Kryeministri Berisha duke i falënderuar investitorët për interesin e shfaqur në sektorin e infrastrukturës rrugore, i njohu ata me zhvillimet më të fundit ekonomike në Shqipëri, si dhe me rezultatet e reformave të ndërmarra nga qeveria në disa prej fushave më të rëndësishme. Kryeministri theksoi se qeveria që ai kryeson, ka si prioritet kryesor në këtë mandat të sajin, ndërtimin e infrastrukturës së rrugëve kryesore dhe dytësore. Në këtë kuadër u shpreh kryeministri, ky projekt është i mirëpritur dhe mbështetur nga qeveria.
Gjithashtu, Kryeministri u shpreh se do të shihet me interes dhe projekti i propozuar në fushën e shëndetësisë për menaxhimin e shërbimeve spitalore.