Kryeministri Berisha: Këtë vit qeveria investon 80 milionë euro për përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë në të gjithë vendin
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të rrjetit shpërndarës të furnizimit me ujë të plazhit e Golemit, i cili fillon nga Konvaleshenca deri në Qerret. Ujësjellësi, i cili është bashkëfinancim i qeverisë gjermane dhe buxhetit të shtetit, me vlerë rreth 3.2 milionë euro, do të furnizojë me ujë pandërprerë rreth 30 000 banorë të përhershëm dhe 50 000 banorë në kohë piku.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh se ky është një tjetër premtim i mbajtur i qeverisë, e cila është e vendosur dhe e përkushtuar që të rrisë gjithnjë e më shumë investimet për përmirësimin e furnizimit me ujë të qytetarëve.
“Ky inaugurim është një tjetër premtim i mbajtur i qeverisë time. Në këtë projekt, financim i qeverisë gjermane dhe buxhetit të shtetit, janë investuar 3.2 milionë euro. Vetëm pak javë më parë ne inauguruam në këtë zonë rezervuarin dhe veprën e filtrimit të ujit në Maskuri, ndërsa sot inaugurojmë lidhjen me të gjithë rrjetin për qytezën e Golemit dhe zonën e plazhit, duke bërë të mundur furnizimin e më ujë pandërprerë të kësaj zone”, u shpreh Kryeministri.
Vetëm këtë vit, u shpreh Kryeministri, qeveria investon me rreth 80 milionë euro në mbarë vendin për përmirësimin e rrjeteve të furnizimit me ujë të qytetarëve.
“Çdo vit ne do të rrisim investimet me qëllim që brenda një kohe sa më të shkurtër të mundësojmë që shqiptarët, kudo që ndodhen në territorin e këtij vendi, të kenë furnizim me ujë 24 orë dhe të jetë i cilësisë më të mirë”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha u shpreh se investime serioze dhe shumë të rëndësishme po bëhen në sistemin e kanalizimeve të ujërave të zeza në zonën e Golemit dhe se muajin e ardhshëm fillon puna ndërtimin e këtij sistemi.
“Ujërat e pastra janë një nga qëllimet me kryesore të qeverisë tonë. Në tërësi ujërat në Shqipërisë janë nga më të pastërtat, por ujërat e bregut duan një vëmendje më të veçantë. Në këtë kontekst, pastërtia e tyre është kusht për shëndetin e qytetarëve”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Golemit z. Agron Agalliu, ministri i Transporteve, Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit z. Sokol Olldashi dhe deputeti i zonës z. Luan Skuqi, vizitoi një nga familjet e plazhit të Golemit, familjen e z. Fadil Shahini, si dhe u takua me disa pushues që po pushojnë në bregdetin e Golemit.