Kryeministri Berisha takohet me qytetarë të Devollit
Në vijim të turit “Shqipëria në NATO”, Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me qytetarët e Devollit.
Në fjalën e tij përshëndetëse Kryeministri Berisha prezantoi reformat e ndërmarra nga qeveria, të cilat mundësuan anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Kryeministri siguroi qytetarët e Devollit dhe mbarë qytetarët shqiptarë se qeveria po punon me përkushtim për realizimin e të gjitha reformave të domosdoshme, me synim kryesor përmbushjen në një kohë sa më të shpejtë të dy projekteve të mëdha kombëtare, anëtarësimin e plotë në NATO dhe në BE.
Më pas Kryeministri bëri një përmbledhje të arritjeve konkrete të punës së qeverisë në të gjitha fushat, duke veçuar luftën me zero tolerancë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjithashtu Kryeministri e vuri theksin në reformat ekonomike të qeverisë si dhe rritjen e investimeve në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, bujqësi dhe fusha të tjera.
Në fjalën e tij Kryeministri Berisha u shpreh:
Kam ardhur shpesh këtu dhe do të vij por sot e kam gjetur Devollin më të bukur se kurrë. Sot kam gjetur këtu fusha të këtij rrethi të qëndisura më bukur, kam gjetur fusha të punuara nga fermerë që i kanë dhënë një fytyrë të vërtetë europiane Devollit.
Kam ardhur këtu për të biseduar me ju për projektet tona çfarë ne kemi realizuar dhe çfarë do të bëjmë në të ardhmen. Besoj se të gjithë jeni dakord se ne ia dolëm që në vitin 2008 të përjetojmë dy nga ngjarjet më të mëdha në historinë tonë kombëtare; pavarësinë e Kosovës, pjesa e kombit që vuajti nga shtypjet çnjerëzore sot është e pavarur ndaj sot jemi dhe ne realisht të lirë dhe të pavarur. Por, 2008 do të shkruhet në muret e kohërave të historisë sonë kombëtare si viti ku së bashku djem dhe vajza, burra dhe gra me përkushtim të madh ia dolëm të vendosim flamurin tonë përkrah flamujve të vendeve më të lira dhe më të fuqishme të Europës dhe të botës, ia dolëm të marrim ftesën për në NATO.
Kjo është arritje e madhe për çdo komb, por shumë herë më e madhe për një komb, të cilin historia e ka nëpërkëmbur, me të cilin historia është treguar njerkë e pamëshirë. Tani e tutje do të thoshte Presidenti Bush në sheshin Shën Mark në Zagreb u tha shqiptarëve dhe kroatëve se kushdo që do të guxojë të prekë lirinë tuaj do të përballet me forcën e fuqinë e SHBA-ve. Liritë tuaja janë mbi të gjitha. Kjo për ne është një arritje, sepse ne kemi mbetur prapa jo se kemi dashur vetë, jo se nuk jemi punëtorë, por kemi mbetur prapa se liritë nuk i kemi patur asnjëherë të sigurta na i kanë dhe na i kanë nëpërkëmbur si pushtimet e jashtme ashtu edhe pushtimet e brendshme. Anëtarësimi në NATO është e ardhmja më e sigurt për ne për fëmijët tanë, për fëmijët e fëmijëve tanë. Tani kemi mundësinë të ndërtojmë këtë vend me vullnet, dëshirë me kapacitetet e qytetarëve të lirë. Anëtarësimi në NATO është në korrikun që vjen, përfaqësuesi juaj qoftë ambasador, kryeministër apo president ulen në tryezën e 27 vendeve anëtare që me Shqipërinë dhe Kroacinë bëhen 29. Grupi ynë përfaqëson Shqipërinë si të barabartë dhe ky është një nder i madh për ne. Ikën kohërat kur për ne nuk flisnin mirë, përkundrazi ne zëmë vendin tonë jo se ne kemi një rëndësi strategjike siç përpiqen ta paraqesin ata që punuan me përkushtimin më të madh për të ndaluar dhe bllokuar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por sepse bota ka krejt koncepte të tjera për strategjinë sot. Çështjet strategjike janë krejtësisht të ndryshme, por ne e morëm ftesën në NATO sepse treguam me përkushtim për të nderuar dhe vlerësuar lirinë e njëri-tjetrit, për të ndërtuar në vend sistemin demokratik, për të zhvilluar tregun dhe ekonominë e tregut dhe se u treguam besnikë dhe jo siç duan ta paraqesin të tjerët për interesa rajonale, kollagjerët e anti-NATO-s.
Ne e morëm ftesën sepse e merituam plotësisht atë, për shkak të reformave të thella, të seriozitetit të madh që dëshmuam, të vendosmërisë sonë për të ecur përpara. Shqipëria nuk shkonte dot drejt NATO-s me qytetet dhe rrethet e saj që dominoheshin nga bandat, nga Aldo Baret, Nehat Kullat, Lul Berishat e të tjerë me radhë. Ti i që nuk siguron dot qytetarët e tu, nuk mund tu japësh kontribut për sigurinë e të tjerëve. Duhet të tregosh seriozitet në garantimin e jetës dhe të sigurisë së qytetarëve të tu, sepse nuk mund të jesh kontribut për sigurinë në qoftë se nuk garanton sigurinë e qytetarëve të tu.
Lufta me tolerancë zero që i bëmë krimit të organizuar, çmontimi i bandave, vendosja para drejtësisë e mbi 900 bosëve dhe anëtarëve të mafies shqiptare, mafies ndër më të rrezikshmet në Europë bindi të gjithë aleatët tanë se shoqëria shqiptare nuk është një shoqëri që mbështet krimin, shqiptarët kanë kodin e tyre ligjor dhe moral. E luftuam atë me eficencën më të madhe. Sot Shqipëria është një nga vendet më të sigurta të rajonit dhe të Europës me treguesit e kriminalitetit nën mesataren e vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Kjo është meritë e burrave dhe grave të policisë dhe institucioneve të tjera. Kjo luftë është kundër krimit dhe për zbatimin e ligjit.
Qeveria shqiptare u dëshmoi aleatëve dhe partnerëve të saj në emrin tuaj dhe për interesin tuaj seriozitetin më të madh luftën kundër korrupsionit, i cili është një kancer. Nuk mund të të afrohen të tjerët asnjëherë në qoftë se dyshojnë që vjedh e shpërdoron paratë e qytetarëve të tu, përkundrazi të rrinë larg. Ne shpallëm një luftë me zero tolerancë korrupsionit.
Të dashur qytetarë të mençur të Devollit, ju bëj thirrje ju dhe të gjithë shqiptarëve, gjethet të mos ju pengojnë për të parë trungjet. Në dy vjet e gjysëm ne kemi arritur rezultate, të cilat kanë qenë të paimagjinueshme dy vjet më parë në luftën kundër korrupsionit. Më lejoni t`ju raportoj se cilat janë ato. Së pari ne nxorëm të gjithë administratën jashtë konfliktit të interesit, në qoftë se më parë kishte ministra, të cilët kishin tregtinë e ushqimeve dhe mbanin monopolin e ushqimeve dhe ndiqnin politika të tilla që ua kalbnin në fushë juve prodhimin.
Kur shkova në Vurg më kujtohet se fermerët e Vurgut në vitin 2005 më thanë se 20 mijë kuintalë misër po u prisheshin në depot e misrit sepse ministri kishte futur OMGJ-të në treg dhe i shiste 18 lekë kuintalin, por ne nuk nxjerrim as koston. Por, kur shkova verën e kaluar sërish në Vurg ata më thanë se e kishin shitur misrin me 22 mijë lekë dhe se do mbillnin akoma dhe më shumë.
Mos harroni ku ishim ne kur e morëm qeverinë, e morëm kur ministri drejtonte monopolet. Ne kemi bërë dhe një veprim tjetër shumë të rëndësishëm kemi shkurtuar shpenzimet operative sepse gjithë administrata, është peshë mbi kurrizin tuaj, varet nga taksat tuaja. Ne për ta lehtësuar këtë kemi shkurtuar shpenzimet. Në zyrën e Kryeministri shpenzimet janë 50 % më pak se ç`ishin tek paraardhësit e mi dhe unë u them se udhëtoj më shumë se ata i kam dyert më të hapura se ata më presin më shumë se ata, por shpenzoj aq sa duhet.
Në tërësi administrata që unë drejtoj, e cila nuk mohoj se ka defekte dhe korrupsion, por shpenzon sot 31 % më pak, çka do të thotë mbi 100 milionë euro më shumë për investime për shkolla, spitale dhe rrugë. Ne jemi përballur dhe përballemi çdo ditë me luftën kundër korrupsionit. Është një kancer që duhet ta luftojmë. Kur ju më votuat për Kryeministër 70 % e prokurimeve publike në atë periudhë bëheshin direkt, 40 % të rasteve autoritetet kontraktuese ua jepnin dosjet e tenderave vetëm firmave që donin dhe përjashtonin ato firma që nuk donin. Në vitin 2007 ne nuk ka patur asnjë prokurim direkt. Sot prokurimet bëhen elektronike në të gjitha agjencitë e mëdha dhe ministritë. Sot për çdo tender në katër anët e vendit çdo kompani mund të tërheqë nga kompjuteri dosjen e plotë për çdo tender. Sërish nuk them se nuk ka mbetur korrupsion, por krahasimisht më i ulët se më parë dhe se kostoja e përgjithshme e prokurimeve me gjithë çmimet stratosferike që kanë shkuar është 18-20% më e ulët se më parë.
Ne jemi përballur dhe do të përballemi me korrupsionin çdo ditë. Korrupsioni më i madh ishte në dogana, në tatime dhe biznese. Të gjitha raportet faktojnë se 1.4 miliardë dollarë përfundonin në xhepat e kontrabandistëve, taksidarëve, evazorëve dhe informalëve, por ne ulëm më shumë se përgjysmuan taksat dhe tatim fitimin nga 25 lekë sot paguhet vetëm 10 lekë, ulëm tatimin mbi të ardhurat personale, ulëm sigurimet shoqërore nga 42 në 32 lekë dhe megjithë këto të ardhurat në buxhetin e shteti nuk u pakësuan, por përkundrazi u rritën jo 100 apo 200 milionë dollarë, por u rritën 1.2 miliardë dollarë, të cilat të gjitha këto i vidhnin hajdutët, ndërsa tani i marrin rrugët e Shqipërisë. Sërish nuk e mohoj se ka korrupsion, ju bëj thirrje njerëzve punëtorë e të ndershëm të Devollit e të gjithë Shqipërisë i thoni jo ryshfetit, mos u nënshtroni ndaj faqezinjve që u kërkojnë juve ryshfet për t`u njohur të drejtën tuaj, kjo është një betejë që duhet ta fitojmë së bashku. Ju jap fjalën se në çdo kundërshtim ndaj ryshfetit do të keni Kryeministrin e Shqipërisë prapa jush. Asgjë nuk ka më të rëndësishme se kjo që po ju them për të zhdukur çdo mjegull në të ardhmen tonë. Ne po bëhemi vend anëtar i NATO-s e kemi të ardhmen tonë këtej e tutje, por ne duhet të vendosim normat më të mira morale në piedestalin që meritojnë. Ne të gjithë së bashku të angazhohemi dhe të të fitojmë këtë betejë dhe do ta fitojmë me siguri atë.
Qytetare dhe qytetare të Devollit,
Kam ardhur dje pasdite në Pogradec, dhe sot në mëngjes herët jam nisur për në Devoll. Deri tani kam vizituar dhe inauguruar 10 punë publike të përmasave të ndryshme. Dua t`ju raportoj se në rrugët e Qarkut të Korçës investimet në vitin 2008 janë 14 herë më të mëdha se në vitin 2005 dhe 20 herë më të mëdha se në vitin 2004, që ishte viti kulmor i investimeve të qeverisë së mëparshme. Nga dje deri më sot kam inauguruar dhe vizituar objekte shumë të rëndësishme. Impiantin e përpunimit të ujërave të zeza të Pogradecit , një projekt që e kisha premtuar në `95 dhe që u jam shumë mirënjohës juve që më dhatë mundësinë ta inauguroj atë. Kisha një projekt për të mbajtur pastër ujin e liqenit. 900 milionë lekë po shkojnë atje si për kanalizimet edhe për përpunimin e ujërave të zeza, dhe do ta pastrojmë liqenin për ta bërë një nga më të pastërtit në Europë. Inauguruam shëtitoren e qytetit, rrugën industriale të qytetit të Pogradecit dhe inspektova të gjithë trajektoren e rrugës Korçë-Qafë Plloçë, e cila po ecën me shpejtësinë e parashikuar madje edhe më shpejt.
Ju jap fjalën se pastaj do të fillojë Qafë-Plloçë-Qafë Thanë. Në Bulgarec inauguruam qendrën komunitare të koncepteve më të avancuara ku kryetari kishte sallën e Këshillit të Komunës, sallën e internetit, qendër të formimit profesional, në Dishnicë inauguruam sistemin e kanalizimeve pasi kishim inauguruar ujësjellësin. Vizitova pemëtoren që me fondin e kësaj qeverie janë mbjellë në rrethin e Korçës 320 ha dru frutorë dhe shumë e shumë më tepër me fondet tuaja. Inauguruam fillimin e punimeve për rrugën e Liqenasit që do të jetë e standardeve më dinjitoze për çdo vend të zhvilluar në botë. Inauguruam gjithashtu rrugën Rakicës do të asfaltojmë rrugën e fshatit Tren, do të financojmë ngritjen e frigoriferëve, kemi dyfishuar grandin për bujqësinë. Fermerët kanë të drejtë kur thonë se çmimi i naftës po na rëndon dhe kjo është e vërtetë, por nafta që më parë ishte 60-70 dollarë në treg sot është 130 dollarë për fuçi. Ne e vendosëm skemën për subvencionin e naftës por ajo u korruptua. Atëherë ne kemi dyfishuar paratë dhe i kemi rritur në 1 miliardë dhe do ta përdorim këtë fond për t`ju ndihmuar juve, por me projekte nga të cilat ju të përfitoni sa më shumë, sikundër vitin tjetër do ta bëjmë 2 miliardë. Po ashtu kemi vendosur TVSH-në 6 % sa e kanë fermerët evropianë.
Ju keni bërë një punë të mrekullueshme e keni qëndisur këtë rreth si askund tjetër. U takova edhe me fermerë dhe u thashë se fillim mund të jetë edhe më leverdishme ulja e taksës për miellin e grurit, por duke e mbajtur në atë nivel ne shpenzojmë të paktën 60 milionë para se të lëmë prodhimet tuaja të kalben në fushë. Ne do t`u kompensojmë pensionistëve dhe qytetarëve shqiptarë qindarkë për qindarkë rritjen e çmimeve. Ne do të rrisim ndjeshëm pensionet e fshatit. Paratë që mblodhëm ne vetëm në rrugët e Shqipërisë këtë vit investohen 89 miliardë lekë, kundrejt vetëm 11 miliardë që janë investuar në vitin më kulmor të qeverive të mëparshme. Ku i morëm ne këto para? Të gjitha këto i nxorëm nga lufta kundër korrupsionit. Ju bëj thirrje edhe njëherë ta luftojmë bashkërisht atë të mos përpiqen segmente të mafies të errësojnë sukseset që së bashku kemi arritur.
Mund të pyesni arsimtarët e Devollit. Arsimtarëve të Devollit iu është rritur paga 50 %, një rritje e tillë pagash nuk është bërë nga asnjë përveçse nga qeveria që unë drejtoj.
Në 2005 premtova në Elbasan se në qytet nuk do të ketë pension nën 100 dollarë. Me kursin e atëhershëm në qytet nuk ka pension nën 110 dollarë, me kursin e sotëm është mbi 120 dollarë , kurse pensioni i mëparshëm ishte më poshtë se 80 dollarë.
I siguroj pensionistët e qytetit se këtë vit do të kompensohen një për një për rritjen e çmimeve. Qytetarë të Devollit dhe të mbarë vendit, vetëm në tre vjet kemi vendosur për rritjen e pagave dhe pensioneve 38 miliardë lekë, rreth 450 milionë dollarë kundrejt 33 miliardë lekëve që ka akorduar në 8 vjet qeveria e mëparshme.
Qeveria e mëparshme ka vendosur 4.2 miliardë në vit, ne kemi vendosur 13 miliardë në vit, 3 herë më shumë për rritjen e rrogave dhe të pensioneve.
Kemi bërë të gjitha këto prandaj dhe na besuan të tjerët dhe na dhanë ftesën , sepse ftesa do të mbetej një horizont i paarritshëm nëse nuk do të bënim të gjitha këto. Në vend kemi një klimë të paprecedent, unë e them se klima në këtë vend është në radhë të parë nga qëndrimi ligjor i kësaj qeverie. Është e vërtetë që në rrugët e Korçës, po investohet 14 herë më shumë këtë vit, por absolutisht me asnjë lloj përkatësie partiake , unë shkoj në çdo qytet ku janë demokratë apo socialistë dhe askush nuk mund të dalë dhe të më thotë se nuk kemi dyfishuar apo trefishuar grandin për qytetarët e Bashkisë së tij dhe do ta çojmë edhe më tej.
Klima politike e krijuar është një arritje në reforma, është një arritje shumë e madhe sepse vendit nuk duhet t’i krijohen përplasje dhe kriza të panevojshme. Ne e ndërruam sistemin zgjedhor dhe bëmë një gjë shumë të madhe sepse si një njollë e zezë na rrinte mbi shpinë të gjithëve.
Ne u bëmë ata që para botës, një votë me Dushk të kushtonte 1.8 dhe një votë pa dushk të zbriste në 0.8 ose 0.7 të vlerës elektorale.
Ky sistem i jep mundësi parlamentit të ketë cilësitë më të mira, ky sistem bën të barasvlershme votën tuaj si në Tiranë, në Devoll, në Tropojë dhe kudo. Ky sistem bën që asnjë votë të mos humbasë pavarësisht nga ngjyra politike , por të përfaqësohet në parlamentin shqiptar.
Kemi përpara edhe një hap të madh, heqjen e imunitetit. Lufta kundër korrupsionit është një betejë e madhe , imagjinoni sa efiçente do të bëhet ajo kur do të shembim muret e imunitetit. Kur parlamentarë , ministra , gjykatës të mos kenë më imunitet, por të jenë si ju, të barabartë para ligjit. Sigurisht demokracia shqiptare do të bëhet shumë më e fortë , liritë tuaja do të jenë shumë të sigurta. Për të gjitha këto angazhohemi ne.
Për një gjë besoj jeni të gjithë dakord, Shqipëria sot është një Shqipëri e ndryshuar nga ajo që ishte tre vjet më parë,është një Shqipëri që ka marrë ftesën për anëtarësim në NATO, që ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Acociimit, MSA-në, Është një Shqipëri që nuk sundohet nga bandat , ku mësuesit , infermierët, ku të gjithë rrogëtarët paguhen shumë herë më mirë sesa paguheshin më parë. Është një vend me rritje ekonomike shumë të mirë, me një sistem fiskal shumë më të ulët, një vend që po shkon drejt dyfishimit të investimeve për shkollat në Shqipëri, po shtrin internetin te të gjitha klasat, në të gjitha shkollat e vendit. Në një apo dy vjet nuk mund t’i bësh të gjitha me gjithë dëshirën që ke , por unë besoj se jemi përpjekur dhe do të bëjmë maksimumin dhe, në këto tre vjet jane hedhur baza të fuqishme për të bërë shumë më teper gjatë viteve që vijnë.
Së bashku do të ecim më të sigurtë për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO, do të ecim të sigurtë për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë. Ata që do të thonë, mos na dynden shqiptarët , unë do t’u them shkoni dhe shikoni Devollin, që e kanë bërë vendin më të zhvilluar.