Kryeministri Berisha inspekton punimet në pesë lotet e rrugës Qafë Plloçë-Korçë
Kryeministri Berisha inspektoi sot ecurinë e punimeve në pesë lotet e rrugës Qafë Plloçë-Korçë. Pasi konstatoi ecurinë shumë të mirë të punimeve, Kryeministri përgëzoi ndërtuesit për punën e lavdërueshme që kanë bërë dhe nënvizoi se është shumë e rëndësishme që projekti të përfundojë para afatit.
“Është shumë e rëndësishme që ndërtimi i kësaj rruge të përfundojë brenda afatit. Me punën që ju po bëni ju nderoni gjithë qytetarët e Korçës. Siç e shikoni, këtu është bërë një punë shumë e lavdërueshme. Ju falënderoj për punën e shkëlqyer dhe shohim që në 3-4 muaj puna këtu ka avancuar dhe kjo falë përkushtimit tuaj”, u tha Kryeministri ndërtueseve.
Më 28 nëntor, Ditën e Pavarësisë, vijoi më tej Kryeministri, ne do të festojmë së bashku me qytetarët e Korçës, Pavarësinë dhe përfundimin e kësaj rruge.
Kryeministri Berisha u tha banorëve të ftojnë kryetarin e Partisë Socialiste të vizitojë punimet në këtë rrugë.
“Ftoj kryetarin e Partisë Socialiste, që dje ishte në Mirditë dhe u tha banorëve se rrugët nuk ishin meritë e qeverisë, që të vizitojë këtë rrugë. Banorët me të drejtë iu përgjigjën: ‘Z. kryetar i Partisë Socialiste, rrugët nuk mund të futen në thes’. Prandaj ftojeni Kryetarin e Partisë Socialiste këtu, të vizitojë këtë rrugë, sepse atë e ka zënë një frikë e madhe nga rrugët”, u shpreh Kryeministri.
Segmenti rrugor Korçë-Qafë Plloçë me një gjatësi 29 km është financim i buxhetit të shtetit me vlerë mbi 2.2 miliardë lekë. Projekti i saj parashikon rikonstruksionin e të gjitha veprave të artit dhe pajisjen me sinjalistikë rrugore. Ky segment rrugo, i cili shkurton me 4 km rrugën ekzistuese, pritet të përfundojë në fund të këtij viti.
Gjatë kësaj vizite Kryeministri Berisha shoqërohej nga Ministri i Transporteve Sokol Olldashi, Ministri i Financave Ridvan Bode dhe deputetë të Qarkut të Korçës.