Intervistë e Kryeministrit Berisha për EuroNews
Sali Berisha është Kryeministri shqiptar dhe ish-presidenti që erdhi në pushtet duke mposhtur komunistët. Ai u zgjodh pasi premtoi që do ta conte Shqipërinë në NATO dhe BE, por Brukseli kërkon më tepër në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Korrespondenti i EuroNews në Bruksel, Sergio Cantone, bisedoi me Kryeministrin e Shqipërisë.
Kryeministër Berisha, mirëserdhët në EuroNews. A mendoni se Shqipëria po diskriminohet në lidhje me lehtësimin e vizave në krahasim me vendet e tjera të Balkanit?
Kryeministri Berisha: Të mendosh se Serbia është më e sigurtë për liberalizimin e vizave sesa Shqipëria kjo është me të vërtetë, me të vërtetë jorealiste. Kjo është arsyeja pse ne presim një përshpejtim të procesit të liberalizimit të vizave.
EuroNews: Domethënë ju mendoni se Serbia, në këtë pikëpamje, është më e rrezikshme se Shqipëria?
Kryeministri Berisha: Gjërat duhen krahasuar, por vendi im nuk ka patur kurrë kriminelë lufte aq mizorë, të cilët kanë kryer krimet më mizore në të gjithë rajonin.
EuroNews: Nuk mendoni se është e pamundur të krahasohen krimet te luftës më krimin e organizuar?
Kryeministri Berisha: Askush nuk mund të mendojë se ata që kryejnë krime lufte të tmerrshme, dhe ata janë kaq të shumtë, kthehen në engjëj. Jo, ata janë padyshim shtylla të krimit të organizuar kudo që ndodhen. Krimi i organizuar, pothuajse kudo në Balkan, ishte në simbiozë dhe në marrëveshje të fshehtë me ata që ndodheshin në pushtët, për arsye politike dhe përfitimi.
EuroNews: Ju po thoni se krimi i organizuar lindi nga konflikti i viteve 90 në Ballkan?
Kryeministri Berisha: Ishte tepër, tepër potencial, ishte një krim i bazuar në një trafik të jashtëzakonshëm dhe të madh armësh, dhe lloje të tjera trafiqesh.
EuroNews: Sërisht, Bashkimi Europian duket shumë më i shqetësuar për rreziqet e krijuara nga krimi i organizuar, si psh., trafiku i qenieve njerëzore, kontrabanda e drogës dhe probleme të tjera….
Kryeministri Berisha: Sigurisht, nuk ka më krime lufte, por trafiqet kriminale janë vërtet një fenomen për t`u shqetësuar, por çfarë ka bërë vendi im? Pyesni qeverinë italiane. A kanë më emigrantë ilegalë?, Jo, pothuajse asnjë, pasi siç e dini ne kemi bllokuar motoskafet në ujrat tona detare.
EuroNews: Por, nuk mendoni se një prej pengesave më të rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar është korrupsioni?
Kryeministri Berisha: Dy vjet e gjysmë më parë, korrupsioni ishte kthyer në një sistem në vendin tim. Por, ne kemi kemi marrë masa tepër të ashpra në luftën kundër tij. Së pari, ne zgjidhëm konfliktin e interesit në të gjithë administratën. Askush nuk mund të qëndrojë në administratën time nëse ai apo ajo kanë konflikt interesi. Së dyti, ne kemi vendosur disa kritere në zyrat tona, askush nuk mund të përdorë paratë publike për qëllime private apo personale. Së treti, ne kemi miratuar një ligj për ata që denoncojnë korrupsionin, ata marrin një shpërblim prej 6% të vlerës që ka denoncimi i tyre dhe ata janë të mbrojtur njëlloj si dëshmitarët e krimeve të rënda.
EuroNews: Jeni i frikësuar se mos krimi i organizuar në Kosovë mund të infektojë sërisht Shqipërinë?
Kryeministri Berisha: Krimi i organizuar ekziston në Kosovë, por tani me një qeveri Kosovare, si qeveria e një vendi të pavarur, ne do të mund të luftojmë krimin e organizuar me sukses në Shqipëri, Kosovë, kudo që të ndodhet. Por, pavarësia do të jetë një faktor thelbësor në ndihmë të luftës ndaj krimit të organizuar, kudo që ai të ndodhet.
EuroNews: Edhe pse Kosova është një vend ende i pazhvilluar nga pikëpamja ekonomike?
Kryeministri Berisha: Kosova është shumë e pasur me minerale, një nga rajonet më të pasura në Europë.
EuroNews: A mendoni se një prej arsyeve që komuniteti ndërkombëtar dëshironte ndarjen e Kosovës nga Serbia ishin burimet minerare dhe gjithashtu burimet gjeopolitike?
Kryeministri Berisha: Jo. Absolutisht jo.
EuroNews: Ishte shumë e pasur për të qëndruar me Serbinë…?
Kryeministri Berisha: Jo, aspak, komuniteti ndërkombëtar nuk kishtë asnjëherë për qëllim të penalizonte Serbinë. Gjithçka u imponua nga Serbia për komunitetin ndërkombëtar.
EuroNews: A mendoni se NATO po vepron më shpejt se Bashkimi Europian në lidhje me politikat e zgjerimit, kundrejt një vendi si Shqipëria?
Kryeministri Berisha: Sipas mendimit tim, nuk ka asgjë më të rëndësishme për qytetërimin tonë sesa aleanca transatlantike. Nuk ka asgjë më të rëndësishme…
EuroNews: Më shumë se Bashkimi Europian?
Kryeministri Berisha: "Jo, por civilizimi është civilizim (perëndimor), është më shumë se vetëm civilizimi i BE-së.
EuroNews: Cili është roli i Rusisë në Balkanin Perëndimor? A ka një rol për të luajtur Rusia?
Kryeministri Berisha: Nuk po luan atë rol që duhet të luajë një vend i madh për stabilitetin atje. Unë pres që të jetë më realiste. Mënyra e vjetër e të bërit të gjërave duhet lënë prapa. Rusia do të kishte padyshim një rol më të madh e më të mirë nëse do të përshtatej me një situatë të re. Duke mbajtur këtë qëndrim, a po e ndihmon Rusia Beogradin? I ka bërë vendimet në Beograd më të vështira duke kundërshtuar Pavarësinë e Kosovës.