Kryeministri Berisha: Korridori i shqiptarëve, themeli infrastrukturor i Shqipërisë moderne
Sot,Kryeministri Berisha së bashku me Kryeministrin turk Recep Tayyip Erdogan, Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, zonjën Jozefina Topalli, Ministrin e Jashtëm Lulzim Basha, Ministrin e Punëve Publike dhe Transporteve Sokol Olldashi, anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar dhe autoritete të tjera morën pjesë në inaugurimin e përfundimit të rrugës Rrëshen-Kalimash.
Autostrada me gjatësi 61 km, me 4 korsi dhe një tunel 6 km, është pjesë e autostradës prej 170 kilometrash që lidh bregun e Adriatikut me kufirin e Kosovës. Ky projekt i realizuar përbën një segment të rëndësishëm të transportit rrugor kombëtar në Shqipëri, i cili realizon një lidhje jetike me Kosovën dhe rajonin. Autostrada mundëson lidhjen e tregjeve të Evropës Juglindore me rrugët kryesore ndërkombëtare detare, nëpërmjet Portit të Durrësit.
Duke marrë fjalën, Kryeministri Berisha i shprehu mirënjohjen më të thellë kryeministrit turk, i cili ishte i pranishëm në këtë ditë historike për mbarë kombin shqiptar, si dhe të gjithë drejtuesve dhe punëtorëve të kompanisë Bechtel-Enka, të cilët shndërruan në realitet një ëndërr shekullore të shqiptareve.
Duke cilësuar këtë rrugë si korridorin e miqësisë dhe bashkëpunimit mes kombeve, kryeministri tha se ky korridor është nderimi më i madh për të gjithë ata që flijuan jetën e tyre, për liri, dinjitet e bashkim kombëtar.
Ky projekt është realizuar nga Bechtel-Enka një ndërmarrje e përbashkët ndërmjet dy sipërmarrjeve Inxhinierie-ndërtimi-prokurimi. Bechtel ëhstë një nga sipërmarrjet më të mëdha të botës, në fushën e projektimit inxhinierik, ndërtimit dhe menaxhimit të projekteve. Ndërsa Enka është një prej sipërmarrjeve më kryesore, në industrinë e ndërtimit në Turqi dhe një nga më të mëdhatë në botë. Këto dy sipërmarrje të fuqishme u bashkuan në vitin 1988 në ndërtimin e autostradës Ankara-Gerede, në Turqi.
25/06/2009