Kryeministri Berisha inauguron fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Qukës- Qafë Plloç

- Kryeministri Berisha: Rruga Qukës- Qafë Plloç, jashtëzakonisht e rëndësishme për Korçën, Mokrën, Librazhdin e mbarë Shqipërinë.
Kryeministri Berisha inauguroi, sot pasdite, fillimin e punimeve për ndërtimin e Lotit të parë të rrugës Qukës- Qafë Plloç. E gjithë rruga ka një gjatësi 37 kilometra dhe është 12.5 metra e gjerë, financimi i të cilës kap në total shifrën 7 miliardë lekë. Ndërsa investimi për Lotin e parë të rrugës arrin vlerën 500 milionë lekë. Ndërtimi kësaj vepre infrastrukturore përmban parametrat e një rruge moderne të standardeve evropiane dhe ajo shkurton distancën me rreth 15 kilometra.
Në fjalën e tij përshëndetëse me qytetarë të kësaj zone, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur banorë të Mokrës e Librazhdit,
Sot ju jap përshëndetjet më vëllazërore, më të përzemërta, por shpreh edhe gëzimin dhe kënaqësinë time të madhe që, së bashku me ju, inaugurojmë një rrugë jashtëzakonisht të rëndësishme për Korçën, Mokrën, Librazhdin e mbarë Shqipërinë.
Ne rikthejmë sot rrugën e lashtë Egnatia, rrugë në të cilën, në shekuj e shekuj, karvanët e shqiptarëve udhëtuan për tregti e qëllime të tjera. Por, kam kënaqësi të jashtëzakonshme sepse kjo rrugë shkurton në mënyrë shumë të ndjeshme distancën e Korçës, Bilishtit e Kolonjës me Tiranën, çka është një qëllim madhor i imi. Për mua, gjëja më e çmuar që kemi ne është koha, prandaj, sa më shumë kohë të kursejmë, aq më shpejt do të zhvillohemi.
Së dyti, kam një kënaqësi të veçantë që kjo zbret nëpër Mokër, një trevë e atdhetarizmit të flaktë, një krahinë që i ka qëndruar me dinjitet të madh historisë dhe ka bërë historinë e patriotizmit dhe e përpjekjes së shqiptarëve për liri e dinjitet. Kam kënaqësi të veçantë se kjo rrugë, gjithashtu, lehtëson shumë një zonë të Librazhdit, të këtyre njerëzve punëtorë, të ndershëm, të cilët e meritojnë plotësisht.
Ne inaugurojmë sot Lotin e parë të rrugës, por fjala ime është që; sapo të përfundojnë projektet, do të prokurohen menjëherë ndërtimi i të gjitha Loteve.
Të dashur qytetarë të Korçës, Pogradecit, Kolonjës, Mokrës, Librazhdit,
Paralel me këtë projekt, do të nisë menjëherë puna për ndërtimin e autostradës së re Elbasan – Tiranë.
Sot, sikurse e keni ndjekur, ne kemi inauguruar veprën më të madhe publike të të gjitha kohërave që kombi shqiptar ka ndërtuar. Inaugurimi i kësaj vepre, ndërtimi i saj në 2 vjet e katër muaj, lartëson shumë Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Pas këtij inaugurimi, Shqipëria e shqiptarët janë të zotët të ndërmarrin çdo projekt, sado gjigand të jetë ai, në interesin e tyre kombëtar dhe publik.
Edhe njëherë le të urojmë gëzuar këtë rrugë. Unë ju ftoj në 28 qershor, të marrim pjesë të gjithë në votime, të votojmë me pjekurinë dhe qytetarinë më të madhe. Thirrja ime vëllazërore është që, në qendrat e votimit të shkojmë familjarisht, se kështu na ka hije. Edhe unë familjarisht shkoj, por atje të mos votojmë kolektivisht, sepse kjo është e papranueshme si standard europian. Për këto zgjedhje ne kemi bërë përpjekje të jashtëzakonshme për t’i bërë ato më të bukurat, më të mirat në historinë e këtij vendi.
Ndaj edhe ne, le të trokasim në dyert e Europës me votën e secilit prej nesh dhe të gjithë së bashku të votojmë 10-ën, 1- jeni ju, 10 janë fëmijët tuaj, 10 është Mokra, Librazhdi, është Shqipëria, 10 është rruga që inauguruam, 10 është e ardhmja jonë. Ndaj le të bashkojmë votat me çdo shqiptar, pavarësisht nga bindjet. Ftoj të gjithë socialistët, ftoj të gjithë qytetarët pa parti që të bashkohen me ne në projektine Shqipërisë evropiane, në projektin e ëndrrës sonë evropiane, në projektin e shkëputjes me shpejtësi nga prapambetja e trashëguar dhe modernizimit të këtij vendi.
Nesër, që të gjithë jeni të ftuar në sheshin Skënderbej, në sheshin e fitores.
Rroftë Librazhdi,
Roftë Mokra,
Rroftë fitorja!”
25/06/2009