E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Në projektin tonë evropian nuk ka dhe nuk mund të ketë të përjashtuar, në këtë projekt fiton çdo qytetar shqiptar

Kryeministri Berisha zhvilloi sot në mbrëmje një takim me qytetarë të Korçës. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Qytetarë të Korçës,

Mirëmbrëma, gëzuar fitoren, fitoren tuaj, fitoren e Korçës evropiane, e Shqipërisë evropiane.

Erdha sot tek ju për të festuar me ju fitoren e  28 qershorit, ditës në të cilën ne së bashku vendosim për të bërë realitet ëndrrën më të bukur të Korçës, të korçarëve dhe fëmijëve të tyre, të mbarë shqiptarëve, ëndrrën tonë evropiane.

Në 28 qershor ne vendosim që qytetarët e Korçës e të mbarë Shqipërisë të ecin të sigurt në realizimin e një ëndrre, në kapjen e një horizonti të ri. Korça qëndron të krye të fitores sonë. Fitorja ka fytyrën e Korçës, ka bukurinë e saj, ka pastërtinë e shpirtit të saj.

Ndaj dhe në 28 qershor, ftojmë të gjithë shqiptarët, të gjithë korçarët, të votojmë së bashku për ëndrrën tonë evropiane. Të votojmë së bashku për të hequr vizat, vitin e parë të mandatit tonë të dytë, të votojmë së bashku  për të krijuar në Korçë  e në mbarë Shqipërinë 160 mijë vende pune të reja, të votojmë së bashku për të urbanizuar çdo rrugë e rrugicë të Korçës e fshatrave të saj e të mbarë Shqipërisë, për të garantuar 24 orë ujë për mbarë qytetarët shqiptar, të votojmë së bashku për të barazuar pensionet e fermerëve të Korçës, me ato të qytetit, për të shpërblyer pensionistët tanë dhe punonjësit me pensione dhe rroga më të larta se ato të 6 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Qytetarë të Korçës,

 Le të votojmë së bashku sepse ëndrra jonë e bukur është ëndrra e të gjithë shqiptarëve, mirësinë e saj duhet ta ndajmë me njëri - tjetrit. Në projektin tonë evropian nuk ka dhe nuk mund të ketë të përjashtuar. Në këtë projekt fiton çdo qytetar shqiptar, çdo i ri, çdo i moshuar, çdo burrë e çdo grua që sheh të ardhmen e tij më të mirë në Evropën e bashkuar.

Qytetarë të Korçës,

Sot, duke ardhur tek ju, me deputetin tuaj dhe Ministrin e Financave Bode, ne inauguruam fillimin e punimeve të autostradës Qafë Plloç- Qukës. Unë ju jap këtu fjalën e nderit se, sapo të përfundojë projekti i të gjithë trajektores, autostrada do të prokurohet në të gjithë trajektoren e saj, përfshi tunelin. Unë ju garantoj se ju, të dashur qytetarë të Korçës se shumë shpejt do të fillojë autostrada Elbasan - Tiranë dhe Korça me Tiranën do të përgjysmojë distancën.

Nga ky shesh, dëshiroj t’u bëj një thirrje vëllazërore të gjithë djemve dhe vajzave të Korçës dhe të mbarë Shqipërisë, që ndodhen në emigracion; i ftoj të vijnë e të bashkojnë votën e tyre me ne, sepse me votën e tyre ne do të ndërtojmë Korçën e rrugëve, të punësimit, e fermave, e autostradave, e shkollave, e shërbimit shëndetësor evropian. Me votën e tyre ne do të bëjmë që Korça e mbarë Shqipëria të kapin në katër vitet që vijnë një horizont që sot syri ynë nuk e kap dot.

 28 qershori është dita e shpirtit tonë demokratik, është dita e maturisë sonë. Ndaj, le të votojmë ne me qytetarinë e Korçës, me pjekurinë e saj, të shkojmë në këto zgjedhje si qytetarë të denjë të Korçës, Shqipërisë e Evropës.

 28 qershori nuk ka të humbur. Në 28 qershor fitojnë të gjithë korçarët, të gjithë shqiptarët, fitojnë fëmijët e tyre, fiton mbarë Shqipëria.

Ndaj, në 28 qershor le të votojmë të gjithë 10-ën. Korça është 10 me yll në ballë, le të votojmë të gjithë 10-ën, 10-a është fitorja që ka fytyrën tuaj, zemrën tuaj, idealin tuaj. Të votojmë 10-ën, sepse 10 janë korçarët, janë fëmijët e tyre të mrekullueshëm, janë familjet e tyre të shkëlqyera, është Korça blu, është Shqipëria blu, është Partia Demokratike, është Evropa blu që mezi pret Korçën e Shqipërinë me projektin e tyre madhështor të Korçës evropiane, të Shqipërisë evropiane.

Edhe njëherë, gëzuar fitoren, fitoren e madhe, fitoren e merituar, fitoren e zemrës suaj të pastër, fitoren e shpirtit tuaj fisnik, fitoren e të ardhmes që ju meritoni.

Rroftë Korça,

Rroftë Shqipëria!” 


25/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›