Kryeministri Berisha takohet me studentë të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër

Në vazhdim të vizitës së sotme në qytetin e Shkodrës, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me studentë të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.
Drejtuar studentëve, Kryeministri Berisha u shpreh;
“Gjithnjë është një nder i madh për mua të takohem me ju, të bisedoj e ju, por dua t’u rrëfej se në çdo takim që unë kam me ju studentët dhe studentet e Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, pavarësisht se më shumë se dy dekada në universitetin e këtij vendi kam dhënë mësim, një disiplinë shkencore me të cilën kam qenë shumë i përkushtuar, ndaj leksioneve, teksteve, kërkimeve shkencore, sërish në agjendë dhe sërish përpara me ju më del vetëm një temë; liria, vlerat e saj, roli juaj si pasuria më e madhe e këtij vendi dhe si burimi i pashtershëm i saj, i shpresës dhe i zhvillimit.
Me ju studentët dhe të rinjtë ë Shqipërisë kam një raport kryesor, përjetësisht të pazgjidhshëm, raportin e lirisë, sepse ishit ju ata që me guximin rinor, me imagjinatën tuaj, u ngritët së bashku dhe përmbysët një diktaturë. Jeni ju, të cilët çdo ditë me energjinë tuaj çoni më përpara Shqipërinë në projektet e saj të mëdha. Ky vend nuk ka asgjë më të çmuar, as burimet e saj natyrore dhe asgjë tjetër sesa entuziazmin tuaj për progres dhe zhvillim.
Historia e zhvillimit të shoqërisë njerëzore është historia e lirisë, e transformimit të saj në liri. Ne jemi një komb, i cili ka patur lirinë si aspiratë dhe jo realitet, një komb i cili ka qenë i dënuar me mbijetesë pa patur mundësi të jetojë të ardhmen. Një komb, i cili ka bërë sakrificat më të mëdha se asnjë komb tjetër për mbijetesë dhe që sot është në tërësi i lirë. Imagjinoni transformimin e Shqipërisë në 18 vite vështirësi, por rrugë lirie.
Sot, ne vijmë në këtë ditë si një nga vendet më të ndryshuara, por të keni parasysh nivelin nga ku e nisëm. Kjo do të thotë se sot vijmë në këtë ditë si një nga vendet më shpresëmëdha. Pas një muaji, liria, që 18 vjet më parë ishte aspiratë e shqiptarëve, bëhet pjesë e lirisë botërore. Shqipëria anëtarësohet në NATO. Një Shqipëri në NATO do të thotë që ju, që fëmijët tuaj të ndërtojnë të lirë të sotmen dhe të ardhmen e tyre. Askush nuk përfiton më shumë se ju të dashur studentë dhe studente nga kjo Shqipëri. Por, askush nuk e meriton më shumë se ju, sepse ju jeni brezi i lirisë dhe e meritoni plotësisht një vend tjetër, një Shqipëri tjetër.
Qeveria ime ka shpallur dhe shpall përparësi absolute shkollimin tuaj, shkollimin e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë.
Zhan-Zhak Ruso në një nga veprat e tij thotë se çdo gjë që i mungon njeriut në lindje ia dhuron arsimimi dhe edukimi. Ndaj dhe ne, kemi bërë dhe do të bëjmë çdo përpjekje për shkollimin tuaj sa më të mirë. Ndaj dhe ne jemi të bindur se investimi më i madh se në çdo fushë tjetër do të bëhet në trurin tuaj, në energjitë tuaja në entuziazmin tuja, si kushti më përcaktuar për të kapur dekada dhe shekujt që kemi humbur.
Katër vjet më parë kam ardhur tek ju dhe kam qarkuar vendin kudo, duke shpalosur një program. Me ketë program unë i’u bëra thirrje shqiptarëve të më besonin. Premtimet tona për dyfishimin e pagave për arsimtarët, premtimet tona për hapjen universiteteve, premtimet tona për shtrirjen e internetit në çdo shkollë nga skeptikët vështroheshin thjesht si premtime elektorale, ndërsa qeveria e atëhershme i shpallte mashtrime elektorale.
Sot, katër vjet më pas, unë vij shumë i lehtësuar tek ju. Sot, të dashur studente dhe studentë, nuk kërkoj votën për këto që kemi bërë, por, sot, së bashku në këtë rrugë ne u themi çdo shqiptari dhe çdo qytetari të këtij vendi se ne jemi ata që mbajmë premtimet dhe ne nuk zhgënjyem shpresat tuaja, por në shndërruam premtimet tona në realitet.
Ndaj ka arsye që secili të ketë shpresë dhe të besojë në programin tonë. Ky program është programi i transformimit të këtij vendi. Unë jam zotuar dhe ju them dhe ju se Shqipërinë do ta bëjmë me rrugët më të shkurtra, do ta bëjmë që ju të fitoni kohë kur ecni, që ju dhe qytetarët shqiptarë të mos vrasin kohën e humbur në rrugët e shkatërruara të këtij vendi, por të kapin shpejtësitë evropiane me këto rrugë.
Unë jam zotuar dhe qeveria ime është zotuar se do të vazhdojë rritjen e madhe të pagave dhe pensioneve,. Nuk ka pasur njerëz më të stërkequr sesa prindërit dhe gjyshërit tuaj. Imagjinoni të dashur studentë, kur unë në vitin 1992 u bëra president i këtij vendi kisha një rrogë 16 dollarë në muaj, ndërsa prindërit tuaj merrnin nga 4, nga 6-8 dollarë në muaj.
Ndaj dhe do të bëjë çdo gjë që shqiptarët të paguhen gjithnjë e më mirë dhe të kenë pensione gjithnjë e më të mëdha. Në këto katër vite ne kemi lënë mbrapa vende si Rumania, Bullgaria dhe kemi zënë vendet baltike.
Në vitet që vinë objektive të tjerë shumë më të mëdha, disa prej tyre do të kapin vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian, dhe këto janë investime shumë të rëndësishme. Në katër vitet që vinë transformime dhe hapa të mëdha do të bëhen drejt moshës dixhitale.
Pse unë përqendrohem kaq shumë tek mosha dixhitale? Përqendrohem sepse ajo është mosha juaj dhe se jam i bindur se interneti dhe kompjuteri në duart tuaja do të thotë shpejtësi reaktive për Shqipërinë dhe Shqipëria ka nevojë për këtë shpejtësi. Edhe unë ju jap fjalën ju, se në rast se ne gjatë këtij mandati shtrimë internetin në katër anët e vendit, në mandatin tjetër nuk do të ketë studentë dhe studente të mos kenë kompjuterin e tij personal.
Por, kudo që të investojmë dhe ne do të investojmë, të gjitha përpjekjet tona për një infrastrukturë moderne, mos mendoni se do të s’postojmë vëmendjen nga ju. Përkundrazi, ju do të mbeteni në epiqendër të programit tonë.
Shkollat dhe universiteti, katër vjetarin që vjen me një zinxhir konviktesh që po ndërtohen në mbarë vendin, ju garantoj se nuk do të ketë më fëmijë shqiptar që të përfundojë klasën e 9-të, të dëshirojë të vazhdoj shkollën e mesme dhe të mos ketë mundësi për ta përfunduar atë. Kudo që janë dhe që banojnë, në Shalë apo në Mokërr, në Orenjë apo në Frashër, ai do të ketë mundësi, do të ketë konviktin të ndjekë studimet. Dhe sipas aftësive, çdo njëri prej tyre do të ketë mundësi të ndjekë universitetin.
Sot, ne kemi mbi dyfishuar numrin e studentëve dhe ky është një zhvillim shumë i madh për Shqipërinë. Kemi pasur 12 500 studentë dhe tani kemi 115 mijë studentë, por ju garantoj se ky turravrap nuk do të ndalet deri sa Shqipëria të ketë 150 mijë studentë. Kombi ka moshën tuaj. Mosha e kombit është mosha e universiteteve, ndaj dhe ne do të bëjmë çdo përpjekje që të rinjtë shqiptarë të përfundojnë universitetet. Ne katër vjet ne kemi 2-fishuar buxhetin për arsimin dhe kjo më duket pak. Unë ju garantoj ju se katër vitet që vinë, sërish do ecet drejt dyfishimit të buxhetit. Në cilën mënyrë? Do të ecet duke shkrirë, duke vendosur një bashkëpunim të ngushtë midis sektorit publik dhe sektorit privat. Në një vend të lirë dhe në një shtet të lirë, sektori privat është dhjetëra herë më i fuqishëm sesa sektori publik.
Vendet e mëdha dhe të zhvilluara, kontributin kryesor në arsim e sigurojnë nëpërmjet sektorit privat. Ndaj dhe ne duke i siguruar çdo fëmije dhe çdo të riu dhe të reje mundësinë për të ndjekur universitetin, do të krijojmë hapësira të mëdha për përfshirjen e sektorit privat nëpërmjet të gjitha lehtësirave të domosdoshme në shkollimin sa më të mirë tuajin.
Shqipëria ka shpresë të madhe. Është një vend që ka nevojë urgjente për energjitë, për mbështetjen tuaj. Kontributi juaj më i madh të dashur studentë dhe studentë mbetet sërish në fushën e lirisë. Sa më shumë ta zgjerojmë atë, sa më shumë ta konsolidojmë atë, sa më shumë të reflektojmë ne vlerat e saj dhe të shfrytëzojmë pasuritë e saj, aq më shpejt do të ecim në rrugën e zhvillimit. Por, ju, më shumë se të gjithë të tjerët, mund të kontribuoni në këtë drejtim sepse ju jeni gjenerata e lirisë, ndërsa ne të tjerët patëm fat që arritëm ditët e saj. Por, ne kemi ardhur si njerëz me jetë të cunguar, sepse jeta në liri është jetë me dinjitet, ndërsa jeta në diktaturë është një shkretëtirë e vërtetë.
E kam thënë dhe e përsëris prapë atë që thotë Frederick Nice; njeriu i lirë është njeri i natyrës, njeriu i shtypur është turpi i saj. Keni fat shumë të madh që numëroni çdo ditë dhe çdo orë në liri.
Ne po ecim drejt zgjedhjeve dhe të gjitha fitoret unë i kam pasur të përbashkëta me ju, me të rinjtë dhe me studentët. Sërish dhe ky mandat do të jetë në radhë të parë meritë e juaja. Kërkoj nga ju që në një akt kontributi ndaj lirisë të merrni të gjithë pjesë në votime. Ju bëj thirrje që të gjithë të pajiseni me dokumentet evropiane të identitetit. Ato janë dokumentet tuaja. Ato janë më të denja për ju se për këdo tjetër. Ju keni shansin të merrni letërnjoftimet e teknologjisë më të lartë dhe të votoni me to, ta konsideroni votën si një kontribut direkt tuajin për veten, familjen, qytetin dhe vendin.
Ju bëj thirrje të ecim djathtas. E mbarë është rrugë jonë, sepse e djathta është rruga e lirisë, se liria erdhi me të djathtën në Shqipëri. Rruga jonë nuk është rrugë e lehtë, ajo është rrugë e lodhshme, por është lodhja e ngjitjes. Ata që ngjitet, ata janë burra dhe gra, djem dhe vajza të fortë. Ata që ngjiten janë burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat e shpresës. Ata që ngjiten janë burrat dhe grat, djemtë dhe vajzat me qëllime. Dhe ne jemi në ngjitje.
Ndërsa majtas është mbrapa. Majtas është mashtrimi.
Të dashur studentë dhe studente,
Ti referohemi doktrinave filozofike. Asgjë në historinë e njerëzimit nuk ka mashtruar më shumë njeriun sesa doktrinat dhe filozofit e majta. Ato ishin filozofia e dështimit, filozofia e mjerimit, filozofia e shtypjes çnjerëzore. Ne nuk kemi lidhje me to. Imagjinoni se çdo të thotë majtas sot në Shqipëri. Kujtoni pak skenën, ua thash dhe qytetarëve në shesh, harrojeni Edi Ramën si një politikan lakuriq që del plazheve të botës. Harrojeni Edi Ramën si një njeri që dhunon Kodin më të shenjtë të njeriut, Kodin e Vdekjes, dhe bën mitingje për të shpallur të vrarë të aksidentuarit. Harrojeni dhe faljani këto, por mos ia falni kurrë atë post tiranit që u ngrit pas 18 vitesh liri dhe numëronte votat një, katër, shtatë, tetë për të mbajtur karrigen e tij.
Jo, të dashur qytetare, të dashur studentë, kjo nuk i falet kurrë, Kjo dëshmon se është një rrezik i madh potencial për lirinë. Dy gjëra, ky shok i ka të pa pranueshme nga çdo shqiptar. Së pari qëndrimin ndaj votës, të cilën e shpalosi në mënyrën më të shëmtuar. Liria ka rregulla dhe vota është zemra e saj. Së dyti censura e tij është antikultura e lirisë.
Të dashur studentë dhe studente,
I dëgjoni të gjitha mediat kur kritikojnë Sali Berishën sepse njeriu modern është njeri kritik dhe vetëm si të tillë duhet ta pranojmë. Sepse mendimi ndryshe është lokomotivë. Dëgjojini ato edhe kur shajnë pa kulturë, por fikini ato kur censurojnë, sepse i fikin vetë valën dhe ekranin. Sepse ne ishim burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat që në vitet ‘90 u ngritën para së gjithash dhe mbi të gjitha kundër censurës. Anti censura është morali ynë. Censura është armiku më i egër i lirisë se mendimit dhe forma më intolerante ndaj mendimit ndryshe, është akti më i papranueshëm për qytetarët e lirë.
Kujtoni edicionet e djeshme të lajmeve. Ish kryetari i tij për 15vjet, i cili deklaroi se e mora nga Parisi me thonj pa prerë dhe e bëra ministër dha një deklaratë dhe tre nga mediat që i kontrollon me leje ndërtimi, me sheshe ndërtimi dhe me lista deputetësh nuk guxuan të transmetojnë qoftë edhe një fjalë të vetme, ndonëse e dinë se ky vend ka 60 televizione dhe që nuk mund të vendosen kurrë censura. Shikoni sa primitiv. Imagjinoni sikur ai të ketë pesë apo dhjetë televizione në dorë, që të gjitha do ti vendosë në censurë dhe do të përdhosë kulturën tonë të lirë dhe vlerat e lirisë. Këto të dyja nuk do t’ia falni kurrë atij.
Ne ecim drejt mandatit të dytë të sigurt, pasi këtë vend e shndërruam në një vend të respektuar dhe normal. Ju duhet të jeni krenarë se 27 vende të Bashkimit Evropian diskutuan pozitivisht, me fjalët më të mira për Shqipërinë dhe votuan Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
Rruga drejt Evropës është një rrugë e pandalshme dhe e parikthyeshme. Ne shembëm murin e Berlinit në Tiranë dhe në Shqipëri, ne do të vendosim Shqipërinë në Evropë. Në më pak se një muaj, ju dhe të gjithë shqiptarët do të festojnë anëtarësimin e vendit në NATO, që do të thotë se ju shumë shpejtë do të jeni qytetarë dhe qytetare, studentë dhe studente të një vendi anëtar të NATO-s. Kjo do të thotë se ju dhe se të gjithë së bashku do të ndërtojmë të ardhmen tonë në liri të sigurt. Nuk do të jemi më viktimë dhe pre’ e barbarive ndaj kombit tonë, por do të ndërtojmë në liri dhe dinjitet të ardhmen që meritojmë.
Të gjitha këto u bënë të mundura nga mbështetja e aleatëve tanë të mëdhenj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kudo, por edhe nga reformat e mëdha dhe serioze me të cilat ne shembëm murin e krimit, murin e korrupsionit; me të cilat ne shndërruam Shqipërinë në vendin e dytë më të suksesshëm për klimën e biznesit në botë; me të cilat ne shndërruam Shqipërinë në vendin më të suksesshëm në Ballkan dhe një nga 10 vendet më të suksesshme në botë në luftën kundër korrupsionit; me të cilat ne i dhamë ekonomisë Shqiptare forcën dhe soliditetin, zhvillimin dhe hobin, për të cilin sot të gjitha institucionet ndërkombëtare deklaruan se Shqipëria nuk është në krize dhe se do të ketë rritjen ekonomike më të madhe ne Evropë, natyrisht do të preket nga pasojat e saj, por nuk do të pësojë tërmetet që pësuan vendet e tjera.
Pra, ne jemi sot një Shqipëri që po ndryshon dhe po ndryshon sa kurrë ndonjëherë. Vektorët e këtij ndryshimi jeni ju dhe përfituesit kryesor të këtij ndryshimi jeni ju. Ndaj edhe një here ju ftoj të vazhdojmë së bashku mandatin e dytë në mënyrë që të shndërrojmë çdo ditë, çdo javë, çdo muaj në realitet projektet tona të mëdha.
Faleminderit!”
13/03/2009