E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha takon përfaqësuesit e grupit ZUMAX

Kryeministri Berisha priti sot në një takim përfaqësuesit e grupit ZUMAX, të kryesuar nga Drejtori Ekzekutiv i kompanisë,  z. Philiph George.

Ata i prezantuan Kryeministrit fazat konkrete nëpër të cilat do të kalojë projekti i Portit të Vlorës, një investim tashmë i prezantuar, me vlerë prej 1.2  miliardë euro. Ky investim konsiston në ngritjen e një porti të madh kontenierësh dhe të një zone të lirë ekonomike. Deri tani, projektit i është bërë vlerësimi teknik nga dikasteret përkatëse dhe për një javë do të kalohet në procesin e hapjes së tenderit për këtë koncesion me interes dhe rëndësi shumë të madhe publike. Ata theksuan se interesi i investitorëve për këtë projekt është maksimal dhe hapat për realizimin e tij do të jenë të shpejta.

Kryeministri i siguroi që strukturat e tij do të punojnë me përkushtim për të konkretizuar në afat tenderin e koncesionit të Portit të Vlorës.

 Ky investim madhor në këtë kohë krize është shumë domethënës për Shqipërinë, u shpreh Kryeministri, duke theksuar se besimin e kësaj kompanie qeveria shqiptare do ta justifikojë me mbështetjen përmes një procesi të shpejtë dhe transparent dhe të realizuar me profesionalizëm. Tashmë, puna dhe përpjekjet e këtij grupi janë shumë afër konkretizimit me këtë produkt kaq të rëndësishëm dhe madhor për Shqipërinë dhe rajonin.   


13/03/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›