Kryeministri Berisha takon Drejtorin e Institutit për Qeverisje të mirë dhe Luftën Kundër Korrupsionit të OECD, Mark Peith

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim në Davos me Drejtorin e Institutit për Qeverisje të mirë dhe Luftën Kundër Korrupsionit të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), Prof. Mark Peith.
Kryeministri Berisha e njohu z. Peith me reformat e thella e të gjithanshme që ka ndërmarrë qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimit ekonomik. Kryeministri evidentoi veçanërisht reformat e ndërmarra për dixhitalizimin e shërbimeve për regjistrimin e biznesit, prokurimet publike, tatimet dhe doganat si dhe reduktimin e lejeve dhe licencave, duke nënvizuar se rezultatet janë të dukshme.
Në këtë kontekst Kryeministri Berisha u shpreh se lufta kundër korrupsionit është përparësia më serioze për qeverinë shqiptare, duke nënvizuar se në tre vjet Shqipëria nga grupi i 24 vendeve me korrupsion të lartë në botë ka lënë mbrapa 95 vende të planetit.
Gjithashtu Kryeministri theksoi se një numër i madh zyrtarësh të akuzuar për korrupsion janë vënë para drejtësisë.
Nga ana e tij z. Peith vlerësoi arritjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe siguroi Kryeministrin Berisha për bashkëpunimin e këtij instituti me qeverinë shqiptare.
Kryeministri Berisha dhe z Peith diskutuan gjithashtu për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit ekonomik ndërkombëtar.
Prof. Mark Peith është Drejtor i Institutit për Qeverisje të Mirë dhe Luftën Kundër Korrupsionit pranë Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim që nga viti 1990.
Nga viti 1989-1993 ai ka mbajtur postin e Drejtorit të Departamentit kundër Krimit Ekonomik dhe Krimit të Organizuar në Zyrën Federale të Drejtësisë në Zvicër.
...