E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha takon Kryeministrin Đukanović, Kryeministrin Gruevski dhe ministrin e Jashtëm të Austrisë z. Spindelegger, në Salzburg

Gjatë qëndrimit në Salzburg, ku mori pjesë në takimin informal të Kryeministrave të vendeve të Evropës Juglindore, Kryeministri Berisha zhvilloi disa takime dypalëshe me personalitete të pranishëm në këtë aktivitet. Kryeministri u takua me Kryeministrin e Malit të Zi z. Milo Đukanović, me Kryeministrin e Maqedonisë z. Nikola Gruevski dhe me ministrin e Jashtëm të Austrisë z. Michael Spindelegger.

Fillimisht, Kryeministri Berisha u takua me Kryeministrin e Malit të Zi z. Milo Đukanović. Dy Kryeministrat u ndalën në mënyrë të veçantë në situatën ekonomike në të dy vendet. Kryeministri Berisha e informoi homologun malazez për situatën ekonomike në Shqipëri, e cila vazhdon të jetë entuziaste. Shqipëria, - u shpreh Kryeministri,- ashtu si një vit më parë kur ishte një ndër dy vendet me rritje ekonomike në Evropë edhe këtë vit ka rritje ekonomike, e cila do të jetë edhe më e madhe. Kryeministri theksoi se Shqipëria ka qenë dhe mbetet një vend i favorshëm për investitorët e huaj, të cilët nuk e kanë ndalur interesin për të zhvilluar projektet e tyre në këtë vend.

Kryeministri Berisha u ndal edhe në treguesit mjaft pozitiv të turizmit në Shqipëri. Numri i turistëve këtë vit, - theksoi Kryeministri, - është rritur ndjeshëm edhe krahasuar me një vit më parë dhe deri në fund të vitit pritet të arrijë deri në 3.5 milionë. Dy kryeministrat shprehën kënaqësinë për nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve midis dy qeverive dhe vendeve, si dhe gatishmërinë e qeverisë shqiptare dhe asaj të Malit të Zi për të forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në të gjitha fushat.

Kryeministri Berisha u takua edhe me Kryeministrin e Maqedonisë z. Nikolas Gruevski. Dy Kryeministrat vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve, si dhe mbështetën vazhdimin e bashkëpunimit në projektet konkrete midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, në mënyrë që ato të shndërrohen sa më parë në realitet.

Kryeministri Berisha u takua me ministrin e Jashtëm të Austrisë z. Michael Spindelegger. Gjatë takimit, ministri Spindeleggeri i ofroi Kryeministrit Berisha gjithë mbështetjen e vendit të tij për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë, sikundër edhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Kryeministri e falënderoi ministrin Spindelegger për mbështetjen e vazhdueshme që ai dhe qeveria austriake i kanë dhënë Shqipërisë si në projektet e zhvillimit ekonomik të saj, ashtu dhe për proceset integruese. Kryeministri Berisha shprehu angazhimin dhe përkushtimin e qeverisë që drejton për të ndërmarrë çdo iniciativë dhe reformë që të shndërrojë në realitet projektin më të madh të shqiptareve, atë të integrimit në Bashkimin Europian.


28/08/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›