E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha pret një delegacion të Partisë Komuniste Kineze, kryesuar nga z. Liu Yunshan

Kryeministri Berisha priti sot një delegacion të Partisë Komuniste Kineze, i kryesuar nga z. Liu Yunshan, ministër i Marrëdhënieve me Publikun pranë Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze, njëkohësisht anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të PKK-së.

Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen anëtarëve të delegacionit dhe e cilësoi këtë vizitë si kontribut për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Kryeministri u shpreh se kjo vizitë është dëshmi e një interesi të vazhdueshëm për të intensifikuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Intensifikimi i këtyre marrëdhënieve dhe i bashkëpunimit me vendin tuaj, u shpreh kryeministri, është në përputhje me deklaratën e përbashkët të nënshkruar me Kryeministrin kinez në Pekin, dokument që i vendosi marrëdhëniet tona në një rrafsh të ri strategjik.

Kryeministri Berisha shprehu falënderimet e tij për ndihmën bujare që qeveria kineze i ka dhënë Shqipërisë gjatë këtyre viteve dhe për politikën e Kinës si një politikë paqeje dhe stabiliteti.

Më tej, Kryeministri u ndal në bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy vendeve dhe u shpreh se me zhvillimin e fuqishëm ekonomik Kina është shndërruar në një faktor shumë të rëndësishëm për stabilitetin ekonomik të dhjetëra e dhjetëra vendeve. Kryeministri u shpreh se qeveria shqiptare është e interesuar për rritjen e investimeve kineze në Shqipëri dhe konfirmoi vullnetin për krijimin e lehtësirave për kompanitë kineze që dëshirojnë të investojnë në vendin tonë.

Pasi foli për zhvillimin dhe rritjen ekonomike të Shqipërisë, Kryeministri u ndal tek eksportet, të cilat këtë vit janë rritur 66 përqind dhe vend kryesor zënë eksportet nga investitorët e huaj. Kryeministri u shpreh se Shqipëria është vend me mundësi investimi në shumë fusha, përfshi këtu fushën energjike, platformat e energjisë me erë, fushën e turizmit, parqet industriale, etj. Duke folur për rritjen e numrit të turistëve në Shqipëri, Kryeministri theksoi se është me interes edhe inkurajimi i turistëve kinezë për të vizituar Shqipërinë.

Gjithashtu, Kryeministri Berisha u ndal dhe në bashkëpunimin ndërmjet dy forcave politike. Duke i vlerësuar të shkëlqyera këto marrëdhënie, Kryeministri theksoi se në dekadat e fundit këto forca politike kanë qenë promotor apo forca transformuese të shoqërive të dy vendeve. Kryeministri Berisha u shpreh se në sajë të reformave të ndërmarra Shqipëria u bë vend anëtar i NATO-s dhe po punon për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Duke e falënderuar Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe ftesën e bërë nga Partia Demokratike, Kryetari i delegacionit z. Liu Yunshan i përcolli atij përshëndetjet e Presidentit dhe Kryeministrit të Kinës dhe u shpreh se kjo vizitë ka si qëllim konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve, si dhe stimulimin dhe çuarjen përpara të këtyre marrëdhënieve. Zoti Liu Yunshan u shpreh se ne, si një popull mik i popullit shqiptar, jemi të kënaqur që Shqipëria ka realizuar një zhvillim të shpejtë ekonomik e kulturor, rritje të nivelit të jetesës dhe është një vend me vitalitet të rrallë ndërtimi dhe zhvillimi. Shqipëria, - tha ai, - ka korrur suksese në përballimin e krizës financiare botërore dhe kjo në sajë të përpjekjeve dhe trajtimit shumë të mira nga ana e qeverisë tuaj.

Zoti Liu Yunshan e siguroi Kryeministrin se qeveria kineze do të nxisë sipërmarrjet kineze të investojnë në Shqipëri. Ai u shpreh se ishte njohur me treguesit e rritjes së eksporteve të Shqipërisë me Kinën, të cilat në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë rritur 600 përqind, në krahasim me vitin e kaluar, dhe kjo është një arsye për rritjen e marrëdhënieve ekonomike- financiare ndërmjet dy vendeve tona.

Për sa i përket turizmit, z. Liu Yunshan u shpreh se ka interes nga pala kineze për të investuar në këtë fushë, pasi çdo vit 20 milionë turistë kinezë vizitojnë vendet e Evropës. Gjithashtu, ai shprehu interes edhe për bashkëpunim lidhur me shkëmbimet kulturore ndërmjet dy vendeve tona, bashkëpunim në fushën e arsimit, të shëndetësisë, etj.

Z. Liu Yunshan i vlerësoi shumë të rëndësishme marrëdhëniet ndërpartiake dhe u shpreh se nëpërmjet këtij bashkëpunimi forcohet edhe bashkëpunimi ekonomiko - financiar. Lidhur me integrimin e Shqipërisë në BE, ai u shpreh se kjo do të sjellë premisa për një zhvillimin shumë të madh Shqipërisë dhe se Kina do të ketë miq të ngushtë në BE.

Kryeministri Berisha foli edhe për çështjen e Kosovës, duke u shprehur se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë qartësoi së shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në përputhje të plotë me Të Drejtën Ndërkombëtare dhe Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe se rasti i Kosovës është një rast sui generis. Njohja e Kosovës, - u shpreh Kryeministri, - i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon.

Më tej, në takim, u fol edhe për forcimin e bashkëpunimit në fushën e medias, nëpërmjet shkëmbimit të produkteve të medias, teknologjisë, etj.

Kryeministri Berisha i përcolli Presidentit të Kinës z. Hu Jintao dhe Kryeministrit kinez z. Wen Jiabao , nëpërmjet z. Liu Yunshan, ftesën për të vizituar Shqipërinë.


30/08/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›