E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Kryetarin e Parlamentit të Suedisë, z. Per Westerberg

Kryeministri Berisha priti  në një takim Kryetarin e Parlamentit të Suedisë, z. Per Westerberg, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë. 

Pasi i uroi mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e njohu z. Westerberg me reformat e thella dhe të gjithanshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadër të procesit të integrimit. 

NATO dhe BE, u shpreh Kryeministri Berisha, janë dy projektet tona madhore, dhe të gjitha përpjekjet tona janë të përqëndruara në këto dy projekte. 

Në këtë kontekst Kryeministri Berisha u ndal veçanërisht në reformat që ka ndërmarrë qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, fenomene të cilat më parë ishin shndërruar në pengesa serioze për procesin e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.

Gjithashtu Kryeministri Berisha e njohu Kryetarin e Parlamentit të Suedisë me reformat në fushën ekonomike duke evidentuar faktin se Shqipëria është tashmë vendi me barrën fiskale më të ulët në Europë. 

Kryeministri tha se investitorët suedezë janë të mirëpritur për të investuar në Shqipëri në fusha të ndryshme si turizmi, energjia dhe mineraret. 

Duke u ndalur në reformat politike Kryeministri tha se mazhoranca ka bashkëpunuar ngushtë me opozitën për realizimin e reformës zgjedhore, ndryshimeve kushtetuese dhe reformës në sistemin e drejtësisë.

Kryeministri Berisha i shprehu z. Westerberg angazhimin e plotë të qeverisë shqiptare për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme. 

Nga ana e tij Kryetari i Parlamentit të Suedisë vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadër të procesit të integrimit. Zoti Westerberg u shpreh se gjatë këtyre viteve Shqipëria ka bërë një punë të shkëlqyer dhe u shpreh i befasuar nga zhvillimi i shpejtë gjatë këtyre katër viteve të fundit. Suedia , theksoi z. Westerberg, mbështet plotësisht anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në BE.  

Gjithashtu kryetari i Parlamentit të Suedisë vlerësoi rolin konstruktiv që Shqipëria ka luajtur për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit.   

Të dyja palët shprehën angazhimin e tyre për të intensifikimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›