E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Kryetarin e Partisë Demokracia e Re në Maqedoni, z. Imer Selmani

Kryeministri Berisha priti sot në një takim një delegacion të Partisë Demokracia e RE në Maqedoni, të kryesuar nga Kryetari i saj, z. Imer Selmani.

Kryeministri Berisha, pasi i uroi mirëseardhjen, shprehu kënaqësinë për këtë takim. Kryeministri u shpreh se ndjek me vëmendje dhe interes zhvillimet në Maqedoni dhe theksoi se është shumë i nevojshëm bashkëpunimi mes forcave politike shqiptare për çështje të rëndësishme për shqiptarët e Maqedonisë.

Kryeministri vlerësoi marrëveshjen e Ohrit, si një dokument të shkëlqyer dhe jashtëzakonisht të rëndësishëm që ka njohur zhvillime pozitive, duke shprehur besimin se në të ardhmen do të bëhen hapa përpara në implementimin e plotë të saj.

Kryetari i Partisë Demokracia e Re në Maqedoni, z. Imer Selmani, vlerësoi zhvillimet pozitive në rrugën e reformave në Shqipëri, si dhe vlerësimet e bëra në raportin e Bashkimit Europian për këto reforma.  

Z. Imer Selmani e njohu Kryeministrin Berisha me zhvillimet në Maqedoni, veçanërisht me historinë e Partisë Demokracia e Re, duke e konsideruar atë një moment historik dhe ofertë të re politike për shqiptarët dhe minoritetet e tjera në frymën e bashkëpunimit politik, si një parti moderne, qytetare të qendrës së djathtë. Kryetari i Partisë maqedonase Demokracia e Re tha se në radhët e kësaj partie janë tërhequr njerëz të rinj, të pa angazhuar më parë në politikë, nga shoqëria civile, etj, si një nevojë për sjelljen e ideve të reja dhe një fryme bashkëkohore në politikë.


18/11/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›