E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për vitin 2009, qeveria ka përcaktuar buxhetin më të madh në historinë e vendit për arsimin e lartë

- Kryeministri Berisha vizitoi kampusin e universitetit “Kristal”, me rastin e inaugurimit të ambienteve të reja të tij deklaroi se qeveria nxit pjesëmarrjen e sektorit privat në arsim

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga ministri i Arsimit dhe Shkencës Fatos Beja, vizitoi sot kampusin e universitetit “Kristal”, me rastin e inaugurimit të ambienteve të reja të tij. Kryeministri Berisha, duke e vlerësuar këtë investim një kontribut të rëndësishëm në rritjen e standardeve të arsimit të lartë shqiptar, u shpreh se qeveria nxit pjesëmarrjen e sektorit privat në arsim.

“Qeveria shqiptare dhe aktualisht çdo qeveri tjetër, - u shpreh Kryeministri - e ka të pamundur të përballojë me buxhetin publik kërkesat e mëdha të sistemit arsimor dhe ka si rrugë të vetme inkurajimin dhe mbështetjen e pjesëmarrjes së sektorit privat që është dhjetëra e qindra herë më i fuqishëm se qeveria.”

Duke e theksuar arsimin si përparësi të të gjitha përparësive, Kryeministri Berisha tha se për herë të parë, qeveria ka përcaktuar për vitin 2009 buxhetin më të madh për arsimin e lartë prej 100 milion dollarë.

“Qeveria ka përcaktuar këtë vit buxhetin më të madh në historinë e vendit për arsimin e lartë. Ky buxhet arrin në vitin 2009 rreth 100 milion dollarë. Ne jemi të vendosur të rrisim progresivisht buxhetin për arsimimin e fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë,” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha garantoi se në kursin e reformave që ka ndërmarrë, qeveria do të vendosë kuadrin e merituar lehtësues për të gjitha investimet që bëhen në arsim dhe shëndetësi.

Nëse ka një fushë ku detyrimisht duhet të guxojmë, vlerësoi Kryeministri, është arsimi dhe arritja e standardeve dhe në këtë drejtim sektori privat mund të luajë një rol të rëndësishëm.

“Historia e zhvillimit të vendeve, - u shpreh Kryeministri - ka dëshmuar se edhe vende të vogla, me një vëmendje të veçantë në këtë fushë, kanë arritur nivelet më të larta dhe më të mira të arsimimit. Unë jam i bindur se ne po shtrojmë një bazë të fuqishme për një progres të shpejtë dhe për konsolidimin e një sistemi arsimor që do të bëhet promotori më i fuqishëm i ndërtimit të së ardhmes së vendit. Sektori privat po i përgjigjet mrekullisht kësaj kërkese.”

Kryeministri Berisha ritheksoi thirrjen e tij për tërheqjen e kontributit të të gjithë të shkëlqyerve që janë graduar në universitetet perëndimore, sikundër garantoi se fondi i ekselencës, i vënë në dispozicion nga qeveria, do t’u ofrohet si universiteteve publike, ashtu edhe atyre private.


19/11/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›