Kryeministri Berisha takon Ministrin e Jashtëm letonez , zotin Maris Riekstins
Kryeministri Berisha mirëpriti sot, në një takim Ministrin e Jashtëm të Letonisë, Zotin Maris Riekstins. Të dy personalitetet, vlerësuan marrëdhëniet shumë miqësore që ekzistojnë midis dy vendeve dhe shprehën sigurinë për zgjerimin dhe forcimin e tyre në të ardhmen.
Në këtë takim, Kryeministri Berisha falënderoi ministrin e jashtëm letonez për njohjen nga Letonia, të shtetit të pavarur të Kosovës, duke theksuar se pavarësia e Kosovës është një faktor i rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti për mbarë rajonin.
Kryeministri Berisha u shpreh se dy projektet madhore për shqiptarët janë integrimi në NATO dhe BE, projekte për të cilat po punohet shumë dhe do të vazhdohet të punohet me intensitet për implementimin e tyre. Në këtë kontekst, Kryeministri bëri një ekspoze të reformave më kryesore që po zhvillon qeveria shqiptare në këtë drejtim, duke theksuar se vendimtare në progresin e reformave mbeten lufta me tolerancë zero kundër krimit të organizuar, korrupsionit, informalitetit, etj.
Duke u ndalur në dy nga reformat më të rëndësishme, reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore, kryeministri u shpreh se në vend ekziston një klimë mjaft e mirë bashkëpunuese ndërmjet forcave politike për realizmin me sukses të këtyre reformave, si dhe për miratimin e ligjeve me rëndësi jetike për vendit dhe integrimin e tij në NATO dhe BE.
Ndër të tjera, kryeministri Berisha e njohu zotin Riekstins me masat e ndërmarra në vazhdimësi për krijimin e një klime të favorshme për investimet e huaja, të cilat do të kenë mundësi të shfrytëzojnë potencialet e mëdha që ka Shqipëria në mjaft sektorë, si në turizëm, në pasuri hidrike dhe prodhim të energjisë, në shfrytëzimin e pasurive mineraleve etj. Në këtë drejtim, Kryeministri e njohu zotin Riekstins me masat lehtësuese të marra me qëllim lehtësimin e barrierave burokratike për biznesin si dhe ftoi ministrin letonez për të inkurajuar investitorët letonezë për të investuar në Shqipëri.
Kryeministri Berisha e njohu gjithashtu ministrin e jashtëm letonez me zhvillimet në sektorin e arsimit, të cilat konsistojnë në futjen e rrjetit te internetit në të gjitha shkollat, liberalizimin e universiteteve të vendit, etj.
Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm letonez, Z. Maris Riekstins theksoi se Shqipëria po bën hapa të sigurtë drejt konsolidimit të reformave të ndërmarra, në prag të Samitit të Bukureshtit, si dhe shprehu vlerësimin e tij, për vendosmërinë që po tregon qeveria shqiptare, për zbatimin me rigorozitet të reformave dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend.
Ndër të tjera, Zoti Riekstins shprehu vlerësimet e tij për zhvillimet pozitive në Shqipëri, si dhe suksesin e arritur në shumë fusha të zhvillimit ekonomik, politik dhe social te vendit. Në mënyrë të veçantë, Ministri i jashtëm letonez shprehu kënaqësinë e tij për rezultatet mjaft pozitive të Shqipërisë, në zhvillimin dhe projektet në ekonomi, si dhe siguroi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e plotë të Letonisë në projektet integruese të vendit në BE dhe në NATO, si dhe në një shkëmbim të frytshëm të eksperiencave në shumë fusha zhvillimi midis dy vendeve.
Ministri letonez u shpreh se qeveria letoneze sheh perspektiva të qarta bashkëpunimi në disa fusha si në informatizimin e sistemit arsimor, në bashkëpunimin midis dhomave të tregtisë, në energjetikë, në turizëm, ne procesin e privatizimit të ndërmarrjeve të mëdha etj, të inkurajuara këto nga progresi i vendit, stabilitetit politik dhe reformat ekonomike të ndërmarra nga qeveria shqiptare.
Kryeministri Berisha dhe Ministri i jashtëm letonez biseduan ndër të tjera, edhe për zhvillimet më të fundit në Kosovë. Zoti Riekstins u shpreh se Letonia ka marrë pjesë me trupat e saj, për disa vite në KFOR dhe do të jetë pjesëmarrëse edhe në misionet në vijim të BE-së atje, për të dhënë kontributin e saj në zhvillimin e Kosovës.
“Unë mendoj se ka baza reale të qëndrueshme të favorshme për zhvillimin ekonomik dhe social të shpejtë të Kosovës dhe ne do të japim të gjithe mbështetjen tonë për këtë”, tha ministri i jashtem letonez.