Kryeministri Berisha përkujton ditën e rënies së bustit të diktatorit Hoxha
Sot, shqiptarët përulen me nderim të madh para kurajës së dhjetëra e mijëra qytetarëve të Tiranës, të cilët pas një greve legjendare të urisë të studentëve të universiteteve të Tiranës, 17 vjet më parë, përmbysën në demonstratat më të fuqishme, në sheshin qendror të Tiranës, bustin e diktatorit më mizor që kombi shqiptar kishte njohur në tërë historinë e tij, Enver Hoxhës.
Enver Hoxha dhe regjimi i tij me luftën e egër të klasave, mbushjen e vendit me burgje, hiperkolektivizmin total, varfërinë dhe mjerimin që mbolli, izolimin më të thellë dhe bunkerizimin e vendit, tjetërsoi Shqipërinë dhe shqiptarët. Për të gjitha këto, Konferenca e Bashkimit Demokratik Europian, e mbledhur në Paris, në pranverë të vitit 1991, do ta cilësonte atë si Hitleri i pasluftës në Europë.
Sot është një ditë nderimi e thellë për qindra e mijëra shqiptarë, burra e gra, të rinj e të reja dhe fëmijë, të cilët u ekzekutuan pa gjyqe, u torturuan dhe persekutuan, u burgosën apo u internuan nga regjimi i Enver Hoxhës, për liritë dhe të drejtat njerëzore dhe besimin te Zoti.
Mesazhi i madh i 20 shkurtit, për ne, shqiptarët, është ndërtimi dhe konsolidimi i lirisë dhe demokracisë në vendin tonë, mbështetja me të gjitha mjetet e përpjekjeve të vendeve të lira për përmbysjen e regjimeve totalitare kudo në botë.